Famulltari: Regjistrimi mbi baza etnike e fetare, rrezik kombëtar

Mar 16, 2011 | 11:58

ELBASAN- Famullitari i kishës autoqefale “Shën Maria” në Elbasan e cilëson regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare si një rrezik për çështjen kombëtare. Në një deklaratë për mediat, At Nikolla Marku shpjegon qëndrimin e tij rreth kësaj çështjeje, e cila, sipas tij, është më seriozja për shqiptarët në këtë shekull. Tashmë kësaj çështjeje kaq të përfolur për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike i shtohet dhe një figurë tjetër, si ai i At Nikolla Markut. “U kërkojmë institucioneve shtetërore dhe të gjithë aktorëve të tjerë, vendas e ata ndërkombëtarë, të kontribuojnë në mbrojtjen e çështjes kombëtare të vendit tonë”, deklaroi At Nikolla Marku. Duke folur në emër të këshillit të kishës autoqefale shqiptare në Elbasan, famullitari deklaroi se “kërkesat tona i kemi gjykuar si jetike për mbrojtjen e çështjes kombëtare”. Sipas tij, shqiptarët kanë një besim, që është besimi te Perëndia. “Ajo që duhet thënë hapur është se kurrsesi ndarja sipas besimeve nuk duhet të zyrtarizohet nëpër dokumente. Kjo më vonë do të sillte probleme serioze, deri dhe ndryshimin e shpeshtë të dokumenteve zyrtare. Shqiptarët duhet të jenë të vëmendshëm, dhe është një mrekulli që po tregohen vigjilentë për mbrojtjen e çështjes kombëtare”, thuhej në deklaratën e famullitarit të kishës autoqefale. Sipas tij, ligje si ai për regjistrimin e popullsisë janë me rrezik dhe nuk duhet të miratohen. Duke u ndalur te incidenti i shkaktuar nga konsulli grek në Korçë, At Nikolla Marku u shpreh se “Theodoros Ikonomus ka marrë detyrë nga shteti i tij për të bërë deklarata të tilla, pasi mendimet e tij janë në të njëjtën linjë me ato që deklaron Bollano e të tjerë. Për mendimin tim, ai duhet të largohet menjëherë nga Shqipëria. Ai mori përsipër të nxinte realitetin shqiptar dhe rikthimi i tij, – e theksoj me forcë, – është i rrezikshëm. Ai nuk e meriton të quhet më konsull, sepse tentoi të na mohojë realitetin e të na e nxijë atë”, u shpreh më tej në deklaratën e tij famullitari i kishës. Ai i ftoi të gjithë qytetarët të nënshkruajnë në regjistrin për këtë çështje, i cili që prej Ditës së Verës ka mbërritur në këtë qytet. Firmën e parë për këtë çështje e hodhi nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu në Vlorë. a.k

© Panorama.al

Te lidhura