ELBASAN – Arrestohet biznesmeni që akuzohet se ka përfituar 3.7 milionë dollarë nga shitjet me një kompani fiktive, të cilën nuk e kishte deklaruar pranë organeve tatimore. Burime zyrtare të Policisë së Shtetit thanë dje se, Vaid Tarja, pronar i shoqërive “U&E Managment”, “Alba-Clean” dhe “Silvio”, u arrestua me akuzat: “shpërdorim të kompetencave”, “fshehjes së të ardhurave” dhe “mospagimi i taksave dhe tatimeve”. Arrestimi i tij u krye në Tiranë, gjatë operacionit të koduar “Clean”. Sipas burimeve nga Policia mësohet se Vaid Tarja dyshohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme një shumë të konsiderueshme prej 3 705 555 USD, të cilën ka tentuar ta investojë në biznese të ligjshme, duke konsumuar kështu dhe veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale”. Arrestimi i tij u realizua pas një hetimi prej rreth një viti, me përdorim të metodave speciale të hetimit, të zhvilluar nga Drejtoria Kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit. Nga hetimet rezulton se gjatë ushtrimit të veprimtarisë të shoqërisë “U&E Managemant” sh.p.k., në shtator të vitit 2010 është realizuar një shitje në një vlerë prej 3 705 555 USD, shitje kjo e padeklaruar në organet tatimore. Gjatë kryerjes së veprimeve hetimore rezultoi se fshehja e shitjes ka qenë e qëllimshme për mosdeklarimin e të ardhurave, duke iu shmangur kështu dhe detyrimeve tatimore. Shuma rezultoi të jetë tërhequr nga Vaid Tarja, nga llogaritë bankare të shoqërisë “U&E Managemant”, duke qenë dhe në detyrën e administratorit të kësaj shoqërie.











