Familja e Konomit: Jemi në rrezik

Oct 1, 2011 | 12:06
Skerdilajd Konomi me bashkeshorten Enkelejda

Ish-gjyqtari i Vlorës, Skerdilajd Konomi, la pas një histori të koklavitur pronash të cilën aty ku ka mbetur, duhet ta vazhdojnë të afërmit e tij. Dhe kjo datë nuk është e largët, pasi më 3 tetor 2011, familja Konomi dhe trash-ëgimtarët kanë gjyqin për të drejtën e hipotekimit të 278 hektarëve tokë në Hamallaj të Durrësit. Është momenti final i një procesi të gjatë që Skerdilajd Konomi, siç dëshmojnë të afërmit, e kishte ndjekur prej vitesh në gjykata, në çdo rast kur i jepej mundësia jashtë orarit të punës si gjyqtar në Vlorë. Pak ditë para këtij gjyqi, familja Konomi i ka shkruar dje një letër të hapur Presidentit të Republikës, Bamir Topit,  ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimit  dhe nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiut. Në letër, me fjalë të thjeshta kërkohet zbardhja e vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi dhe mbrojtja e familjes së tij, e cila është në rrezik për të njëjtin shkak që u vra edhe gjyqtari. “Duke u nisur nga zotimi juaj se fajtorët për këtë krim makabër do të vendosen përpara drejtësisë sa më parë, ne shpresojmë që më në fund, jeta dhe prona e familjarëve tanë të mbrohen me forcën e ligjit që ju ka veshur me autoritet”, shkruhet në letrën e hapur të familjes Konomi. “Për sa kohë që vrasja e gjyqtarit mbetet pa fajtorë dhe çështja e pronave e pazgjidhur, ne ndihemi të rrezikuar seriozisht për jetën”, shkruhet në letër. Sipas saj, nga çfarë dihet deri më sot, pronat e trashëguara nga familja, të cilat janë njohur dhe nga një vendim i Gjykatës së Lartë, përbëjnë pistën kryesore të hetimeve. “Nisur nga kjo, frika jonë është edhe më e madhe tashmë që ndodhemi në pragun e një gjyqi, i cili pritet të zhvillohet të hënën, më datë 3 tetor. Pa dashur të hamendësojmë asgjë, kërkojmë që ju të ushtroni të gjithë influencën tuaj që ky proces të zhvillohet sa më i qetë, i rregullt dhe në përputhje të plotë me ligjin. Familja jonë kërkon jo vetëm mbrojtjen e pjesëtarëve tanë, por edhe të trupit gjykues, ndaj presioneve të mundshme”, shkruhet në letrën e familjes Konomi. Sipas saj, gjetja e fajtorëve të vrasjes së Skerdilajdit dhe finalizimi i proceseve të pronësisë konform ligjit, do të lehtësonte dhimbjen e familjarëve dhe do të jepte një shembull të shkëlqyer të mirëfunksionimit të shtetit ligjor në Shqipëri. “Pavarësisht krimit të tmerrshëm që ndodhi dhe kërcënimit që qëndron pezull mbi çështjen e pronave, familja Konomi është e vendosur të ndjekë çdo rrugë ligjore për të kërkuar të drejtën e saj, pavarësisht çdo akti kriminal që synon ta pengojë drejtësinë”, shkruhet në letër. Gazeta “Panorama” kontaktoi dje me bashkëshorten e gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Ajo shpjegoi se mesa është në dijeni, gjyqi i datës 3 tetor ka të bëjë me të drejtën e familjes Konomi për hipotekimin e sipërfaqes prej 278 hektarësh tokë në bregdetin e Durrësit. Ndonëse kjo pronë me këtë sipërfaqe është njohur si përkatësi e familjes Konomi me një vendim të Gjykatës së Lartë këtë vit, hipotekimi i saj në emër të trashëgimtarëve është bllokuar. Shkak është bërë një vendim i Gjykatës së Tiranës, dhënë për sigurim padie më 13 gusht 2011. Vendimi në fjalë është dhënë pas padisë së bërë në Gjykatën e Tiranës nga palët e interesuara për pronën në bregdet.

Ia dhanë gjykatat pasi ia ndaloi Agjencia e Pronave: Konflikti gjyqësor për tokën në bregdet me vlerë 200 milionë euro
Tiranë – Skerdiladj Konomi bënte pjesë në rrethin familjar të personave trashëgimtarë të një sipërfaqe të madhe toke në bregdetin e Durrësit. Kjo pronë është vlerësuar sipas një raporti privat me një vlerë tregu prej 200 milionë eurosh. Historia e pronës, e cila njihej me emrin “Çifliku Rrushkull ose Çifliku i Ri” nis në vitin 1919, kur toka në fjalë i përkiste Miltiadh Shallvarit. Ai vdiq më 17 maj 1933, por katër vjet para ndarjes nga jeta, më 8 maj 1929, i ka lënë trashëgimi pasurinë e tij, me testament zonjës Sllava Ljubica Maria Amalia Lampo. Kalimi i pronësisë me testament te gruaja në fjalë, u bë në vitin 1940, kur në zyrën e Hipotekës së Durrësit u regjistrua me dokumente, fakti se shtetasit Edita Shallvari, e bija e trashëgimlënësit Miltiadh Shallvari dhe Nikolo Shallvari, vëllai i trashëgimlënësit Miltiadh Shallvari, kanë hequr dorë nga çdo e drejtë që mund t’u takojë për efekt trashëgimie mbi pronat në Rrashkull dhe Çifliku i Ri, duke i lënë ato në favor të shtetases Sllava Lubica Maria Amalia Lampo. Më datë 27 prill 1940, prona në fjalë iu dha kompanisë italiane asokohe për një afat 99 vjet, por më 29 maj 1946, toka në fjalë u sekuestrua nga shteti shqiptar. Pikërisht te ky vendim, sipas Gjykatës së Durrësit, bazohej kërkesa e gjyqtarit të Vlorës për kthimin e pronës, pra te fakti se toka ishte marrë në 1946 nga shteti, i cili tani duhej ta kthente. Konkretisht, sipas dokumentit me nr. transkriptimi 126, volumi 15, datë 29 maj 1946, prona ka kaluar në emër të shtetit, me kufizimet: Veri, Ali Bej Qoralliu, Faut bej Toptani, Zija bej Toptani, perëndim, deti, jug, lumi Erzen dhe lindje, Qanie Hanemi, Fuat bej Toptani. Prona në fjalë u konsiderua e konfiskuar në zbatim të ligjit 36, datë 14 janar 1945. Gjykata e Durrësit ka vlerësuar se me dhënien në përdorim të pronës te kompania italiane, nuk ka ndryshuar pronësia e tokës, ajo ka mbetur e trashëgimtares me testament, dhe pikërisht asaj, prona në fjalë i është sekuestruar nga shteti. Kjo, sipas Gjykatës, për shkak se emfiteoza nuk është ndryshim i pronësisë, por vetëm përdorim i pronës. Sipas të dhënave të Gjykatës ka dalë se prona në fjalë vetëm breg deti me rërë, ka 52000 metra katrorë, ndërkohë që në kuptim të ligjit për kthimin e kompensimin e pronave, është gjetur e lirë sipërfaqja prej 150.75 hektarësh.

Tiranë, Gjykata bllokoi hipotekimin e pronave të Konomit
Tiranë – Në kohën kur Skerdilajd Konomi kishte fituar gjyqin në Gjykatën e Lartë dhe priste të regjistronte në hipotekë pronat e trashëguara, një vendim i Gjykatës së Tiranës, dhënë më 13 gusht 2011, ka bllokuar gjithçka. Me vendimin e Gjykatës së Tiranës është urdhëruar “ngrirja” për 58.6 hektarë truall, duke pezulluar kryerjen e veprimeve juridike, konkretisht regjistrimin e pronësisë në Hipotekë. Sipas vendimit të Gjykatës së kryeqytetit dhe atij të Gjykatës së Lartë, vërehet se kjo sipërfaqe ndodhet në të njëjtat zona kadastrale të fshatit Hamallaj, ku ndodheshin edhe trojet mbi të cilat fitoi të drejtën e pronësisë familja Konomi. Palë kërkuese në këtë kërkesë-padi janë nëntë persona, anëtarë të familjeve Toptani, Mullaj dhe Hamzaraj, të gjithë lindur dhe banues në Tiranë. Kërkesë-padia ka pasur si objekt: “Caktimin e masës së sigurimit së padisë duke pezulluar deri në përfundim të padisë së themelit kryerjen e veprimeve juridike të tjetërsimit të pronave, përfshirë dhe pezullimin e kryerjes së veprimeve pranë ZVR të Paluajtshme Durrës, si dhe çdo veprimi tjetër juridik që kufizon të drejtat e pronësisë mbi pronën e regjistruar në ZVRP të Paluajtshme Durrës, si dhe në regjistrat kadastralë të Bashkisë Sukth, qarku Durrës”. Nga të dhënat e Gjykatës del se palë e tretë në proces ishte edhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Në vendimin e saj, Gjykata vendosi pezullimin e kryerjes së veprimeve juridike të tjetërsimit të pronës, përfshirë këtu pezullimin e veprimeve pranë ZVRPP Durrës, si dhe çdo veprim tjetër juridik që kufizon të drejtat e pronësisë deri në përfundim të shqyrtimit të padisë së themelit. Sipas vendimit, “ngrirja” është vendosur për një sipërfaqe prej 58.6 hektarësh, ndërsa kjo sipërfaqe rezulton e ndarë në nëntë parcela, të gjendura në zona kadastrale të fshatit Hamallaj, Bashkia Sukth.

Letra për Berishën:  Duam garanci për pronat
Familjarët e gjyqtarit të Vlorës Skerdilajd Konomi,  u kanë dërguar njëherësh letra edhe autoriteteve të tjera të larta në Shqipëri.  Në një letër drejtuar Kryeministrit Sali Berisha hidhen dyshimet se vrasja e gjyqtarit ndodhi për pronat dhe kërkohet që kreu i qeverisë të garantojë drejtësinë e gjyqit që po vazhdon.  “Për pesë vjet,  Skerdilajdi është përpjekur të gjejë të drejtën në lidhje me pronat e familjes së tij në rajonin e Durrësit. Fatkeqësisht, nuk arriti t’i merrte plotësisht,  pavarësisht se Gjykata e Lartë i kishte dhënë të drejta të plota.  Ne dyshojmë fuqimisht se vrasja e tij është e lidhur me këtë proces.  Duke ndjekur verdiktin e gjykatës, familja ka aplikuar për të regjistruar tokat në Zyrën Hipotekore. Të shqetësuar se rezultati i këtij gjyqi mund të trukohet për shkak të manipulimeve direkte dhe indirekte,  presim nga organet kompetente të ushtrojnë te gjithë fuqinë që i jep ligji për të garantuar drejtësinë”,  thuhet në letrën që u është dërguar edhe ambasadave të huaja në Tiranë.

Trazhgim Sokolaj

© Panorama.al

Te lidhura