Eurodeputetja greke Vula Tsetsi iu bashkua mesazheve të mbështetjes nga Parlamenti Evropian për protestuesit, duke marrë fjalën në ditën e 30-të të protestës para Kryeministrisë.
Në fjalimin e saj, Tsetsi deklaroi se protesta ka kaluar kufijtë e Shqipërisë dhe tashmë po ndiqet me vëmendje edhe në institucionet evropiane.
“Sot shënoni 30 ditë protestë dhe falë jush ajo që po ndodh nuk njihet vetëm në Bashkimin Evropian, por edhe më gjerë në gjithë botën. Ju përgëzoj! Gjithçka që kërkoni është rezultat i qëndresës suaj, sepse nuk po mbroni vetëm natyrën tuaj. Shqipëria nuk është në shitje. Ju po mbroni të drejtat tuaja, dinjitetin tuaj, shtetin tuaj dhe perspektivën evropiane të vendit,” u shpreh eurodeputetja.
Ajo theksoi se procesi i integrimit evropian nuk mund të ecë përpara nëse, sipas saj, qeveria nuk respekton zërin e qytetarëve.
“Nuk mund të ketë zgjerim të Bashkimit Evropian me Shqipërinë nëse Edi Rama e shet vendin tek të huajt dhe nuk dëgjon zërin tuaj. Mbi 90 për qind e shqiptarëve besojnë te projekti evropian dhe këtë besim ne duam ta respektojmë. Duam që Komisioni Evropian të ushtrojë presion ndaj Ramës që të tërhiqet nga këto politika,” deklaroi Tsetsi.
Në fund të fjalës së saj, eurodeputetja iu drejtua edhe familjes politike socialdemokrate në Evropë, duke kërkuar reagim ndaj zhvillimeve në Shqipëri.
“Duhet t’u bëjmë thirrje edhe miqve tanë socialdemokratë, pasi Rama i përket kësaj familjeje politike. Ata duhet të zgjohen dhe t’ju mbështesin. Mos u dorëzoni. Çdo ditë është një ditë fitoreje, jo vetëm për demokracinë, por edhe për ju dhe për ne, sepse Shqipëria duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian,” përfundoi ajo.
© Panorama.al











