EMRAT/ Kontrollet në shtëpinë e Dhimitër Mecit, policia njoftim zyrtar: U gjetën kallashnikovë dhe qindra fishekë! Ja kush janë bashkëpunëtorët e 45-vjeçarit

Dec 11, 2025 | 18:40

Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me kontrollet e zhvilluara në banesën e 45-vjeçarit Dhimitër Meci në Gjirokastër, i ndaluar dy ditë më parë nga autoritetet greke, i dyshuar si vrasës me pagesë.

Dhimitër Meci (1)

Sipas bluve, në banesën e tij janë gjetur dhe sekuestruar 3 armë zjarri automatike, 200 fishekë kallashnikovi, 18 pako me fishekë pistolete dhe 5 krehra.

Policia njofton se me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të Dhimitër Mecit, 45 vjeç, banues në Labovën e Kryqit Gjirokastër; Andrea Brokeri, 32 vjeç, banues në Kudhës Himarë; Fatjon Prendi, 39 vjeç, banues në Lezhë; dhe Petro Theohari, 31 vjeç, banues në Muzinë Sarandë, të dyshuar si vrasës me pagesë, po vijon hetimet e thelluara duke u koordinuar dhe bashkëpunuar ngushtësisht me homologët grekë.

LEXO EDHE: FOTO/ I arrestuar në Greqi si pjesë e një grupi vrasësish me pagesë, zhvillohen kontrolle në shtëpinë e Dhimitër Mecit! Dyshime se 8 persona po përgatiteshin për atentat ndaj mafiozit grek

Sipas mediave greke, gjatë kontrollit, në banesë është gjetur vetëm nëna 84-vjeçare e tij, ndërsa dhoma e Dhimitër Mecit është gjetur e mbyllur me çelës.

Raportohet se policia greke dyshon se grupi prej 4 shqiptarësh e 4 grekësh, ishte përgatitur për kryerjen e një atentati ndaj një mafiozi grek në Pirea, ndoshta rreth Krishtlindjeve, ish bashkëpunëtor i Mihali Zampounit, i ekzekutuar më parë në atentat.

Sipas burimeve, ata e kishin ndjekur viktimën e radhës dhe po planifikonin goditjen, ndoshta me një nga armët e gjetura në një apartament në Marina Zeas të Greqisë.

Po ashtu, policia ka zbuluar se i njëjti grup, veç tentativës së vrasjes së Jani Lalës dhe djegies së një karburanti, ishte autor edhe vjedhjes së një automjeti në 22 korrik 2025, të cilit i kishin vendosur targa false.

Dhimitër Meci (2)

Policia e Shtetit

Finalizohet operacioni policor i koduar “Provat”.

Bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Greke çoi në zbulimin dhe sekuestrimin të një arsenali armësh zjarri dhe municioni luftarak.

Sekuestrohen 3 armë zjarri automatike, 200 fishekë kallashnikovi, 18 pako me fishekë pistolete dhe 5 krehra.

Armët dhe municioni luftarak u gjetën në një nga banesat e një prej të arrestuarve në Greqi, të dyshuar si vrasës me pagesë.

Në kuadër të bashkëpunimit mes Policisë shqiptare dhe Policisë greke, pas shkëmbimit të informacionit për kapjen e disa shtetasve shqiptarë në Greqi, të dyshuar si vrasës me pagesë, strukturat e Policisë së Shtetit në Gjirokastër, Vlorë dhe Lezhë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Provat”, zhvilluan kontrolle në banesat e këtyre shtetasve.

Si rezultat i kontrollit në fshatin Labovë e Kryqit, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër gjetën të fshehura, në banesën e shtetasit Dh. M., 45 vjeç, 2 kallashnikovë dhe një armë zjarri automatike, të dyshuar të trafikuar dhe qindra fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Armët e zjarrit, që u gjetën në banesën e 45-vjeçarit, i ndaluar 2 ditë më parë në Greqi, mbi akuza për vrasje dhe pjesëmarrje në grup kriminal që posedonte armë zjarri, do të dërgohen tek Instituti i Policisë Shkencore për ekspertim teknik.

Me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të shtetasve shqiptarë Dh. M., 45 vjeç, banues në Labovën e Kryqit Gjirokastër; Andrea Brokeri, 32 vjeç, banues në Kudhës Himarë; Fatjon Prendi , 39 vjeç, banues në Lezhë; dhe Petro Theohari, 31 vjeç, banues në Muzinë Sarandë, të dyshuar si vrasës me pagesë, strukturat e Departamentit të Policisë Kriminale, ato të DVP Gjirokastër, Vlorë e Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet e thelluara duke koordinuar dhe bashkëpunuar ngushtësisht me homologët grekë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

© Panorama.al

Te lidhura