Familja Vlora dhe poetët shqiptarë të shekullit XVIII

Nov 25, 2011 | 9:41

GENCIANA ABAZI-EGRO

Në vitin 1670, Evlija Çelebiu në Berat viziton gjashtë kafene buzë lumit Osum, në tregun e ri të ndërtuar nga Hysen Pashë Vlora. Këto kafene ai i cilëson moderne, kurse frekuentuesit e tyre i përshkruan kështu: “Poetët, oratorët e shkrimtarët e këtij vendi janë njerëz me kulturë të lartë e me studime të plota; për doktrinë fetare nuk çajnë kokën, por në sjellje janë shumë të kujdesshëm, janë njerëz  të zgjuar, me delikatesë e kanë arritur në një shkallë të lartë zhvillimi”.
Ky përshkrim i Beratit letrar, ndonëse zë vend pothuajse në çdo libër që bën fjalë për historinë e letërsisë, ka mbetur shabllon dhe nuk është bërë asnjëherë objekt i një analize të mirëfilltë shkencore për të kuptuar mënyrat se si është zhvilluar jeta sociale dhe kulturore e asaj kohe. Berati, i cili në këtë periudhë ka qenë ndër qendrat kulturore dhe letrare më të spikatura në gjithë trojet shqiptare, na jep shumë mundësi për një analizë të tillë. Kjo mundësohet falë ekzistencës së dokumentacionit të plotë të regjistrave të Sheries së Beratit, të gjetura në vitet 1950 nga Osman Myderrizi në hatullat myftinisë së qytetit dhe që sot ndodhen të depozituara në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë. Ky dokumentacion me vlerë të pamatë historike për historinë e identitetit urban dhe kulturor në trojet shqiptare, nga ana tjetër plotësohet edhe me poezitë e shkruara nga poetët e shekullit XVIII, të cilët në shumicën e rasteve kanë edhe nota të shumta biografike.
Në Perandorinë Osmane, sundimtari dhe dinastia e tij simbolizonin shtetin dhe autoritetin qendror teorikisht të pasfidueshëm nga askush. Në këtë shoqëri patrimoniale edhe marrëdhëniet kulturore dhe letrare përcaktoheshin brenda kësaj kornize. Saraji i Sulltanit dhe mjediset kulturore të krijuara brenda tij ishin burimi i vetëm i financimit dhe i mbrojtjes për njerëzit e kulturës. Dhe në varësi të mbështetjes e vlerësimit që merrnin nga sulltani përcaktoheshin dhe hierarkitë e tyre. Kjo marrëdhënie, e cila në Stamboll shfaqej në formën e saj klasike, reflektonte shëmbëlltyrën e saj në provincat osmane, qofshin ato afër apo larg Stambollit.
Në gjysmën e dytë të shekullit XVII dhe në shekullin XVIII, Beratin, si qendër administrative e sanxhakut të Vlorës, e ka drejtuar me ndërprerje familja dinastike Vlora. Siç dokumentohet edhe nga regjistrat e Gjykatës të qytetit të Beratit, kjo familje kishte arritur që drejtimin e sanxhakut të Vlorës ta ruante për disa gjenerata. Në shekullin XVII, Hysen Pashë Vlora e më pas të bijtë e tij, Xhaferr Beu dhe Mahmud Pasha e i biri i këtij të fundit, Ismail Pasha, për të vazhduar tek Ahmet Kurt Pasha, dhëndër në këtë familje. Kjo familje, degë e familjes dinastike Vlora, në historiografinë zyrtare shqiptare njihet me mbiemrin Velabishti, ndonëse pohohet edhe lidhja e saj gjenetike me Vlorajt. Këtë emër ia kanë dhënë pasi sarajet e tyre i kishin ndërtuar në Velabisht. E kjo sepse Berati në këtë kohë ishte qendër e sanxhakut të Vlorës.
Këta sundimtarë për të cilët dëshmohet se kanë shkruar edhe vetë poezi (konkretisht Ismail Pasha dhe Ahmet Kurt Pasha), kanë pasur një marrëdhënie të caktuar me elitat letrare të kohës. Madje edhe fëmijët e tjerë të Mahmud Pashë Vlorës, Rukija, Aishja dhe Bajram Pasha, siç mësohet në regjistrat e Sheries së Beratit, kanë qenë protagonistë të jetës fetare dhe kulturore të qytetit.
Kjo marrëdhënie me artin dhe kulturën shfaqet jo vetëm me ndërtimin dhe krijimin e mjediseve që favorizonin letërsinë dhe artin në përgjithësi sikurse dhe ishin gjashtë kafenetë moderne buzë lumit Osum, por drejtpërsëdrejti në marrëdhëniet që kanë pasur me poetët dhe mbështetjen financiare dhe morale që u kanë dhënë letrarëve të kohës.
Kur themi kafene në shekullin XVII e XVIII kemi të bëjmë me një institucion publik me një profil të qartë kulturor. Këto kafene frekuentoheshin nga elita e qytetit dhe krahas konsumit të kafesë apo edhe të pijeve të tjera, poetët bënin prezent poezitë e tyre dhe debatonin çështje të natyrave të ndryshme, përfshi këtu edhe çështje të artit e letërsisë. Për më tepër, kafenetë njiheshin si institucione ku testohej opinioni publik mbi problematikën e sundimit dhe sjelljen e sundimtarëve. Prandaj kafeneja duhet vlerësuar si  laborator i jetës sociale të qytetit.
Në krijimtarinë e Nezim Beratit, veçanërisht në Divanin e tij shqip të shkruar në gjysmën e parë të shekullit XVIII, i bëhet jehonë në një mënyrë shumë të qartë ekzistencës së një mjedisi të tillë. Nezimi bën fjalë për poetë të tjerë rivalë dhe për artin e krijimtarinë e tyre, duke shkuar deri në diskutime të çështjeve me natyrë teorike për letërsinë dhe mjeshtërinë e shkrimit poetik.
Në Divanin shqip të Nezim Beratit një vend të veçantë zënë poezitë kushtuar Mahmud Pashë Vlorës dhe bijve të tij Ismail Pashës dhe Bajram Pashës, të cilat u janë paraqitur atyre personalisht në raste festash dhe ceremonish të ndryshme. Këto poezi, të cilat në poetikën orientale quhen kaside, janë poezi me një funksion të caktuar social dhe shprehin qartë lidhjen e natyrshme që ekziston ndërmjet poetit-sundimtarit padron dhe poezisë. Në këto poezi poeti i thur himne e lëvdata bëmave dhe cilësive të sundimtarit në këmbim të një shpërblimi financiar, i cili në rastet kur sundimtari mbetet shumë i kënaqur, mund të shkojë deri në punësim. Kështu krijohet një marrëdhënie e ndërvarur poet-padron. Poeti merr shpërblimin, kurse padroni merr mburrjet në publik.
Nezimi në Divanin shqip e shpreh shumë qartë se është në shërbim të Mahmud Pashë Vlorës dhe të birit të tij Bajram Pashës. Ai thotë se është shërbëtor i Mahmud Pashës, prandaj dhe është duke i thurur lavde, madje ai bën me dije opinionit marrëdhëniet e tij me këtë sundimtar duke u shprehur se derisa të ketë zotërinë e tij “sa një mal”, nuk do të ketë probleme si të natyrës financiare, ashtu edhe të përballjes me rivalët e tij.
Nga poezitë që na kanë mbërritur deri më sot në Divanin shqip, shihet qartë se me djalin tjetër të Mahmud Pashës, Ismail Pashën, ka një marrëdhënie më të ndryshme. Në dy poezitë adresuar këtij të fundit nuk gjejmë të shprehur as faktin që është në shërbim të tij dhe as ndonjë aludim për shpërblime të mundshme. Madje edhe mënyra e lëvdimit dhe e cilësimit që ai i bën këtij sundimtari është e ndryshme nga dy të parëve. Është shumë korrekte, e thatë dhe pa entuziazmin e një poeti që adhuron bëmat dhe kapacitetin administrues dhe drejtues të padronit të tij. Këtu dua të ve në dukje se njëra nga këto dy poezi është shkruar me rastin e një fushate ushtarake të ndërmarrë nga Ismail Pasha. Ka qenë traditë që nisja e trupave për një fushatë ushtarake të shoqërohej me recitim poezish për aftësitë ushtarake dhe drejtuese të sundimtarëve, të cilat mendoheshin si një ogur i mirë për fushatën dhe njëkohësisht edhe si një inkurajim dhe ngritje morali për ushtarët.
Divani shqip i Nezim Beratit është një burim i rëndësishëm për dimensionin kulturor të sundimtarëve nga familja Vlora, dhe së bashku me dokumentet historike plotëson mjaft mirë kuadrin e jetës kulturore shqiptare në këtë periudhë. Gjatë shekujve XVII dhe XVIII sundimtarët nga familja Vlora ishin jo vetëm protagonistë të jetës politike në viset shqiptare e më gjerë edhe në ato perandorake, por, nga ana tjetër, dëshmohet fare qartë se ata, falë kësaj pozite politike, ishin edhe sponsorët kryesorë të jetës kulturore dhe fetare të rajoneve shqiptare që kishin në sundim.

© Panorama.al

Te lidhura