ELBASAN – Fondacioni “Fëmijët shqiptarë”, me presidente znj.Liri Berisha, inauguroi dje në qytetin e Elbasanit një qendër për trajtimin e autizmit. Kjo qendër u hap me iniciativë të fondacionit, në bashkëpunim me qarkun e Elbasanit si dhe me mbështetjen financiare të kompanisë “Kurum”, në kuadër të fushatës 1-javore të sensibilizimit për ndërgjegjësimin e autizmit. Fondacioni mbështet profesionalisht këtë qendër si me metodat bashkëkohore, ashtu dhe me trajnime të ndryshme. Vlerësimi i fëmijëve nga ky qytet do të realizohet në qendrën “Fluturo për Jetën në Tiranë”, ndërsa trajtimi i tyre nga terapistët e Qendrës në Elbasan, nëpërmjet një plani trajtimi të përgatitur më parë nga grupi i vlerësimit. “Do të vazhdojmë të hapim qendra të tjera në qytete të ndryshme të Shqipërisë, për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve dhe familjeve me këtë çrregullim”, u shpreh zonja Berisha, duke shprehur falënderimin për kompaninë “Kurum”.











