Ai do me patjetër tri pikë ndaj bjellorusëve dhe nëse këto vijnë falë këmbëve të tij, aq më mirë akoma. Gjithsesi, Bogdani thekson se nuk e shikon veten në krizë goli dhe as në presion për të shënuar me patjetër.
Trajneri ka grumbulluar vetëm dy sulmues të mirëfilltë për këtë ndeshje, ju dhe Salihin, mendoni se ka gabuar?
Nuk e di. Këtë pyetje duhet t’ia bëni trajnerit, dhe jo mua. Gjykoj, se si unë edhe Salihi, do të futemi në fushë për të bërë më të mirën e mundshme dhe për të shënuar. Bjellorusia është një skuadër sa modeste, po aq edhe e paparashikueshme, ndaj them se ne duhet të bëjmë mjaft kujdes. Mendoj se duhet të sulmojmë dhe të mund të shënojmë sa më shpejt, pasi vetëm në atë mënyrë mund t’i vëmë përpara. Tani, pak rëndësi ka nëse shënoj unë, apo Salihi, e rëndësishme është që ekipi të zhbllokohet dhe ne të mund të marrim një rezultat pozitiv, konsideruar edhe faktin se Bjellorusia është rivali direkt në grupin tonë.
Çfarë i mungon sulmit kuqezi për të shënuar më shumë?
Shikoni, është çështje organizimi të lojës. Kemi krijuar raste, ndoshta jo shumë, pasi është e pamundur që një skuadër të sulmojë për 90 minuta lojë, por jemi munduar të shfrytëzojmë në maksimum çdo mundësi që na është dhënë. Më thoni ju, kush e kishte parashikuar se kjo Bjellorusi nuk do të pësonte asnjë gol në katër ndeshjet e para, pra me këtë dua të them, se shumë gjëra nuk varen vetëm nga ne.
Nisur nga disa kritika në Itali, ndaj jush dhe nga zëvendësimi në ndeshjen e fundit ndaj Lacios, si ndihet Bogdani?
Për saktësim, ndaj Lacios jam zëvendësuar jo se nuk luajta mirë, por se kisha dhimbje barku dhe i kërkova vetë trajnerit që të zëvendësohesha. Për sa i përket tifozëve dhe kritikave që kam marrë, them se në asnjë rast nuk kam pasur probleme me ta, madje jam i sigurt se tifozët i kam në krahun tim. Por, duhet të kuptojmë se kampionati italian është mjaft i vështirë dhe se Çezena nuk është një skuadër që ka lojtarë tejet cilësorë. Gjithsesi, ka bërë një kampionat shumë të mirë, aq sa në këto momente ne i kemi shpëtuar rënies nga kategoria, nëse kampionati do përfundonte tani. Ndërkaq, do thosha që fizikisht ndihem mirë, paçka se më ka munguar goli. Por, mos harroni se edhe lojtarë të tjerë si Ibrahimoviç, Pato etj, kanë javë të tëra që nuk shënojnë gol. Ibrahimoviç ka 6 javë që nuk shënon një gol.
Do vinit bast për një barazim me Bjellorusinë?
Përgjithësisht jo. Megjithatë, nëse barazimi do të vinte falë një loje mjaft të mirë të skuadrës sonë, por thjesht nuk do kishim fat, atëherë edhe do të isha i kënaqur, pasi në fund të fundit do të kishim kënaqur tifozët me lojën tonë. Në të kundërt, jo, barazimi nuk na duhet.











