Elton Deda: Jam kthyer në Shqipëri për muzikën, por s’kam ndër mend të braktis familjen

Oct 22, 2011 | 14:50

Kantautori flet për herë të parë pas rikthimit, pjesëmarrja në Festivalin e RTSH pas shumë vitesh, eksperienca te “The voice” dhe marrëdhënia me familjen

Nuk e ndien shkëputjen në kohë dhe shpesh i duket si një vazhdim i jetës aty ku e ka lënë. Edhe pse ka kaluar shtate vite larg Tiranës, jeta e re që krijoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ia ndryshoi qëllimet. Spektakli “Vokali” ishte një arsye për të sjellë në tregun e muzikës zërat e vërtetë, ku Elton Deda do të jetë një nga përzgjedhësit. Por kantautori i njohur i pas viteve ’90-të, si një artist që i zë vend zëri dhe fjala, kësaj here është rikthyer me një axhendë të plotë profesionale. Jep intervistën e parë në Tiranë për gazetën “Panorama”, ku flet për arsyen e rikthimit si konkurrent në Festivalin e RTSH-së pas 13 vitesh, projektet në muzikë, dhe jetën e tij private.
Rikthehesh të jetosh në Tiranë pas shtatë vitesh në SHBA. Ishte një vendim i menduar gjatë?
T’ju them të drejtën, ishte një vendim i marrë jo rastësisht nga unë, apo i nxituar. Përpara se t’i rikthehesha Tiranës, unë gjatë këtij viti që po mbyllet, e kisha frekuentuar shpesh. Kisha bërë kalkulimet e mia dhe mendoja që do gjeja terren të përshtatshëm për të punuar dhe kontribuar më tej në muzikë. T’i rikthehesh Tiranës, nuk është mëkat, përkundrazi është detyrim shpirtëror dhe artistik. Unë jam duke shpresuar dhe, madje duke besuar që është zgjedhje e mirë, sidomos pas një eksperience në një vend tjetër, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Koha do ta tregojë, tani për tani është ende herët për të folur.
Për çfarë kontributesh në muzikë bëhet fjalë? Mund të na zbulosh disa nga planet e tua?
Po si zakonisht, plane jo jashtëtokësore. Mendoj që Eltoni artist ka disa kritere të thjeshta, por kërkuese. Kontributi në muzikë fillon me pjesëmarrjen time nëpër aktivitete të ndryshme, që kanë lidhje direkte me muzikën, me koncerte, me mësimdhënie dhe me shumë angazhime të tjera. Po ashtu, lidhet me incizime në studio, produksione live, zbulim talentesh dhe ridrejtim i tyre në muzikë. Të shprehura me fjalë duken ndoshta pak, por puna për të arritur aty ku dëshiroj unë, ka për të qenë kolosale.
Ndërkohë që do i rikthehesh konkurrimit në Festivalin e 50-të të RTSH-së. Pas sa vitesh ringjitesh në atë skenë dhe pse?
Pyetje e drejtë dhe madje për shumë miq që më njohin, ka qenë shumë e papritur. Të them të drejtën, në shumë njerëz kam parë nënvleftësim për atë aktivitet dhe përse ta fsheh, unë i premtova vetes në vitin ‘98-të që nuk do merrja pjesë më në Festivalin e RTSH-së. Arsyeja dihet, si gjithmonë i zhgënjyer nga juritë apo nga filmat që mund të bëheshin aty. Kalova vite pa u interesuar për këtë aktivitet dhe ju betohem që nuk ndieja dhe nuk ndiej asnjë peng. Koha tregoi që këngët e mia jetuan gjatë, sepse unë dihet publikisht që nuk kam shkruar kurrë për çmim, megjithëse do isha gëzuar po të kisha marrë ndonjë të tillë në atë kohë.
Po tani, pas kaq vitesh, do i gëzoheshe një çmimi, apo tashmë i sheh gjërat ndryshe?
Jo, tani më pëlqen çmimi i publikut më shumë se i jurisë. E çuditshme si vijnë vitet. Gjithsesi, për pjesëmarrjen time ishte thjesht ftesa e mikut tim, Shpëtim Saraçi, për të marrë pjesë, për më tepër është 50-vjetori i Festivalit dhe dihet kontributi i babait tim aty, Ferdinand Dedës. M’u duk me vend që qoftë edhe për të nderuar figurën e tij të madhërishme, të merrja pjesë, qoftë edhe si konkurrent.
Dhe ç’mund të na tregosh për këngën me të cilën konkurron? Ku e gjete frymëzimin?
Poezinë e ka shkruar miku im i vjetër, Sokol Marsi. Unë mund ta shkruaja edhe vetë duke u besuar instinkteve të mia, por m’u duk e arsyeshme ta fusja miqësinë e vjetër në valle. Dhe Koli si zakonisht nuk zhgënjeu. Frymëzimi është diçka që nuk shpjegohet, ai thjesht vjen në momentin e duhur dhe qëllova që atë ditë isha te shtëpia e babait tim dhe e kisha pianon përballë. U ula, sistemova notat në kokën time dhe për një orë pothuajse ishte gati. Gjërat teknike i punova më vonë, ato kanë vendin e tyre, por asnjëherë si krijimtaria. Ajo del nga shpirti i artistit për të mos u kthyer kurrë mbrapsht, pasi u takon njerëzve.
Por shumë do të të kishin imagjinuar në juri me shumë sesa në skenë. Cila është më e vështirë për ty?
Kjo puna e jurisë s’më tërheq fare. Unë kam shumë gjëra për të dhënë ende, përse të kaloj në një burokrat që fryhet, ndërkohë që ende mund të përleshem me notat e muzikës dhe të performoj?! Unë jam muzikant dhe jo njeri i ditur, që të vlerësoj të tjerët. Motoja ime është “Gjithçka në shërbim të muzikës”, dhe prandaj pozicioni real e më komodi për mua është duke i rënë pianos në stage. Gjërat e tjera ia lëmë Eltonit kur të plaket dhe t’i dridhen duart. Tani për tani gëzoj formë të shkëlqyer artistike dhe s’kam ndër mend të lë stolin e pianos për atë të jurisë.
Ndërkohë që të shohim në jurinë e programit “Vokali” në “Top Channel”, duke iu rikthyer një eksperience të ngjashme si ajo e “Etheve”…
Kjo duhet saktësuar. Unë e pranova atë pozicion pikërisht sepse nuk është “juri”, por ne jemi pjesa më aktive bashkë me konkurrentët e “Vokalit”. Aty ne nuk jemi për të gjykuar djem e vajza, por për të punuar me ta, për t’i drejtuar, me ego, me ambicie dhe sigurisht me dashuri për këngën. Është krejtësisht gjë tjetër nga formatet e jurive që bënin gallatë me konkurrentët, këtu nuk mund të lejohet kurrë ajo gjë, pasi i bie të bëjmë gallatë me veten tonë. Unë personalisht ndihem shumë më rehat këtu, sesa në ndonjë vend tjetër. Këtu ka shumë aksion dhe ne, përveçse jemi trajnerë të këtyre të rinjve, do performojmë vetë shumë herë. Do këndojmë me ta, do këndojmë me njëri-tjetrin etj. Ka shumë ambient të këndshëm për një muzikant apo këngëtar.
Flet me kaq pasion, dikush mund të pyeste se si ka mundësi që Amerika s’e paska ndryshuar aspak Elton Dedën…
Unë shkova në atë vend, jo i vogël, jo i ri fare. Shkova në një periudhë që njihja shumë gjëra dhe kisha kaluar shumë në jetën time. Përveç përsosjes, ndryshimi do ishte vrasës. Jam munduar të jem edhe atje vetvetja, ndonëse me kosto të lartë, pasi dihet si është ai vend…i ashpër dhe tepër strikt. Megjithatë, pjesa pas punës ishte shumë qejf edhe atje. Për miqtë e mi që më njohin mirë, unë s’kam për të ndryshuar kurrë.
Dhe rikthehesh për ta vazhduar jetën aty ku e kishe lënë. Po Amerikën e le përgjithmonë?
“Përgjithmonë” është fjala më e rëndë që perceptoj, përfytyro; asnjëri nga ne nuk di saktësisht ditën e vdekjes, dhe marrim guximin të themi “përgjithmonë”. Kjo fjalë nuk duhet të ekzistojë në një vendosje të njeriut në hapësirë, pasi në këtë jetë gjëja më e sigurt që dihet, është që nuk dihet asgjë. Kështu që unë thjesht mundohem të marr jetën time hap pas hapi, sepse vërtet nuk e di se ç’do të ndodhë më tej, sado strategji të ketë njeriu. Sidomos duke menduar që kam më të shtrenjtin tim atje, djalin.
Ky rikthim do të të mbajë larg nga familja. Ishte i vështirë ky largim nga ata?
Largim? Tingëllon si braktisje, ndërkohë që unë as që e çoj atë gjë ndër mend. Njerëzit kanë dëshirë dhe ambicie të ndryshme në jetë, unë largohem tani, afrohem më vonë. Planet e mia nuk janë të përhershme. Por që të bëhem aq egoist saqë t’u propozoj një kthim atyre në Shqipëri, nuk do ta bëja dot. Jeta ime mund të jetë e ndarë mes dy kontinenteve, por kjo është një kosto që unë e kam marrë parasysh.
Do të thotë kjo që po i jep më shumë prioritet jetës personale?
Jeta ime personale në këtë moment as për mua nuk ka më pikë rëndësie. E vetmja gjë që më rreh truri dhe më merr energji, është si t’i shërbej më mirë muzikës. Kam aq shumë ide në kokë, punë për të bërë dhe akumulim nga 7 vjet në USA, saqë më rrëmben gjithçka.
Atëherë, a mund të cilësohet kjo një fazë e re në jetën tënde?
Them që po, pasi investimi që dua të bëj në Shqipëri, nuk do jetë i pakët apo afatshkurtër. Megjithatë, nga ngrohtësia e njerëzve, më duket disa herë sikur është ende vazhdimi i asaj që lashë. Nëse do vendos që të mos kthehem më në Amerikë, sigurisht që do ta merrni vesh menjëherë. Siç ju thashë, është herët për të folur me “përgjithmonë… “. Domethënë, unë dua të punoj dhe jo të shoh jetë personale, që, të them të drejtën, e njoh në të gjitha fazat.

KLOTILDA HARKA

© Panorama.al

Te lidhura