Ermal Mamaqi dhe Ervin Bejleri, në krah të Gjebresë tek “Kënga Magjike”

Nov 16, 2013 | 10:46

Ervin Bejleri dhe Ermal Mamaqi
Jemi mësuar gjithmonë ta shohim Ardit Gjebrenë të rrethuar nga dy partnere femra, që shpesh kanë qenë të huaja VIP dhe shumë seksi, duke e shoqëruar në tri netët finale të festivalit “Kënga Magjike”. Në këtë edicion të 15-të të netëve finale të “KM”, që pritet të organizohen në datat 27, 28, 29 në “Pallatin e Kongreseve”, Gjebrea do të ketë për herë të parë dy meshkuj, dhe të dy, aktorë humori, me qëllimin që në festival të ketë shumë situata komike. I pari është Ermal Mamaqi, i cili këtë vit nuk merr pjesë si konkurrent për të shfaqur talentin e tij si prezantues. Dhe i dyti është po ashtu një aktor humori, pikërisht Ervin Bejleri, i cili pas shkëputjes nga spektakli i “Portokalli” u shfaq si moderator i një show me kamera të fshehta, “Game Over” në “Vizion Plus”. Tashmë që prezantimi i këngëve pjesëmarrëse ka mbërritur drejt fundit, le të shohim se sa e fortë do të jetë gara në netët finale. 45 këngëtarët që do të kalojnë në gjysmëfinale, do të votojnë edhe këtë vit për njëri-tjetrin. Nga ky votim do të dalin 20 këngët finaliste në natën e fundit. “Edhe pse janë të paevitueshme miqësitë mes këngëtarëve ose edhe inatet e shprehura në votime, ky sistem ka rezultuar në një përqindje të madhe efikas në përcaktimin e renditjes të këngëve sipas vlerave të tyre, me pluset dhe minuset e veta”, kanë shpjeguar organizatorët në faqen zyrtare të “Kënga Magjike“ në facebook.

Mamaqi në premierën “Femrat” 
“Dashuria është një lojë, ku fiton ai që nuk do të luajë”, është motoja në posterin e premierës së serialit të ri “Femrat”, që u shfaq të enjten në mbrëmje në kinema “Imperial” në Tiranë. Ftesës së protagonistit kryesor të filmit, Ermal Mamaqit, në inaugurimin e eksperiencës së tij të parë në një film nuk i kishte thënë askush “Jo”. Paparaci ynë ka mundur të fotografojë shumë artistë dhe njerëz të njohur të të gjitha fushave për të parë këtë film, i cili nga data 15 nëntor do të shfaqet në të gjitha kinematë e Tiranës. Përveç fotove të realizuara në koktejlin e ofruar me këtë rast, paparaci ynë ka mundur të fotografojë të pranishmit në banerin e premierës. Ermal Mamaqi ka bërë dy poza speciale, një me partneren në jetë, Ami Toskën, një muaj pas sjelljes në jetë të djalit të tyre Joel, dhe një tjetër me Enxhi Çukun, partneren në këtë serial të ri. “Femrat” është një komedi romantike, e mbështetur në një temë intriguese, që tenton të eksplorojë marrëdhëniet mes meshkujve dhe femrave. Përmes personazhit kryesor, Rikut, një avokat divorcesh, Mamaqi sjell tipin e mashkullit që ka probleme të mëdha me përkushtimin pas një lidhjeje serioze. Por në fund të serialit do të shohim që Riku, ndonëse i shmanget, nuk mund t’i shpëtojë dashurisë që gjithmonë del aty ku nuk e kërkon, pikërisht vajza e quajtur Ada, që luhet nga Enxhi. Filmi është i pari i këtij lloji pas viteve ’90, me regji të Rudina Vojvodës dhe skenar të Koloreto Cukalit. Ky ishte ndër aktivitetet e para që çifti Ami dhe Ermali shfaqen të veshur shik dhe në formë së bashku pasi u bënë prindër.

© Panorama.al

Te lidhura