
Parlamenti i Sllovakisë ka ratifikuar një plan për të zgjeruar fondin e shpëtimit të eurozonës, dy ditë pasi deputetët e refuzuan atë. Votimi u bë sërish, pasi qeveria dhe opozita ranë dakord për të mbajtur zgjedhje të parakohshme gjatë vitit të ardhshëm. Një parti e vogël në koalicionin qeverisës përmbysi kabinetin të martën në Sllovaki, gjatë votëbesimit të lidhur me ratifikimin e planit për t’i dhënë më shumë fuqi fondit europian të shpëtimit. Përpjekja e dështuar e së martës për të ratifikuar marrëveshjen në Sllovaki lëkundi tregjet financiare. Opozita ndërhyri, duke u zotuar se do të ndihmonte në rivotimin e marrëveshjes dhe në ratifikimin e saj, nëse premtoheshin nga qeveria zgjedhje të parakohshme. Sllovakia ishte vendi i fundit i 17 anëtarëve të eurozonës që nuk e kishte ratifikuar ende zgjerimin e fondit të shpëtimit për vende që do të jenë në borxhe, si rasti i Greqisë dhe kërcënimi i ngjashëm për Portugalinë, Italinë dhe Spanjën. Fondi i shpëtimit është propozuar për të pasur një monedhë më të fortë dhe për të mos qenë të papërgatitur ndaj krizave të tilla, që rrezikojnë të falimentojnë një vend anëtar të euros. Plani europian i vendeve të eurozonës ka të bëjë me zgjerimin e kapacitetit huadhënës nga Fondi i Stabilitetit Financiar europian në 440 miliardë euro. Me një popullsi prej 5.4 milionë banorësh, Sllovakia llogaritet për më pak se 2 për qind të popullsisë së bllokut të euros, por Parlamenti i saj, ashtu si ai i çdo vendi anëtar, mund ta bllokonte me efektivitet masën, duke vendosur veton. Marrëveshja për fondin e zgjerimit ishte arritur që në korrik, si masë për të mbrojtur euron, e cila është luhatur shumë në tregje gjatë periudhave të fundit që pas identifikimit të krizës së rëndë të borxhit grek. BE do të mbajë një samit më 23 tetor për të miratuar më shumë masa kundër krizës së borxhit.
Presidenti i Komisionit Europian kishte shprehur dje besimin, para votimit, se Sllovakia do ta ratifikonte marrëveshjen europiane, dhe se më pas nuk do të ishte problem që vendet të takoheshin më 23 tetor.
Takimi
Kryeministri grek, Jorgo Papandreu, gjatë takimit me presidentin e BE-së, Herman Van Rompuy, ka theksuar nevojën për një zgjidhje të përhershme dhe të plotë të krizës së borxhit në eurozonë. “Bashkohem me ata që flasin për një zgjidhje europiane”, tha Papandreu, duke garantuar se vendi i tij do të ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme. “Jemi të vendosur për të bërë ndryshime të dhimbshme”, theksoi Kryeministri grek.
Pagat
BE ka kërkuar që Greqia të ulë pagën minimale, që sipas tyre është më e larta në Europë, krahasuar me vendet anëtare që kanë të njëjtin nivel jetese. Përfaqësuesi i KE-së në krye të trojkës financiare për Greqinë, Matias Mors, tha dje për të përditshmen “Kathimerini” se “situata ekonomike në Greqi është më e rëndë se ajo e vendeve anëtare të BE-së, ndërsa paga minimale është më e lartë, në raport me vendet anëtare me të njëjtin nivel ekonomik”.











