BERLIN- Kancelarja gjermane, Angela Merkel raportohet se ka hedhur në qarkullim idenë që Greqia të mbajë një referendum nëse grekët duan të qëndrojnë në Eurozonë, pas zgjedhjeve të përgjithshme të muajit të ardhshëm.
Zyra e kryeministrit grek tha se Merkel ka bërë propozimin gjatë bisedës telefonike me presidentin Karolos Papulias. Kryeministria po ashtu ka thënë se kjo është përtej përgjegjësive të qeverisë së përkohshme, e cila do të jetë në detyrë deri në zgjedhjet e 17 qershorit.
Këto të fundit do të zhvillohen pas dështimeve të partive politike për të formuar koalicionin qeveritar pas zgjedhjeve të 6 majit.
Por agjencitë ndërkombëtare të lajmeve, vetëm pak më vonë njoftuan se një zëdhënës i qeverisë gjermane i ka cilësuar pohimet “e pavërtetë”.
Pasiguria për të ardhmen politike të Greqisë ka tronditur tregjet financiare dhe ka nxitur spekulime se Greqia mund të largohet nga Eurozona.
© Panorama.al











