Duket se gazetarja e njohur Eni Vasili, nuk po arrin dot të bjerë në një marrëveshje të mirë pune, pas largimit të saj këtë verë nga televizioni AS. Pas gjashtë vitesh në këtë televizion, gazetarja ka bërë pushim gjatë verës, por duket se pushimi ka zgjatur më shumë seç pritej, ndërkohë që ka nisur tashmë sezoni i ri i programeve në televizion dhe Enin s’po e shohim askund. Gazetarja Eni Vasili u largua në prag të verës nga puna si drejtoreshë informacioni dhe moderatore e emisionit kryesisht politik «Studio e hapur», që transmetohej në televizionin «Albanian Screen», dikur Tv Alsat. Nuk diheshin arsyet e largimit të gazetares Vasili nga ky ekran, ndërkohë që ajo s’kishte firmosur ndonjë kontratë të re televizive me ndonjë televizion tjetër. Eni Vasili mbante së fundi postin e drejtoreshës së lajmeve në këtë televizion, ndërsa prej vitesh drejtonte emisionin «Studio e hapur», që ka qenë emisioni më i rëndësishem politik në AS. Ky emision nisi transmetimin më 7 nëntor 2005, si një debat i përjavshëm televiziv, çdo të martë në orën 20:30. Tashmë le të presim për të parë nëse Eni do ta vazhdojë emisionin «Studio e hapur» në një tjetër ekran, apo nëse do mund ta shohim në një projekt krejt të ri.











