Mësimi u dha para pesë muajsh. Kush pati sy, e pa kush pati mend, e mësoi. Kush refuzoi të nxjerrë mësim, është i detyruar ta pësojë përsëri.
Më 8 maj shqiptarët votuan për përfaqësuesit lokalë. Me votën e tyre i dhanë një mësim klasës politike që ish mësuar t’u ofronte kandidatë partiakë dhe të kish votim thjesht politik. Një pjesë e madhe e votuesve rrëzuan zgjedhjet politike dhe zgjodhën kandidatët që ishin më përfaqësues dhe më pranë halleve të banorëve. Kështu, demokratët humbën shumë bastione që nuk kishin humbur prej 20 vitesh, duke filluar me Kavajën dhe Laçin. Ngjashëm PS-ja humbi disa bastione të vetat, përfshi Librazhdin.
Pesë muaj më vonë, opozita ka humbur të gjitha zgjedhjet për kryetar qarku në të gjitha qarqet ku është votuar, me gjasë për shkak të ofertave të pasakta të kandidatëve që ka ofruar. Për ilustrim le të shohim qarkun e Vlorës. Kështu, në zgjedhjet e majit, në bashkinë e Himarës, kandidati Goro, i propozuar nga PS-ja, dukej se përfaqësonte qytetarinë e Himarës dhe mori në masë edhe votat e demokratëve që donin ndryshim në qeverisjen e qytetit të tyre dhe ia arritën kësaj. Në mënyrë të ngjashme, në zgjedhjet për qarkun e Vlorës tani në tetor, kandidati Dhimojani, i propozuar nga PD-ja, përfaqësonte qytetarinë e Himarës dhe gjithë zonës së Bregut, me një reputacion të padiskutueshëm për korrektesë dhe ndershmëri dhe fitoi votat e këshilltarëve të djathtë dhe të majtë. Duket se këshilltarët në tetor u sollën ngjashëm si qytetarët në maj dhe zgjodhën kandidatët që i përfaqësonin më mirë. Kështu, megjithëse opozita kish rreth 12 këshilltarë qarku më shumë se koalicioni qeverisës, Dhimojani arriti të fitojë me një diferencë të thellë prej 15 votash ndaj kandidates së mbështetur veç nga Edi Rama dhe që nuk përfaqësonte mirë nevojat dhe hallet e banorëve lokalë. Kjo zgjedhje e kandidates së gabuar iu imponua opozitës në mënyrë inatçore nga Tirana dhe dihet se shkaktoi probleme të mëdha edhe vetë brenda degës së PS-së në Vlorë, duke provokuar largime në masë të drejtuesve të PS-së. Kush ia ka fajin kësaj radhe Edi Ramës?
Kjo nuk është hera e parë që Rama vepron në kokë të vet dhe pastaj ankohet për të tjerët. Rama i filloi dhe i mbaroi zgjedhjet me të qara. Prej dy vitesh qahej për votimet e 2009-s, megjithëse nuk kish asnjë fakt ku të kapej. Pasi bojkotoi dhe bllokoi vite të tëra votimin e ligjeve që ia kërkonin SHBA dhe BE, vijoi me të qarat se ia kishin fajin të tjerët. Më 2011-n u qa për listat e votuesve që i përgatiste vetë, më pas u qa për kartat e identitetit që kinse do ishin false etj. Ditën e votimit mania e persekutimit u agravua dhe u qa për bojën që kinse do hiqej nga thoi, u qa se ajo çfarë kish ndodhur në fushë nuk paraqitej në TV, u qa për vëzhguesit, u qa për numëruesit, u qa për njëfarë furgoni të bardhë etj. Më pas u qa pse KQZ nuk mohoi të drejtën e qytetarëve që t’u numërohej vota, pastaj u qa pse KQZ nuk shpalli rezultatin, pastaj pse KQZ shpalli rezultatin, pastaj u qa me kolegjin e parë, me të dytin, me të tretin dhe më pas i shau gjithë gjyqtarët me libër shtëpie. Fill pas humbjes së Tiranës, parulla “Fajin e ka Saliu” u bë “Fajin e ka Hysniu”. Më pas fajin e ka Arvizu, pastaj fajin e ka Ristani, pastaj fajin e ka Gjyqësori…, ndërsa tani, pas humbjes së gjithë qarqeve, po qahet për tradhtarët brenda PS-së. Dhe unë që mendoja se vetëm vajza ime 10 vjeçe ia hidhte fajin gjithë botës veç për të mos pranuar kurrë përgjegjësi për vete…
© Panorama.al












