Emiljana Ciko: Të sfidosh meshkujt nga forca e muskujve!

Oct 23, 2011 | 14:06
Gjatë një momenti stërvitjeje në kodrat e Liqenit Artificial

Me një trup të lidhur, gjithë muskuj, duke shtyrë karrocën e bebes, ajo drejtohet në fushën e stërvitjes. Kampionia kombëtare dhe rekordmenia e hedhjes së çekiçit, Emiljana Ciko, na rrëfen për karrierën sportive, medaljet, por edhe familjen e saj që lindi në terrenet sportive

Takimi me të ishte mjaft interesant… Mbante Emanuelin e vogël ndër duar dhe e ushqente me qumësht gjiri. Sakrificë, nëne, gruaje apo femre, që në të tilla raste tingëllon ëmbël për nga misioni që ka marrë përsipër. Ndjeshmëria e saj për rolet në fjalë i ka dhënë forcën e patjetërsueshme për të sakrifikuar e fituar edhe “medalje të jetës”. Pas periudhës së lehonisë, 40 ditë pas lindjes, vendos të marrë me karrocë të birin dhe të drejtohet në ambientet e stadiumit “Qemal Stafa” për t’iu rikthyer peshës trupore dhe forcës fizike me të cilën do të përballej në disiplinën ku fati e ka drejtuar si zgjedhja e jetës. Vështirë apo jo, falë nënës së saj, e cila i bënte xhiro Emanuelit rreth stadiumit, për kampionen kombëtare të hedhjes së çekiçit, çdo hapësirë e lirë është në funksion të ngritjes së peshave, në palestrën ku përpiqet të thyejë rekordet e reja fizike…
Ndodh që disa të dhëna njeriu i përfton gjatë përvojës së jetës, ashtu siç ndodh që disa të tjera lindin bashkë me të. Nëse, nuk do të ishte për syrin e mprehtë të trajnerit të hedhjeve Vaso Selenica, me siguri që Emiljana Ciko do të vijonte të garonte si sportiste në disiplinën e atletikës. Por, trajneri spikati në fizikun e 18-vjeçares diçka ndryshe. Trupi i saj ishte i ngjashëm me pak të tjera përqark. Një fizik i mbushur, këmbë dhe krahë të formuar dhe plot muskuj, i shtonin bukurisë së syve bojë

Gjatë çasteve të marrjes së një medalje ari në kampionat kombëtar

qielli, më shumë doza maskiliteti. Pikërisht, ashtu siç trajneri i kish pohuar: Ti Emiljana ke lindur për të qenë sportiste e hedhjes së çekiçit. Kjo disiplinë kaq e veçantë nuk ishte e “prerë” për femra, më shumë sesa me të ishte identifikuar seksi i kundërt. Muskujt e formësuar qartë në krahë apo tek kofshët, ku edhe rëndon e gjithë pesha fizike, shumë shpejt u kthyen në asetet e Emiljanës 18-vjeçare. Në provën e parë do të rrëmbente brenda pak minutash kategorinë superiore, duke e kaluar pragun e fitores, ashtu siç vetëm një vit më pas do të shpallej kampione kombëtare për femra në hedhjen e çekiçit. “Fillimisht e kam nisur me atletikën. Një sport që zhvillohej në pistë, e që lypte më tepër përqendrim sesa forcë fizike. Përfshirja ime në disiplinën e hedhjes së gjyles ka qenë krejt e rastësishme, por që shumë shpejt u bë pjesë e jetës sime. Është vërtet një sport burrëror, dhe jo aq delikat sa gjinitë e tjera, por mua ky detaj më bëri për vete. Gjithnjë jam dalluar për tipin tim prej djali. Në klasë të tetë grushtohesha thuajse me të gjithë djemtë e klasës… Kam  qenë 18 vjeçe kur garova për klubin sportiv të Vllaznisë, ishte hera ime e parë si konkurrente. Fitova kategorinë e parë, duke superuar kufirin e 42 metrave. Kapa 44 metra. Ndërsa, një vit më vonë, theva rekordin në disiplinën e hedhjes së çekiçit në kampionatin kombëtar të hedhjes së çekiçit. E kalova pragun e 48 metrave, duke fituar 51 metra. Kjo më shpalli kampione kombëtare, titull të cilin e mbaj edhe aktualisht”, pohon Ciko.
Brenda kafazit të ngushtë prej një metri katror, të rrethuar nga tela të lartë prej hekuri, ajo harron gjithfarë ndikimesh nga faktorë të jashtëm. Asnjë problem familjar apo shqetësim që mund t’i tërheqë vëmendjen, nuk vjen përpara angazhimit serioz dhe marrjes me gjylen e rëndë. Të stërviturit deri në pesë orë në ditë në palestër apo në terren të hapur, i kanë “vjedhur” shumë kohë nga përditshmëria e saj normale. Është pak të thuash që Emiljana nuk i rrok sfidat, sepse ajo ka lindur për të sfiduar. Në një disiplinë sportive ku femrat protagoniste numërohen me gishtat e njërës dorë, ndofta për hir të dozës burrërore lehtësisht të dukshme, o për forcën që duhet dëshmuar dhe talentin e lindur. “Kam zgjedhur një sport, që nuk del jashtë personalitetit tim. Të gjitha disiplinat kanë vështirësitë e tyre, por hedhja e çekiçit (gjyles) është edhe më e ndërlikuar. Është një garë që zhvillohet në një hapësirë tejet të kufizuar, që ka një rrezikshmëri të lartë edhe për jetën, mjafton vetëm një pakujdesi e çastit që të vritesh. Ka ndodhur që kur bënim stërvitje, ishin katër kafaze ku ushtroheshin të gjithë sportistët dhe, ndërkohë që unë bëja hedhjen dhe shkoja për të marrë çekiçin, sportisti tjetër hidhte çekiçin. Më ka shpëtuar minuta e fatit nga goditja në kokë, por kjo nuk më shtyu kurrsesi drejt braktisjes së këtij sporti që e kam fort për zemër”, vijon ajo.
Për kampionen kombëtare të hedhjes së çekiçit, edhe zgjedhja e njeriut të jetës nuk e kaloi pragun e sportit. Me Sokol Bishanakun, bashkëshortin e saj, njëherësh kampion i peshëngritjes, janë njohur gjatë stërvitjeve të përditshme në palestër. Tipi i hedhur prej djaloshi të pabindur ishte detaji që e bëri për vete Sokolin. Do të duhej shumë këmbëngulje nga ana e tij, për të bindur vajzën moskokëçarëse që për nga fuqia e muskujve mund të matej edhe me të. Por, terreni i përbashkët gjatë stërvitjes dhe sporti, do të “pagëzonin” lidhjen e tyre të dashurisë. Fryt i ndjenjës së tyre do të ishte

Emijana me djalin e saj, Samuelin

djali i parë Samueli, i cili do të rritej shumë shpejt në ambientet e palestrave sportive apo fushave të hapura ku zhvilloheshin kampionatet. Karroca e bebes e ka shoqëruar thuajse në gjithë fazat përgatitore apo sfidat e hapura. Vetëm të qarat e Samuelit apo të Emanuelit të vogël, djalit të dytë vetëm disaditësh, e spostojnë kampionen nga kafazi i stërvitjes drejt ushqyerjes apo ndërrimit të rrobave të të voglit. E në rastet e tjera, i duhet t’i falet mamasë për t’i besuar fëmijët, teksa ajo merret me stërvitjet e gjata. Nëse kjo quhet sakrificë, për 33-vjeçaren vështirë të gjendet emërtim tjetër. Përtej identitetit sportiv apo atij familjar si bashkëshorte dhe si nënë, ekziston edhe pjesa e feminilitetit, të cilën Emiljana e ka përqafuar në dozë të reduktuar. Karakteri sportiv dhe disiplina e veçantë janë disa prej arsyeve, ndërsa ajo rreket të shpjegojë se “Feminiliteti nuk ka qenë asnjëherë qëllim imi. Flokët e krehur, sytë e lyer apo takat e larta… thuajse kanë dalë jashtë përdorimit, që në momentin e parë kur u përfshiva në këtë lloj sporti. Asnjë përçapje tjetër për dukjen time femërore nuk mund të dilte përpara pasionit dhe marrjes me gjylen e rëndë. Gjithsesi, dozat e mia të mashkulloritetit nuk e penguan Sokolin që të hidhte sytë nga unë. Forca fizike apo trupi i mbushur me muskuj nuk më penguan që të realizohesha edhe në aspektin familjar, si grua apo si nënë e dy djemve. Për sa kohë që kjo disiplinë i përshtatet karakterit tim dhe nuk më detyron të dal nga vetja, e pranoj me shumë kënaqësi dhe në çdo kohë jap maksimumin tim”.

ERMIRA ISUFAJ

© Panorama.al

Te lidhura