Zbardhen emrat e personave të arrestuar pas arratisjes së të dënuarit Altin Ndocit nga spitali rajonal i Durrësit, ngjarje e ndodhur një ditë më parë, 13 janar, teksa ai bashkë me disa të burgosur të tjerë kishte shkuar për një vizitë mjekësore.
Gazetarja Kodiana Lala bën me dije se në kuadër të hetimeve janë vënë në pranga gjithsej tetë persona, mes tyre efektivë policie dhe staf shëndetësor, të dyshuar për shpërdorim detyre.
Të arrestuarit janë: Aulon Çuko, kryeinfermier në spitalin e Durrësit, Desdemon Pazaj, zëvendësshef i Policisë dhe pesë efektivë policie që shoqëronin të burgosurit, Dorjan Saraçi, Sal Ferollari, Preng Marvataj, Fatjon Baci, Aranit Çela.
Po ashtu, në pranga ka rënë edhe një grua, e identifikuar si Violeta Uka, e cila sipas gazetares Lala, është punonjëse e burgut të Durrësit.
Kujtojmë se efektivi Fatjon Baci është i njëjti efektiv, i cili vitin e kaluar është përfshirë në një tjetër episod të shqyrtuar nga drejtësia, por këtë herë me krye bashkiakun e arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj. Ky efektiv i ka dhënë telefonin e tij Veliajt në furgonin e burgut, teksa ky i fundit transportohej nga paraburgimi i Durrësit drejt ambienteve të SPAK në Tiranë.
PAMJET FILMIKE
Ndërkohë, janë publikuar pamjet që tregojnë momentin kur Altin Ndoci largohet me vrap nga ambientet e Spitalit të Durrësit, duke iu shmangur rojeve të sigurisë.
Në video, ai shihet duke vrapuar mes automjeteve në parkimin e spitalit dhe më pas zhduket pas një ndërtese, ku dyshohet se e priste një automjet tip “Audi”, me të cilin u arratis.
Panorama Online ka siguruar edhe pamjet filmike kur Altin Ndoci mbërriti në spital bashkë me të burgosur të tjerë, por siç shihet edhe në video, duket qartë se Ndoci zbret nga ambulanca i lirë, pa pranga, dhe më pas shoqërohet drejt godinës së spitalit nga efektivët.
Fakti që ai ndodhej pa masa sigurie fizike bie në kundërshti me rregulloren, pasi për shkak të rrezikshmërisë së tij, Ndoci duhej të ishte i prangosur gjatë gjithë kohës së shoqërimit.
Altin Ndoci i dyshuar për 4 vrasje
Altin Ndoci u arrestua në korrik 2020 gjatë operacionit “Plumbi i Artë”, si i dyshuar për vrasjen e 4 personave, fillimisht dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj në Durrës dhe ekzekutimin e dy personave të tjerë 2020 Anxhelo Avdija dhe Dorian Shkozën.
Por me 2 prill 2024, Gjykata e Posaçme pushoi të gjitha akuzat ndaj Altin Ndocit, përfshirë edhe dyshimi për vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdija, duke e shpallur të pafajshëm atë. Ishin dëshmitë e të arrestuarit, Klevis Alla, i cili e përfshiu Altin Ndocin në këto 4 vrasje por Gjykata e Posaçme nuk u bind nga këto dëshmi ç’ka bëri që të marrë pafajësinë.
Nga ana tjetër, për vrasjen e dy vëllezërve Haxhia, Gjykata e posaçme dënoi me 25 vite burg Klevis Allën. Megjithëse Altin Ndoci fitoi pafajësinë në vitin 2024 ai nuk mundi të dalë nga burgu, pasi SPAK ka ngritur akuza të tjera kundër tij, pas dëshmive të Nuredin Dumanit, i cili e përfshin në disa ngjarje të rënda.
Në dëshmitë e dhëna në SPAK nga i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, Klevis Alla dyshohet si pjesëmarrës në vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.
Gjithashtu Ndoci mbahej në burg edhe për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, shpërthyese dhe i municionit”, e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”.
© Panorama.al












