Fakultetet, vendimi i senatit të UT heq kreditet për mbetësit

Oct 28, 2011 | 11:01

Studentët e Universitetit të Tiranës do ta kenë më të lehtë për të kaluar nga njëri vit akademik te tjetri. Do të japin më pak provime e, për rrjedhojë, do t’u duhet të grumbullojnë më pak kredite. Pas kërkesave të studentëve të Fakultetit Ekonomik dhe atij të Mjekësisë, Senati i Universitetit të Tiranës ndryshon rregulloren. Në mbledhjen e djeshme u miratua me shumicë votash mënyra e re e kalimit nga një vit te tjetri. Kalimi nga viti i parë në vitin e dytë bëhet kur studenti ka marrë të paktën 20 kredite, dhe jo 30, sikurse ishte më parë. Çka do të thotë se studentët, për t’u cilësuar kalues, do të japin më pak provime. Më shumë kredite janë reduktuar për kalimin nga viti i dytë në vitin e tretë. “Kalimi nga viti i dytë në vitin e tretë bëhet kur studenti ka marrë të paktën 60 kredite”, thuhet në rregulloren e re. Më parë atyre u duhej të grumbullonin 90 kredite. Gjithashtu është shtuar edhe një sezon provimesh të mbartura, që është tetori, si dhe më shumë lehtësira për studentët që janë në prag diplomimi dhe s’kanë mundur t’i mbyllin të gjitha provimet. “Studenti i vitit të fundit që në përfundim të provimeve të vitit rezulton me 30 kredite të pashlyera, ka të drejtë t’i likuidojë ato në një periudhë të caktuar nga dekanati”, thuhet në rregullore. Sipas saj, studenti që kryen këto detyrime lejohet të hyjë në mbrojtjen e diplomës. Në të kundërt, i lind e drejta e shlyerjes së tyre në sezonin e ardhshëm të riprovimeve. “Studenti lejohet të hyjë në mbrojtjen e diplomës vetëm pasi ka grumbulluar të gjitha kreditet e parashikuara në programin mësimor”, saktëson rregullorja. Në të përcaktohet gjithashtu se studentët kanë të drejtën t’i japin provimet në tri sezone. Bëhet fjalë për sezonin e verës, vjeshtës dhe dimrit. Në raste të veçanta, me propozim të këshillit studentor, mund të hapen dhe dy sezone, në dhjetor dhe në prill, për të cilat ata u nënshtrohen tarifave për shërbimin e ofruar. Ndryshimet e bëra në rregullore lehtësojnë studentët duke u krijuar atyre mundësinë të mos shkëputen nga procesi mësimor si pasojë e mosmarrjes së numrit të kërkuar të krediteve. Rregullorja përcakton gjithashtu se studenti ka të drejtën e rishikimit të notës në çdo vit akademik deri në tri lëndë nga detyrimet e atij viti. “Për rishkimin e notës studenti provohet vetëm një herë dhe mbetet në fuqi nota për të cilën vlerësohet atë vit”, thuhet në rregullore. Sipas saj, kërkesa për rishikim note dorëzohet në dekanat, ndërsa studentët e vitit të fundit kanë të drejtë të përmirësojnë deri në katër lëndë, përfshi këtu edhe të viteve pasardhëse. Studentët merren në provim nga të paktën dy pedagogë, njëri prej të cilëve i brendshëm. Sa i përket diplomës, vlerësimi i studentëve bëhet me pikë. Në rast se një student merr 80% deri në 100% të pikëve, atëherë ai vlerësohet me “shumë mirë”, me më pak se 80% të pikëve vlerësimi për ta është me “mirë”. Në rast se një student merr me pak se 64% të pikëve, vlerësimi për të është “mjaftueshëm”. Një student vlerësohet mbetës nëse ka grumbulluar më pak se 49% të pikëve. Në rregullore përcaktohen edhe rastet kur studentët mund të ankimohen për notën, duke pretenduar se meritojnë më shumë. Studenti ka të drejtë të ankohet për shkelje të rregullave të zhvillimit të provimit, duke ia paraqitur me shkrim përgjegjësit të departamentit brenda 24 orëve nga data e zhvillimit të provimit. “Përgjegjësi i departamentit, nëse verifikon shkelje të korrigjueshme, në bashkëpunim me komisionin e provimit, bëjnë korrigjimet e duhura”, thuhet ne rregullore.

Ndryshimet
.Kalimi nga viti i parë në vitin e dytë bëhet kur  studenti ka të paktën 20 kredite.

.Më parë i duhej të grumbullonte 30 kredite.

.Kalimi nga viti i dytë në të tretin bëhet kur studenti ka marrë të paktën 60 kredite.

.Më parë i duhej të grumbullonte 90 kredite.

.Shtohet një sezon i ri provimesh në muajin tetor për studentët në prag diplomimi.

© Panorama.al

Te lidhura