Familja Alia: I falënderojmë, nga miqtë deri te përfaqësuesit e shtetit

Oct 14, 2011 | 10:05
Femijet e ish Presidentit Ramiz Alia , djali Arben dhe vajzat, Besa e Zana

Familja e ish-presidentit Ramiz Alia, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë, falënderon të gjithë dashamirësit që u gjendën pranë këtij momenti të vështirë dhe dhanë mbështetjen e tyre përmes homazheve. Përmes një njoftimi për mediat, familjarët e Alisë, në mënyrë koncize dhe dashamirëse, përshëndesin mesazhet e marra nga një numër i madh qytetarësh në Shqipëri dhe jashtë saj. “Në emër të të gjithë familjes do të dëshironim t’i falënderojmë përzemërsisht edhe njëherë të gjithë miqtë, shokët dhe dashamirësit e shumtë nga Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera për mesazhet e simpatisë që kemi marrë për ndarjen nga jeta të babait tonë”, thuhet në mesazhin e dhënë dje nga familja e ish-presidentit Alia. Në këtë mesazh falënderimi, një vend të veçantë zënë dhe ekipet mjekësore, por dhe politikanët shqiptarë për mbështetjen e dhënë prej tyre në ditët e vështira për këtë familje. “Në mënyrë të veçantë falënderojmë ekipet mjekësore, brenda dhe jashtë vendit, për kujdesin e pakursyer, profesional e njerëzor që dëshmuan. Falënderojmë gjithashtu përfaqësuesit shtetërorë e partiakë për angazhimin e tyre. Me respekt, familja Alia”, shprehen familjarët e ish-presidentit.
Të premten e shkuar, për shkak të komplikacioneve në mushkëri, ish-presidenti i parë pluralist dhe i fundit komunist u nda nga jeta. Për vetë rolin dhe pozicionin që ai ka mbajtur gjatë viteve të para të pluralizmit, zoti Alia u përcoll përmes një protokolli shtetëror me nderime përmes homazheve në ish-Shtëpinë Qendrore në Ushtrisë ditën e diel, por dhe oficerëve të Gardës së Republikës. Për këtë u kujdes vetë Kryeministri Berisha, ndërsa Presidenti Topi, i cili ndodhej në Turqi, dërgoi një kurorë. Por, në homazhe morën pjesë politikanë të majtë, si ish-kreu i PS-së, Fatos Nano, kreu i LSI-së, Ilir Meta, ish-kryetari i Kuvendit Servet Pëllumbi, Gramoz Ruçi, Namik Dokle, por dhe Luan Rama, Petrit Vasili, Ilir Beqja, Qemal Minxhozi, Kastriot Islami etj. Nuk munguan në këto homazhe dhe shqiptarë të Kosovës e Maqedonisë, por dhe sheikë nga Dubai, miq të ish-presidentit që një vit më parë e kishin pritur atë për rreth një muaj.

© Panorama.al

Te lidhura