Protesta masive e qytetarëve kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama ka hyrë sot në ditën e 42-të. Mijëra qytetarë pritet të dalin sërish në bulevardin përpara Kryeministrisë duke bërë thirrje për dorëheqje.
Atyre pritet t’ju bashkohen edhe shqiptarë nga diaspora, të cilët kanë treguar një mbështetje të madhe duke protestuar edhe në vendet ku jetojnë.
Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Në këto ditë qëndrimi në shesh, qytetarët kanë artikuluar problemet e ndryshme sociale dhe ekonomike me të cilat përballen përditë.
Protestuesit kanë kërkuar gjithashtu që të veprojë edhe drejtësia, ndërsa brohorasin sloganet “Qeveri e krimit”, “Rama në burg, Berisha në burg” etj.
Qeveria Rama është përballur së fundmi edhe me një tjetër skandal pasi dha 4 milionë euro nga fondi i rezervës për koncertin e Kanye West, që mbahet sot. Protestuesit e kanë cilësuar këtë veprim si të turpshëm në një kohë kur vendi ka nevojë për fonde në fusha të ndryshme që prekin njerëzit çdo ditë.
© Panorama.al











