Në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë ka marrë pjesë edhe eurodeputetja gjermane Jutta Paulus, e cila shprehu mbështetjen për qytetarët që kundërshtojnë projektet që, sipas tyre, dëmtojnë mjedisin dhe favorizojnë interesa private.
Në fjalën e saj, Paulus vlerësoi rezistencën e protestuesve dhe tha se zëri i tyre do të dëgjohet edhe në institucionet e Bashkimit Evropian.
“Natyra shqiptare është shumë e bukur dhe e mrekullueshme. Është frymëzuese t’ju shoh që luftoni për natyrën, për flamingot dhe kundër oligarkëve që duan ta shkatërrojnë atë. Ne jemi këtu për t’ju mbështetur në këtë betejë dhe do ta përcjellim zërin tuaj në Bruksel. Do të themi se Shqipëria nuk është në shitje dhe se natyra nuk është në shitje,” deklaroi eurodeputetja.
Ajo theksoi se rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian kalon përmes respektimit të ligjit dhe mbrojtjes së interesit publik.
“Ju po luftoni për vendin tuaj, por edhe për të drejtat tuaja, për t’u dëgjuar. Këto janë vlera të Bashkimit Evropian. Nëse Shqipëria do të bëhet pjesë e BE-së, gjë që ju e meritoni, atëherë qeveria duhet të ndryshojë ligjet që janë bërë për miliarderët dhe jo për të mirën e qytetarëve, por për interesat e tyre dhe të miqve të tyre. Ju falënderoj për këtë protestë, edhe pse qeveria përpiqet t’ju frikësojë dhe t’ju largojë nga të drejtat tuaja,” u shpreh Paulus.
Në fund të fjalës së saj, eurodeputetja bëri një deklaratë lidhur me procesin e votimit të amendamentit në Parlamentin Evropian për zonat e mbrojtura, duke pretenduar se kishte marrë një email nga kryeministri Edi Rama.
“Tineke e përmendi rezolutën që kërkonte një moratorium. Unë mora një email nga Edi Rama, i cili më kërkonte të mos votoja një amendament. Por, sigurisht, ne votuam pro atij amendamenti, sepse ligji evropian duhet të respektohet dhe nuk është në shitje. Vazhdoni betejën tuaj. Ne do të bëjmë më të mirën për ta mbështetur zërin tuaj në Bruksel. Shqiptarët meritojnë më shumë se qeveria e tyre,” deklaroi Paulus.
© Panorama.al












