EMRAT/ Morën peng klienten dhe e dhunuan pasi i ktheu frigoriferin, arrestohen dy pronarë të dyqanit të elektorshtëpiakeve! 41-vjeçarja djeg policin me cigare

Jun 28, 2026 | 11:16

Dy persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se kanë kanosur një kliente, e kanë mbajtur peng dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë gjatë ndërhyrjes.

policia1

Ngjarja ka ndodhur në zonën e Ish-Doganës, ku janë arrestuar në flagrancë shtetasit Sefedin Ahmetaj, 63 vjeç, dhe Edjola Harunaj, 41 vjeçe, pronarë të një dyqani elektroshtëpiakesh.

Sipas Policisë, konflikti ka nisur pasi klientja kishte shkuar në dyqan për të kthyer një frigorifer banak, i cili, sipas saj, nuk funksiononte dhe kishte kërkuar rimbursimin e shumës së paguar.

Kërkesa e saj dyshohet se është kundërshtuar nga dy pronarët, të cilët më pas e kanë mbajtur kundër vullnetit të saj brenda ambienteve të subjektit. Sipas të dhënave paraprake, klientja është mbajtur dhe dhunuar në biznes për rreth dy orë.

Gjatë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë për sqarimin e situatës, shtetasja Edjola Harunaj dyshohet se ka goditur për shkak të detyrës një punonjës policie, duke i shkaktuar dëmtime të lehta.

Sipas të dhënave paraprake, ajo dyshohet se e ka djegur efektivin në dorë me cigare gjatë konfliktit.

Njoftimi: 

Kanosën, privuan lirinë e një klienteje dhe kundërshtuan e goditën punonjësit e Policisë gjatë kryerjes së detyrës, vihen në pranga 2 shtetas, pronarë të një dyqani.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan në flagrancë shtetasit S. A., 63 vjeç, dhe E. H., 41 vjeçe, pasi dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta me një kliente në një dyqan elektroshtëpiakesh në zonën e Ish-Doganës, e kanë kanosur, i kanë hequr lirinë duke e mbajtur kundër vullnetit të saj në ambientet e subjektit dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Gjatë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, këta shtetas kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë, ndërsa shtetasja E. H. dyshohet se ka goditur për shkak të detyrës një punonjës policie, duke i shkaktuar dëmtime të lehta.

© Panorama.al

Te lidhura