ELBASAN – Plagoset me një plumb pistolete kamerierja 23-vjeçare e një lokali pranë universitetit “Aleksandër Xhuvani”, në Elbasan. E shtëna e armës shkaktoi panik te klientët, por dhe banorët e pallatit, në katin e parë të të cilit ndodhet lokali. Pas marrjes së informacionit, policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa 23-vjeçarja A.Thomai është transportuar menjëherë në spital nga një makinë e rastit në rrugë. Burime nga vendi i ngjarjes si edhe nga Policia pohojnë se një djalë i ri i identifikuar, rreth moshës 25-27 vjeç, ka qëlluar në drejtim të vajzës, e cila kishte nisur punën në këtë lokal vetëm 2 ditë më parë. Duke përfituar nga errësira në rrugë, i riu është larguar, ndërsa policia ka nisur kërkimet intensive për kapjen e tij. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:45 të mbrëmjes së djeshme, pak pasi autori kishte hyrë në lokalin e vogël poshtë pallatit në rrugën “Rinia”. Ai ka debatuar për rreth 3-4 minuta me vajzën e më pas ka qëlluar në distancë në drejtim të saj. Plumbi i vetëm e ka kapur në shpatull të renë, duke i përshkuar dhe qafën. Plaga e marrë, sipas mjekëve, vë në rrezik jetën e 23-vjeçares. Policia e Elbasanit zyrtarisht në një komunikatë për shtyp e ka etiketuar këtë ngjarje për motive banale. Megjithatë, nga të dhënat e siguruara pas plagosjes dyshohet se ajo mund të ketë ndodhur për motive xhelozie. Dyshohet se e plagosura ka pasur njohje të mëparshme me autorin. Sipas policisë, autori është i identifikuar dhe po punohet për kapjen e tij. Hetimet po vazhdojnë, ndërsa vajza ndodhet nën terapinë intensive të mjekëve. m.s











