YMER DELIALLIASI
Një nga problemet më të ndjeshme, për të mos thënë problemi më i rëndësishëm i shekullit, është ruajtja e mjedisit. Vendet e zhvilluara dhe me traditë kanë vënë kushte dhe standarde të reja lidhur me atë që quhet “Green Building”, për atë që në kuptimin më të thjeshtë është një mjedis më i shëndetshëm dhe më i sigurt. Kjo kërkon rritjen e eficiencës së shfrytëzimit të burimeve energjetike natyrale dhe artificiale, riciklimin, si një proces që ka të bëjë me pastrimin e mikroklimës dhe ruajtjen e mjedisit në mënyrë të veçantë në qendrat e banuara. Pa dyshim, urbanistika dhe arkitektura zënë një nga vendet më me peshë në trajtimin e këtij problemi jetik.
Duke qenë në distancë, por dhe duke qëndruar herë pas here për kohë të gjatë në Shqipëri, si teknicien, jam i ndjeshëm kur flitet për probleme të arkitekturës, me të cilat jam në kontakt të vazhdueshëm.
Edhe Urbanistika dhe Arkitektura duhet të flasin shqip
Shpesh dëgjojmë nga komentuesit, pse jo dhe profesionistë të fushës, që për zhvillimin urban të bëhen krahasime me Parisin, Romën, Athinën etj. Kjo, për mendimin tim, është e gabuar. Çdo zhvillim urbanistiko-arkitektonik në botë ka karakteristikat individuale, specifike, që pasqyrojnë zhvillimin historiko – shoqëror, i ndryshëm nga një vend në tjetrin. Kjo nuk është se s’dihet nga ata që diskutojnë, pasi shumica janë njerëz të respektuar për kulturën e tyre, por, sipas meje, përdoret qëllimshëm për të justifikuar atë që bëhet ashtu si nuk duhet të bëhet.
Një grup arkitektësh amerikanë, miq të mi, më shprehën dëshirën për të vizituar Shqipërinë, madje njëri syresh, më kureshtari, kish qenë në vitet ‘80 deri në kufi dhe atje e kishin kthyer mbrapsht pasi s’kish pranuar të qethte flokët e gjatë (absurditet i regjimit që lamë). I pyeta se çfarë ishin kureshtarë të shihnin. Përgjigjja: Të veçantën e Shqipërisë. Monumentet historike dhe arkeologjike, natyrën, trashëgiminë kulturore…. Si specialistë të arkitekturës të shohim si janë zgjidhur apo menduar zhvillimet urbanistike dhe arkitektonike në periudhën post-komuniste.
Veçanërisht për kërkesën e dytë u vura në vështirësi. Për fat të keq, individualitetin, të veçantën atraktive, e shohim shumë pak, për të mos thënë fare, në ndërtimet e 20 viteve të fundit, përjashto interierët e disa restoranteve tradicionale. Sigurisht që kjo duhet të ndryshojë sa më parë, sidomos kur turizmi konsiderohet si prioritet i zhvillimit të vendit.
Planet pjesore, deri kur…
Në shumë raste, studimet urbanistike ose nuk ekzistojnë, ose janë të periudhës komuniste, ose janë “pjesore”, që sipas meje, më për shtat do t’i shkonte: studime spekuluese.
Nën mburojën e pavarësisë së pushtetit lokal, sot, pothuaj kudo në mbarë Shqipërinë, ndërtohet mbi studime pjesore urbanistike të miratuara nga KRRT-të, shpesh joprofesionale, plane, që “thërrmojnë” dhe shkatërrojnë zhvillimin dhe perspektivën shkencore të qyteteve, duke eliminuar pamjen tërësore të problematikave të zhvillimit, duke mbyllur zhvillimin perspektiv të qendrave të banuara dhe, çfarë është më e keqja, duke bërë shpesh dëme të pariparueshme. Këtë e shohim në Tiranë e Durrës ku këto plane kanë dëmtuar trashëgiminë, individualitetet dhe të veçantën. Më thoni cili qytetar nuk bëhet me “dhimbje koke” kur sheh kullën ngritur në krah të djathtë të sheshit para Bashkisë së Durrësit? Mjafton vetëm kaq për të kuptuar dëmin që i është bërë arkitekturës së këtij qyteti antik. E njëjta gjë me kullën në Tiranë, që kafshon varrin e Et’hem Beut, apo të tjera, e të tjera që s’numërohen gjatë vijës bregdetare.
Por çfarë duhet bërë? A mund të zgjidhet çështja e planeve rregulluese me vendimet e këtyre farë KRRT-ve, apo me konkurse ndërkombëtare? Sigurisht që jo. Bashkitë me drejtoritë urbanistike anemike, nuk kanë as kapacitetin fizik e as atë intelektual. Ato e kanë të pamundur të menaxhojnë problemet komplekse që mbart një studim urbanistik. Këtë e tregon më së miri dhe fakti që për dymbëdhjetë vjet Bashkia e Tiranës, me e fuqishmja në vend, nuk arriti të finalizojë dot planin urbanistik rregullues.
Për të disiplinuar këtë amulli urbane dhe koordinuar zhvillimin shkencor të saj, një tjetër zgjidhe kërkohet: nevoja e institucionalizimit të Institutit Kombëtar të Urbanistikës dhe Arkitekturës. Institucion ky tekniko-legjislativ që duhet të ketë status të pavarur, të jetë fuqiplotë në marrje vendimesh, sikurse gjykata, t’u paraprijë studimeve urbanistike në të gjithë kompleksitetin dhe të ruajë individualitetin sipas çdo qyteti apo qendre të banuar, duke hartuar standardet kombëtare që mungojnë, ose janë pjesore. Vetëm pas këtyre studimeve nga specialistët shqiptarë, si njohës më të mirë të traditës, mund të organizohen konkurse, qofshin kombëtare apo ndërkombëtare, pasi në këtë fazë projekti është krijimtari e mbyllur, bazuar mbi studimin dhe kërkesat e detyrës së projektimit.
A ka shpresë Tirana “GRI”?
Në Shqipëri, në çdo bashki, prioritet janë lejet e ndërtimit. Por a duhet të jetë në të vërtetë kështu? Mbështetur në eksperiencën time 16-vjeçare në SHBA, lejet e ndërtimit ndoshta duhet të jenë prioriteti i fundit. Kur ekziston plani urbanistik, kryesore është mirëmbajtja, gjelbërimi, pastrimi, kanalizimet, rrugët, sheshet, parkimet, arsimi e kultura publike, si dhe sistemi fiskal nxitës për zhvillimin e bizneseve dhe qytetit. Nëse ekziston një plan urbanistik, ndërtimet e reja do të ishin të planifikuara sipas zonimit funksional dhe nuk do të donin vëmendjen kryesore. Sipas studimit, ndërtimet e reja do të ishin problem i zgjidhur që do të kërkonte vetëm qenien konform kodeve dhe standardeve shtetërore dhe lokale.
Pra themeli është një studim urbanistik i mirë, i cili kërkon një analizë dhe studim të thellë të gjendjes ekzistuese nga pikëpamja e trashëgimisë kulturore, vlerave historike dhe kombëtare, koncepteve paraardhëse të planeve të realizuara si dhe, ç’është më e rëndësishmja, konsiderimin e zhvillimit perspektiv, minimumi 50-vjeçar, ekomomiko-politik, demografik, mjedisor, infrastrukturor të transportit dhe komunikacionit. Vend të rëndësishëm në objektivin e studimit urbanistik zë zonimi funksional i qytetit, i cili përcakton drejt sipërfaqet e ndërtimit dhe funksionin që do të ketë çdo sipërfaqe në lidhje me faktorët e tjerë përbërës urbanistikë.
Ky studim do të zgjidhte sa dhe ku duhen shkollat, kinematë, sheshet e lojërave, parkingjet, parqet, mikroqendrat e shërbimeve publike e shëndetësore etj. Pra të gjithë aksesorët për funksionimin e një jete normale e të shëndetshme në komunitet.
Konceptit apo metodës “Rama”, pavarësisht nga dëshira që ai mund të ketë pasur, i mungon rregulli bazë i të operuarit, pra kryerja e këtij studimi. Edhe nëse nuk do t’i premtonte koha, apo do të ishte i detyruar të operonte nën presionin demografik në rritje të shtimit intensiv të popullsisë, duhej të fillohej me krijimin e mikrozonave të banuara urbane, në periferi të Tiranës dhe zonimin funksional dhe jo me studimet pjesore në qendër, të cilat kanë krijuar një situatë të pariparueshme. Veç kësaj, duke spekuluar me zgjidhjet e arkitektëve të huaj, zgjidhjet gjoja të padiskutueshme dhe autoritare të tyre, është lënë mënjanë origjinaliteti, e veçanta, ajo që është shqiptare.
Rama ka pasur kohë më parë dhe ide të lavdërueshme, lyerja e ndërtesave ekzistuese, rikonstruksioni i kopshteve dhe shkollave, fasadat e dyqaneve apo krijimi i korsive për biçikleta, pavarësisht se këto të fundit nuk ka mundur t’i realizojë plotësisht. Por, ka pasur dhe shumë mangësi. Jo pak, por 50 të tilla ia numëroi publikisht së fundi Artan Lame. Nëse do të kishte një studim urbanistik për Tiranën, si dhe një plan të detajuar operimi, pas 12 vjetësh këto probleme duhet të ishin zgjidhur. Por, sikurse e pohoi dhe vetë z. Rama në konferencën e fundit për demokracinë në Itali, momentet kulmore gjatë karrierës së tij ishin prishjet buzë Lanës dhe ngjyrosja e fasadave, duke mos përmendur zgjidhje urbanistike e funksionale të qytetit apo filozofitë e perspektivës, çka ishte dhe thelbi për të cilin ishte ftuar në konferencë.
Pavarësisht ndërtesave dinjitoze të ngritura nga biznesi i ndërtimit, lejet e ndërtimit, në të shumtën e rasteve kanë qenë krejtësisht të gabuara, të pastudiuara në planin tërësor të zhvillimit të qytetit. Në këtë kontekst, dëmi është shumë i madh dhe i vështirë, për të mos thënë vende-vende i pariparueshëm. Prirja ka qenë sasia dhe jo cilësia. Betonizimi dhe amullia, ndotja e pakontrolluar nga transporti kanë bërë që mikroklima e Tiranës të përkeqësohet. Të bëhet e pashëndetshme si rrjedhojë e absorbimit të madh të temperaturave nga betonet dhe mungesa e pastrimit të ajrit nga gjelbërimi i pamjaftueshëm. Kjo do të bëjë (madje tendenca ka filluar) që zonat e banuara të Tiranës të jenë më të preferuara në periferi se në qendër, aq më tepër nëse flitet për krijimin në perspektivë të një megalopolis që do të lidhe Tiranën me Durrësin.
Por a ka shpresë Tirana? Kjo është pyetja që po ngrihet, sidomos ditët e fundit. Sipas opinionit tim, pas një pune 12-vjeçare, ajo çfarë zoti Rama mund të jepte në “tablonë e Tiranës” ka përfunduar. Me gjithë pasionin e tij si piktor, sigurisht duke pasur mangësi në formimin urbanistiko-arkitektonik, ai nuk mundi t’i shmanget ngjyrës gri dhe vendosjeve kompozicionale shpeshherë të pakuptimta, kjo ose se kështu i pëlqen, ose se e shikon “vizatimin” bardhezi. Të krijohet përshtypja se ai ka alergji për ngjyrën jeshile. Këtë e vëren duke parë peizazhin e qytetit nga mali i Dajtit, apo kur e sheh Tiranën nga ndërtesat e larta.
Por, edhe nëse modifikon vizionin e tij, a ka zoti Rama kohë dhe pasion për ta korrigjuar e rifreskuar “Tablonë e tij të Tiranës”? Sipas mendimit tim, sigurisht që jo. Zoti Rama tashmë shfaqet në Bashki vetëm për ceremoni, kur jep “Çelësin” e Tiranës. Për më shumë se tre vjet gjithçka është në duart e çirakëve të tij, që për hir të së vërtetës, jo vetëm që janë jo specialistë, por dhe pa kompetenca. Me duar që i dridhen ata nuk kanë mundur të hedhin asnjë penelatë në “tablonë e Tiranës”, lënë pas dore nga Rama.
*Arkitekt, Massachusetts USA











