Familja e Ramiz Alisë: Një turp heshtja e PS

Oct 9, 2011 | 11:51

Ish-Presidenti, Ramiz Alia, duke marrë një dekoratë nga ambasadori i Rusisë në Tiranë, Vladimir N. Tokin, me rastin e 60-vjetorit të rënies së nazizmit, më 21 prill 2005

“Nuk ngushëlluan ata që Ramizi u dha pushtetin”

VDEKJA E ISHPRESIDENTIT/ Familjarët e Ramiz Alisë janë shprehur të indinjuar dje nga heshtja e Partisë Socialiste dhe politikanëve që ka promovuar Ramiz Alia. Gazeta “Zëri Popullit” asnjë njoftim në faqen e parë. Vetëm Majko thyen heshtjen: “Politikan hezitues, por i aftë. Nuk besoj se do të kujtohet si trashëgimtari i Enver Hoxhës”. Pëllumb Xhufi u zgjodh nga familja për të mbajtur fjalimin në ceremoninë që nis në orën 10:00 pranë ish-shtëpisë së Ushtrisë. Vetëm Meta, Vasili e Islami vizitë ngushëllimi. Historiani Michael Schmidt: “Diti të mbijetojë si ngjalë në politikë, shmangu luftën civile në ‘91”

Meta, Vasili e Islami, politikanët e vetëm për vizitë në familjen Alia. Mungojnë ish-bllokmenët

Nderime pas vdekjes nga periferia e zona të thella malore për ish-presidentin komunist e pluralist Ramiz Alia dhe braktisje nga ish-udhëheqja e Bllokut, liderët e partive të majta dhe politikanët në përgjithësi. Përveç kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasili dhe deputetit Kastriot Islami, asnjë figurë tjetër politike e rëndësishme nuk ka denjuar që të ngushëllojë familjen Alia. Gjatë gjithë ditës së djeshme, në shtëpinë e të ndjerit nuk është parë asnjë nga personazhet që u futën në politikë nga Ramiz Alia në vitin 1991 dhe vijojnë të jenë edhe sot. Nuk janë parë as figurat kryesore të mbetura të sistemit komunist, ish-anëtarë të Byrosë Politike, ish-ministra, ish-sekretarë etj., ata që, si në shkresa zyrtare, edhe jashtë tyre, ai i quante “shokë”. Të vetmit që janë shfaqur dje në dyert e mortit, të hapura në katin e tretë, ku banonte Ramiz Alia, përveç tre politikanëve që përmendëm, kanë qenë vetëm njerëzit me lidhje gjaku dhe disa vizitorë “surprizë”. Këta të fundit janë persona të ardhur nga rrethet e largëta, që e kanë njohur dikur të ndjerin dhe sapo kanë marrë vesh lajmin, janë nisur drejt Tiranës. Një ndër ta ishte edhe Marin Hajeti nga Kalaja e Dodës, i cili kishte udhëtuar për tetë orë nga fshati i thellë vetëm për t’u dhënë dorën familjarëve e për t’u thënë “ngushëllime”, ashtu si edhe një grup veteranësh nga Shkodra. Të gjithë të lagur në trup prej shiut që nuk u ndal deri në pasditen e vonë, por edhe të njomur në sy për humbjen e mikut të tyre…
Indinjohen miqtë dhe familjarët
Më në fund, gjatë paradites së djeshme, të tre fëmijët e ish-presidentit Alia u mblodhën së bashku. Dy vajzat, Zana që jeton në Tiranë dhe Besa e kthyer nga Argjentina pas një shërbimi atje (jeton në Suedi), kanë hapur dyert e mortit për gratë, ndërsa djali i vetëm i ardhur nga Franca, Arbeni, për burrat. Megjithatë, shtëpia e tyre nuk ka qenë aq e mbushur sa ç’pritej për një person që ka pasur funksione të rëndësishme në disa epoka politike për Shqipërinë. Drejtues kryesor në rininë antifashiste komuniste gjatë Luftës, ministër, anëtar i Byrosë Politike, Sekretar i Parë i Komitetit Qendror, President gjatë komunizmit dhe Presidenti i parë pluralist, Ramiz Alia ka pasur “kujtesë” të vakët nga politikanët shqiptarë. Me atë çfarë thonë familjarët dhe miqtë që kanë shkuar në shtëpi për ngushëllim, pritej një indiferencë nga ana e krahut të djathtë, por për të majtët shprehen shumë të indinjuar. Në ditën e dytë për nderimet e ish-presidentit, familjarët rrëfejnë se kanë munguar për vizita pikërisht personazhet që i ndjeri u dha pushtetin 20 vjet më parë, në kohën kur në Kongresin e 10-të, pra në kongresin e fundit të Partisë së Punës, u mor dhe vendimi për transformimin në Partinë Socialiste. Namik Dokle, Gramoz Ruçi, Xhelil Gjoni, Ylli Bufi, Servet Pëllumbi, Arta Dade, Ermelinda Meksi etj., janë ndër politikanët kryesorë të së majtës, të cilët kanë qenë konsideruar si miq, por edhe pasardhës të Ramiz Alisë, të cilët ai i rekomandoi për poste partiake dhe qeveritare që në vitin 1991. Revolta e tyre shtohet edhe për emra të tjerë, si Skënder Gjinushi apo Rexhep Meidani, të cilët, përveçse shokë të Ramizit, kanë qenë edhe nxënës të bashkëshortes së tij, Semiramis. Ka qenë pikërisht ajo, pedagogia dhe më vonë dekane e Shkencave të Natyrës, e cila ia pati përshkruar bashkëshortit ish-studentët e saj si persona me integritet për t’u ngritur në politikë.
Njerëzit e letrave
Më të ndjeshëm për humbjen e Ramiz Alisë duket se kanë qenë njerëzit e letrave. Mesditën e së shtunës kanë kapërcyer portën e apartamentit të të ndjerit një grup krijuesish e gazetarësh. Më shumë se një akt qytetar në nderim të ish-presidentit të parë të shtetit pluralist shqiptar, prania e Marrash Hajatit, Agron Çobanit, Kiço Blushit e Nasi Lerës në shtëpinë e Alisë në ditë zie, ka qenë shprehje e respektit të tyre si njerëz të letrave për periudhën kur profesioni ua ka dashur të jenë bashkëpunëtorë të tij. Kur Alia drejtonte sektorin e propagandës në Komitetin Qendror, Hajati ka kryer detyrën e kryeredaktorit të “Zërit të popullit” dhe të drejtorit të Përgjithshëm të RTVSH. Ndërkaq, Çobani për shumë vite ka qenë gazetari që ndiqte nga afër veprimtarinë e Alisë. Në tjetër kohë ka pasur rastin të bashkëpunojë me ish-presidentin Alia shkrimtari dhe publicisti i njohur Kiço Blushi. I përzgjedhur prej tij në “Këshillin e të urtëve”, ish-Këshilli Presidencial, Blushi kontribuonte me mesazhet e tij për të ulur tensionet e fillimeve të demokracisë.
Kujtime nga miqtë…
Nga kujtimet e shumta që shpërfaqen në shtëpinë e Ramiz Alisë në ditën e dytë të vizitave në familjen e tij, ato të Muharrem Ymerit, pezakut 70-vjeçar që shërbeu për 30 vjet si shofer i të ndjerit, kanë një sens të thjeshtë e njerëzor. Ai, qysh në momentin e lajmit për vdekjen e Alisë nuk është larguar asnjë moment nga apartamenti i tij në afërsi të stadiumit “Dinamo”. Vetëm kur mbushet dhoma ku priten ngushëllime, shkëputet paksa e kthehet sërish në krah të familjarëve dhe të afërmve të Alisë. Aty pastaj shfrytëzon pauzën më të parë dhe nis të rrëfejë mbresat nga koha kur shërbente për të dhe familjen e tij. Duke veçuar raportet e ish-shefit me nënën e tij, Ymeri kujton lidhjet e afërta me të, pa nguruar të flasë për një “konflikt” të hershëm midis tyre. Ramizi nuk ndjehej mirë, – shton pezaku, – kur mësonte se e ëma falej pesë herë në ditë. Po, po, ajo derisa vdiq nuk hoqi dorë nga ritet e besimit mysliman, pavarësisht ligjit në fuqi, që e ndalonte kategorikisht”. Madje, shoferi i Alisë mban mend se çdo natë Bajrami ajo i jepte “ilegalisht” pjesën e hallvës për vete dhe fëmijët. “Ramizi ka qenë edhe ky!” – futet në bisedë një shkrimtar i njohur, duke sjellë aty një fakt tjetër të kësaj natyre. Në kohën kur vdiq Enveri, shprehet ai, Alia ktheu në Tiranë gruan e divorcuar të Haxhi Lleshit dhe djalin e tij, që ishin internuar në zonën e Elbasanit…

“Presioni” i LSI për ceremoninë
Pas shumë debatesh, hezitimesh e përplasjesh, duket se organizimi i ceremonisë me protokoll shtetëror është një meritë e drejtuesve të LSI-së. Siç mësohet nga familjarët, Ilir Meta dhe Petrit Vasili janë politikanët që kanë shfaqur interesin maksimal që Ramiz Alia të varrosej ashtu siç i takonte zyrtarisht, si President. Në fakt, interesimi i tyre u vu re menjëherë sapo Alia ndërroi jetë, kur Meta bëri deklaratë publike duke vlerësuar figurën e tij. Ndërsa për Vasilin u mësua se kishte dhënë kontributin maksimal si ministër i Shëndetësisë për përmirësimin e shëndetin të Alisë.

Pëllumb Xhufi, i zgjedhuri i familjes
Ish-Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës dhe njëkohësisht ish-presidenti i parë i pluralizmit, Ramiz Alia, do të përcillet sot për në banesën e fundit. Pavarësisht debatit mbi rolin e tij në shumë ngjarje të kohës së diktaturës dhe të fillimeve të pluralizmit, Ramiz Alisë do t’i rezervohet një trajtim prej ish-presidenti. Protokolli i shtetit do të organizojë të dielën, nga ora 10:00-11:00, homazhe pranë ish-Shtëpisë së Ushtrisë, ndërsa për të mbajtur fjalimin e rastit do të jetë Pëllumb Xhufi. Emri i tij është zgjedhur me konsensus nga familja, e cila ka menduar që si historian me përvojë, Xhufi është i duhuri të flasë mbi jetën dhe veprimtarinë e të dashurit të tyre. Pas fjalimit të tij, nga familja mësohet se do të hapë edhe një libër ngushëllimesh, ku çdokush mund të lërë një mesazh. Më pas, në orën 11:00, kortezhi i përmortshëm do të niset drejt Varrezave të Sharrës, aty ku edhe do të jetë banesa e fundit e Alisë, i eskortuar vetëm nga patrulla policore. Kjo ceremoni nuk do të përmbajë bandë, truprojë nderi apo të shtëna me armë.

Trupi i Alisë nuk merret në shtëpi, nga morgu në varreza
Fillimisht ishte mungesa e dy fëmijëve, ndërsa më pas “zotimi” i shtetit për ta nderuar me ceremonial. Kështu është argumentuar nga familjarët mungesa e arkivolit të Ramiz Alisë në shtëpinë ku ai jetonte dhe ku këto dy ditë janë pritur njerëzit për ngushëllime. Siç mësohet nga të afërmit dhe nga mjekët, trupi i të ndjerit, pasi i janë bërë shërbimet e fundit, është dërguar direkt në morgun e spitalit. Duke qenë se mjekët që i kanë asistuar deri në çastet e fundit ishin në dijeni të diagnozës që i mori jetën, kanë vendosur që të mos i bëjnë autopsi. Kështu, prej dy ditësh trupi i Alisë vijon të jetë në morg dhe që aty do të transportohet direkt nesër për në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, ku do t’i bëhen homazhet e fundit. Ndërkaq, varri i tij do të jetë pranë bashkëshortes, Semiramis, ashtu siç ka shprehur gjithnjë dëshirën. Humbja e saj ka qenë brenga më e madhe e tij prej një çerek shekulli. Në trupin e lodhur dhe të pamundur për ta lëvizur, mendja e ish-presidentit të parë pluralist në Shqipëri ka qenë shumë e kthjellët. Duke parandier lamtumirën, ai u ka shprehur të afërmve dëshirën që trupi t’i prehet pranë bashkëshortes, e cila ndërroi jetë në vitin 1985.

Raportimet e “RD” dhe “ZP”: “Zëri i Popullit”, asnjë  rresht për Ramiz Alinë
Në pasqyrimin që gazetat e përditshme i bënë lajmit të ndarjes nga jeta të Ramiz Alisë, bien në sy dy gazetat kryesore partiake. E, nëse gazeta “Rilindja Demokratike”, organ i Partisë Demokratike, qëndron e palëkundur në pozicionin e saj ndaj udhëheqjes komuniste duke e komentuar me titull të madh, “Vdiq diktatori i fundit komunist”, gazeta e Partisë Socialiste, “Zëri i Popullit”, trashëgimtarja e pandryshuar as në titull nga partia ku Ramiz Alia militoi për 45 vjet dhe drejtoi në 5 vitet pas vdekjes së Enver Hoxhës, nuk kishte asnjë titull për ndarjen e tij nga jeta. Edhe pse dje “ZP” kishte rreth 16 tituj, që nga “Hemorraidet…” e deri te “Rriten çmimet e ilaçeve…”, nuk e pa të udhës të vinte lajmin e vdekjse së udhëheqësit të PPSH-së.

AFRIM IMAJ/ ELISABETA ILNICA

© Panorama.al

Te lidhura