
Shqipëria dhe Katari firmosën dje 8 marrëveshje që përfshijnë bashkëpunimin mes tyre në mbrojtjen e investimeve, bashkëpunimin në fushën e turizmit, në kulturë, në shërbimet ajrore dhe shmangien e tatimit të dyfishtë. Gjatë vizitës në Tiranë, delegacioni nga Katari i kryesuar nga sheiku Hamad Bin Khalifa Al-Thani, u takuan me Kryeministrin Sali Berisha dhe Presidentin Bamir Topi. Në takimin me kreun e qeverisë u evidentuan fushat në të cilat pritet që bashkëpunimi me projekte konkrete e të rëndësishme të shënojë një dimension të ri vitet në vijim. “Kështu, u ra dakord që në muajt dhe në vitet e ardhshme të fillojë me shpejtësi evidentimi, studimi, përgatitja dhe realizimi i projekteve të rëndësishme në fusha si ajo e turizmit bregdetar dhe malor, e infrastrukturës dhe importimit e shfrytëzimit të gazit të lëngshëm natyror, si për prodhim energjie elektrike, ashtu dhe për nevoja familjare. Gjithashtu, projekte të tjera të rëndësishme do të ketë në fushën e infrastrukturave portuale, të prodhimit të energjisë hidrike, të bujqësisë, arsimit, kulturës, sporteve etj., si dhe projekte infrastrukturore e turistike për kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën, në bashkëpunim me Bashkinë e këtij qyteti dhe kryebashkiakun Lulzim Basha”, thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë, në përfundim të takimit. Në mesditë, delegacioni i kryesuar nga emiri i Katarit u prit në Pallatin e Brigadave nga kreu i shtetit. “Duke folur për situatën e re në rajonin e Ballkanit, kryetari i shtetit i shprehu mirënjohjen emirit të shtetit të Katarit edhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar nevojën e rritjes së numrit të vendeve që mund ta njohin së afërmi Kosovën, pikë në të cilën shteti i Katarit mund të luajë një rol të rëndësishëm me influencën e vet”, thuhet në njoftimin e Presidencës. Në fund të takimit, Presidenti Topi dekoroi emirin e shtetit të Katarit me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, me motivacionin “Për merita të shquara në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shtetit të Katarit, si dhe për kontributin e vyer në shërbim të paqes e stabilitetit në arenën ndërkombëtare”. Në të njëjtën kohë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i akordoi sheikut Al-Thani titullin “Qytetar Nderi”. Në mbrëmje Emiri i Katarit u takua edhe me kryeparlamentaren Topalli ku në fokus të bisedës ishin mundësitë e forcimit të marrëdhënieve ekonomike, duke evidentuar hapësirat, që ekzistojnë për këtë bashkëpunim me interes reciprok.











