Ekstradohet vrasësi i policit

Apr 9, 2011 | 11:26
Fotaq Zaharia

Armando Begaj, i kërkuar për vrasjen e një polici në Vlorë dhe plagosjen e shefit të Krimeve në këtë qytet, u ekstradua dje nga Zvicra për të vuajtur dënimin në Shqipëri.Interpoli ka sjellë në Rinas 42-vjeçarin nga Berati, i cili dhjetë ditë më parë u arrestua në Bernë të Zvicrës. I ekstraduar, sipas të dhënave hetimore, për pesë vjet ka qenë “tmerri” i qytetarëve të Vlorës, pasi në bashkëpunim me të dënuarin Fotaq Zaharia, u përfshinë në grabitje, vrasje e pengmarrje. Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, Armando Begaj u arrestua më 28 mars të këtij viti dhe autoritetet shqiptare nxituan të plotësojnë dokumentacionin për ekstradimin e tij në Shqipëri. Të njëjtat burime sqaruan se Armando Begaj është dënuar në mungesë me 17 vjet burg për vrasjen e policit Esat Kamberi, ngjarje e ndodhur në vitin 2001 tek “Uji i Ftohtë” në Vlorë. Ndërsa për grabitjet e kryera në bashkëpunim me Fotaq Zaharinë, person tashmë i dënuar me 23 vjet burg, si dhe plagosjen e shefit të Krimeve të Vlorës, Gentian Musabelli, ai ende nuk ka marrë një vendim të formës së prerë.
VRASJA E POLICIT
Armando Begaj, banues në Berat, është dënuar nga drejtësia shqiptare për vrasjen e policit Esat Feimi, ngjarje e ndodhur më 9 shkurt të vitit 2001 në vendin e quajtur “Uji i Ftohtë”, ku autori punonte roje në një lokal. Ditën e vrasjes, pas një debati të rojës, në këtë rast ishte Armando Begaj, me një klient, pronari i lokalit, që ishte njëkohësisht punonjës policie, kishte ndërhyrë për t’i ndarë. Në kohën kur Begaj po përleshej ai ka nxjerrë armën dhe duke kërcënuar klientin e lokalit, vritet aksidentalisht punonjësi i policisë, Esat Kamberi. Policia e Vlorës arrestoi autorin e ngjarjes, por burgosja e tij nuk zgjati më shumë se 24 orë, pasi në qeli u njoh me Fotaq Zaharinë, i cili ndodhej në arrest për pengmarrje dhe gjobëvënie.
ARRATISJA
Në shkurt të vitit 2001, pasi Armando Begaj u arrestua për vrasjen e policit tek Uji i Ftohtë, ai, bashkë me Fotoq Zaharinë, kanë hapur murin e dhomave të paraburgimit të Komisariatit të Policisë së Vlorës dhe janë arratisur. Mënyra e zgjedhur prej tyre ka qenë një sasi e konsiderueshme ilaçi gjumi e injektuar në një kanoçe “Coca Cola”, që ata i kanë dhënë policit të shërbimit në dhomat e paraburgimit. Pas gjumit të thellë të policit, të arrestuarit nuk e patën të vështirë të punojnë të qetë për të shkatërruar murin e për të rifituar lirinë.

Plagosja e shefit të Krimeve

Pas arratisjes në vitin 2001 nga paraburgimi i Vlorës, Fotaq Zaharia dhe Armando Begaj për më shumë se pesë vite kryen disa krime dhe policia e forcat speciale u vunë disa herë në ndjekje të tyre, por pa arritur t’i arrestonin. Të dhënat informative flisnin se ata qëndronin të fshehur në fshatrat e Vlorës, kryesisht në Trevllazër, Mekat, Babicë, duke u shfaqur shpesh edhe si grabitës. Përballja e tyre me policinë ishte në vitin 2005, ku gjatë një grabitjeje tentuan të vrisnin shefin e Krimeve të Vlorës, Gentian Musabelliun, në fshatin Trevllazër. Oficeri i policisë mbeti i plagosur rëndë me armë zjarri, pasi plumbi e goditi në qafë, por arriti të mbijetojë.

17 vjet
burg është dënimi i dhënë nga gjykata, në mungesë, ndaj shtetasit Armando Begaj, i ekstraduar dje nga Zvicra, për të vuajtur dënimin në burgjet shqiptare

 

Etleva Delia

© Panorama.al

Te lidhura