Ka filluar me muzikë që në moshë të vogël duke mësuar edhe studimet e para në piano, ndërsa më pas bëhet pjesë e festivaleve për fëmijë e më vonë në 2009 në ”Star Academy” fiton vendin e parë. Pas këtij spektakli, ajo regjistron këngën e parë me titull ”Si asnjëherë” në vitin 2011 duke rezultuar kështu shumë e pëlqyer. Askush nuk e priste fitoren e saj në festivalin ”Top Fest”, pasi në finale ishin emra shumë të njohur pretendentë për këtë çmim, por kënga ”S’je më” e Elhaida Danit bëri bujë të madhe duke fituar zemrat e publikut shqiptar, edhe pse në gusht të vitit të kaluar këngëtarja e re në spektaklin ”Suncane Skale” fiton çmimin për “Artisten e re”, ndërsa në festivalin ”Zlaten Kesten” në Petriç të Bullgarisë përzgjidhet si këngëtarja më e mirë e festivalit. Shumë e shumë suksese tani e presin talentin e ri të skenës shqiptare, ndërsa ajo këtë radhë vjen me një rrëfim për ”Panorama plus”, ku tregon edhe shumë gjëra të tjera.
Cilat ishin ndjesitë e konkurrimit në fillim dhe në momentin kur arrite në finale?
Kur konkurrova, e mora me sportivitet, kur mora vesh që isha në finale qava nga gëzimi se nuk e prisja edhe pse çdo kënëgëtar thellë-thellë e ka menduar njëherë “ah sikur ta fitoja”, por s’e besoja që “ah sikur-i” im do bëhëj realitet.
A mendon se ka pasur pakënaqësi për këtë fitore tënden?
Nuk kam arritur ende të marr feedback për pakënaqësitë, pasi deri tani kam pasur urime edhe nga kolegët-rivalë të festivalit.
Tani pas festivalit çfarë mendon, cilat janë planet e tua?
Do vazhdoj planin e këngës së re dhe klipit për sezonin e verës.
Kënga është ndonjë dedikim, kur e ke dëgjuar për herë të parë çfarë ke thënë me vete?
Më ka pëlqyer që kur kam dëgjuar demon dhe kam vazhduar ta dua akoma më shumë kur u bë teksti dhe shumë fare kur e regjistrova.
Ti besoj e di se fansat ndanin vendin e parë mes këngëtarëve të njohur…
Kur s’e besoja dhe prisja unë për vete, imagjino shumë të tjerë. Besoj se nuk do t’i zhgënjej në të ardhmen, dua ta meritoj besimin e tyre.
Ke pasur rastin të paraqitesh edhe jashtë Shqipërisë, s ndryshojnë emocionet para publikut shqiptar dhe atij të huaj?
Kam fituar 5 çmime të para ndërkombëtare 9 muajt e fundit, ama si jam ndier natën e së dielës kur është thënë emri im, s’jam ndier kurrë në jetë.











