Emërimet, Demi kundër kryedeputetëve të PD

Oct 4, 2011 | 10:41
Leonard Demi

Deputetët e Partisë Demokratike ngrenë zërin kundër emërimeve në rrethe nga kryetarët e grupeve të punës. Kur ka nisur viti i tretë i mandatit të dytë të koalicionit të djathtë, të udhëhequr nga PD-ja, deputetët reagojnë ndaj emrave të zgjedhur për postet kyçe në zona të caktuara. Ka qenë deputeti i qarkut të Vlorës, kryetari i Komisionit të Sigurisë së Kombëtare, Leonard Demi, i cili në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar demokrat ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj emërimeve jotransparente, por pa përmendur emra konkretë. Fillimisht ka qenë Kryeministri Sali Berisha, i cili në pjesën me dyer të mbyllura të Grupit u ka kërkuar deputetëve të dalin në zonat e tyre për të shpjeguar përfitimet nga ana ekonomike e mbjelljes së arrorëve. Pas tij ka folur deputeti Demi, i cili është shprehur se “lidhur me këtë proces mund të ketë abuzime për shkak të një lidhjeje të fortë mes kryetarëve të grupeve të punës dhe kryetarëve të PD-së nëpër rrethe. Kjo lidhje mes tyre nuk u jep aspak hapësirë deputetëve. Përgjithësisht kjo marrëdhënie ka ecur mirë, por në disa raste ka munguar transparenca e emërimeve”. Menjëherë pas tij ka folur Kryeministri Berisha, i cili e ka mbështetur parimisht shqetësimin e deputetit të Sarandës. “Unë e kam hedhur si ide edhe më parë dhe mund të ketë ndryshime të kryetarëve të grupeve të punës për shkak se ata kanë drejtuar grupet në dy palë zgjedhje, në 2009-n dhe 2011-n”, mësohet të ketë thënë Kryeministri.
Kryetarët në qarqe
Ndarja në grupe pune përpara një procesi zgjedhor u bë në vitin 2009 në PD, pas ndryshimit të sistemit zgjedhor nga maxhoritari i korrektuar me proporcional, në proporcional rajonal. Dalja me një listë në bazë të qarkut bëri që deputetët e një rajoni të drejtoheshin nga një kryetar i zgjedhur nga Kryesia e partisë. Kryetari i grupit të punës nuk është një organizëm i përcaktuar në Statutin e Partisë Demokratike, por, në fakt, në terren ai ka kompetenca shumë të mëdha. Përveçse udhëheq listën e deputetëve në një periudhë të fushatës elektorale, kryetari i grupit të punës ka një rol të rëndësishëm gjatë periudhës së qeverisjes. Konkretisht, çdo deputet ka përgjegjësi për rrethin e tij, ku ka zhvilluar edhe fushatën elektorale. Deputeti i dërgon kryetarit të grupit të punës emrat e mundshëm për postet në rrethe, në nivel drejtorësh dhe është pikërisht ai që hedh firmën e fundit për çdo propozim. Kjo kompetencë e pashkruar që u është dhënë krerëve të grupeve të punës që ka nxitur pakënaqësi në radhët e deputetëve. Sa u përket 12 qarqeve, aktualisht Durrësi mbetet vakant për shkak se Ferdinand Xhaferri, i cili ishte deri tani, humbi zgjedhjet dhe nuk është anëtar i Kryesisë dhe vendin e tij mund ta zërë Eduard Halimi, ministër i Drejtësisë.

Krerët e grupeve të punës
.    Shkodër        Jozefina Topalli
.    Dibër            Jemin Gjana
.    Kukës            Flamur Noka
.    Lezhë            Edi Paloka
.    Durrës        Eduard Halimi
.    Elbasan        Arben Imami
.    Fier            Sokol Olldashi
.    Korçë            Ridvan Bode
.    Gjirokastër        Genc Ruli
.    Vlorë            Astrit Patozi
.    Berat            Genc Pollo

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura