Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median austriake Die Presse, ku ka folur për situatën politke në vendin tonë, reformën në drejtësi dhe aspiratat e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Gjatë intervistës Rama tha se vendi ynë po punon shumë për tu bërë pjesë e familjes së madhe së BE-së, ndërsa theksoi se Evropa është feja kryesore e Shqipërisë.
Teksa u ndal te drejtësia Rama tha se vendi ynë ka nevojë për ndërtimin e mekanizmave të drejtësisë që mund të provojnë pavarësinë e tyre. Pavarësisht gabimeve që mund të bëjë SPAK, sipas Ramës, pavarësia e institucioneve të drejtësisë nuk duhet prekur.
“Nuk është diçka që nuk e prisja, ose nuk është diçka që po ndodh papritur. Është diçka që e dinim, dhe e kam thënë para se të ekzistonte vetë. Kam thënë se duhet të ndërtojmë mekanizma të drejtësisë që duhet të jenë në gjendje të provojnë pavarësinë e tyre, duke hetuar, duke investiguar dhe duke dënuar, pa marrë parasysh nga cila anë vjen çështja. Nuk është aq këndshme sa të shkosh në operë. Është e dhimbshme. Është e hidhur. Por është mënyra e vetme. A është perfekte? Jo. A bëjnë gjithashtu gabime? Sigurisht që bëjnë. Por në fund të ditës, duhet të bëjmë gjithçka që të mos prekim pavarësinë që u kemi dhënë atyre”, tha Rama.
BE dhe zgjerimi: “Europa nuk është më aq e vetë-mjaftueshme sa më parë”
Rama vuri në dukje se klima politike brenda BE-së ka ndryshuar dhe se sot kuptohet më qartë rëndësia strategjike e zgjerimit – që ai preferon ta quajë “unifikim”.
“Tani kohët janë të ndryshme. Shumë gjëra kanë ndryshuar. Së pari dhe më kryesorja, ka ndryshuar niveli i sigurisë së Bashkimit Europian ndaj vetes. Për momentin, BE nuk është aq e vetë-mjaftueshme sa ndihej disa vite më parë. Shpresoj që të mbetet kështu, sepse gjërat ndryshojnë”, tha Rama.
© Panorama.al











