Interpoli ekstradon nga Italia vrasësin e Naim Zyberit, personazhit të njohur si një prej të fortëve të Tiranës pas vitit ’90.
I ekstraduari është Gerd Gjenerali, 40 vjeç, i cili pas vrasjes së kryer 17 vjet më parë në Milano të Italisë e kishte ndryshuar mbiemrin në Gjinarari. Policia e Shtetit tha se ai është i dënuar me burgim të përjetshëm që prej vitit 1999 dhe tashmë do të vuajë dënimin në burgjet shqiptare, njësoj si bashkëpunëtori i tij në vrasjen e Zyberit, Arben Grori, i cili ndodhet në burg në Shqipëri. Grori dhe Gjenerali janë shpallur fajtorë nga Gjykata e Milanos dhe janë dënuar me burgim të përjetshëm, pasi më 6 gusht të vitit 1997 vranë në një spital në Milano Naim Zyberin, pasi e kishin plagosur më parë. Sipas autoriteteve italiane, Gjenerali kishte marrë pjesë edhe në plagosjen e Zyberit. Dyshohet se ishte ai që kaloi personelin e sigurisë në spital, duke e fshehur pistoletën me të cilën u krye krimi në një tufë me lule dhe dukë u thënë efektivëve të Policisë italiane se ishte mik i Zyberit. Arben Grori e akuzonte Zyberin për vrasjen e të vëllait të tij, Arturit, në korrik të vitit 1997.
EKSTRADIMI
Policia e Shtetit njoftoi dje se nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana u krye ekstradimi i shtetasit shqiptar nga Italia drejt vendit tonë, i dënuar në Itali me burgim të përjetshëm Gerd Gjinarari (Gjenerali), 40 vjeç. “Transferimi i këtij shtetasi bëhet pas njohjes nga ana e Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë të vendimit penal italian. Ky shtetas do vuajë dënimin në Shqipëri, pasi është i dënuar me burgim të përjetshëm nga Drejtësia italiane. Ky shtetas në vitin 1997 në Milano të Italisë ka qëlluar për vdekje me armë zjarri shtetasin shqiptar N.Z., duke konsumuar veprën penale të ‘vrasjes me paramendim në bashkëpunim’. Në aeroportin ‘Nënë Tereza’ në Rinas, ky shtetas iu dorëzua përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve”, thuhet në njoftimin zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Komunikata e Policisë në lidhje me ekstradimin e Gjeneralit nuk saktësonte se për cilin personazh bëhej fjalë, gjithashtu as emrin e personit që ai kishte vrarë dhe ishte dënuar. Por burime nga Interpoli dhe Policia e Tiranës saktësuan mbrëmë se i ekstraduar ishte Gerd Gjenerali, i cili në bashkëpunim me Arben Grorin kishin vrarë 17 vjet më parë një prej të fortëve të Tiranës, Naim Zyberin. Por pas ngjarjes, nëpërmjet familjarëve të tij në Tiranë, 40-vjeçari ishte kujdesuar që të ndryshonte mbiemrin në gjendjen civile dhe aktualisht njihej me mbiemrin Gjinarari, mbiemër që mbajnë edhe të gjithë pjesëtarët e tij të familjes, që po ashtu e kanë ndryshuar.
Naim Zyberi u vra në spital në Milano
Në fillim të viteve ’90, Naim Zyberi njihej si një nga të fortët e kryeqytetit, rival i fortë i një tjetër emri të njohur në Tiranë gjatë atyre viteve, Gaz Muça. Zyberi u ekzekutua më 6 gusht të vitit 1997 nga tre persona, dy prej të cilëve Arben Grori dhe Gerd Gjenerali. Zyberi në vitet e para të ’90-s kishte arritur të mblidhte rreth vetes një grup djemsh, të cilët, sipas mënyrës që kishin vetëpërcaktuar, bënin ligjin në lagjet e kryeqytetit. Ai u cilësua si një nga atentatorët e Gaz Muçës, ngjarje për të cilën edhe u arrestua bashkë me Franc Konomin, i cili nuk u mor vesh asnjëherë se si arriti jo vetëm të dilte nga burgu, por edhe t’i shpëtonte deri në vitin 2010 hakmarrjes së djemve të Rrugës Bardhyl. Pas hapjes së burgjeve në ’97-n, edhe Naim Zyberi si shumë të tjerë arritën të largoheshin nga qelitë duke rifituar lirinë. Por Zyberi nuk do t’i shpëtonte dot hakmarrjes për vrasjet e Artur Grorit dhe të Gaz Muçës. Ai u ndoq deri në Itali nga vëllai i Grorit, Arbeni dhe atentati i parë iu bë në një bar në Torino, vend ku Naim Zyberi mbeti i plagosur rëndë dhe, për këtë arsye, iu desh të qëndronte i shtruar në spital për disa kohë. Madje, për mjekim më të specializuar u dërgua në spitalin e Milanos. Fakti që Zyberi mbeti gjallë nuk bëri që autorët të dorëzohen. Më datë 6 gusht, Gerd Gjenerali, që mbante një tufe me lule në dorë, brenda të cilës kishte fshehur pistoletën dhe Arben Grori, bashkë me një person tjetër, futen në dhomën e spitalit ku ndodhej Zyberi dhe e qëllojnë aty për vdekje.
Vrasjet zinxhir mes grupeve
Në fillim të viteve ’90, një grup djemsh të rinj, mes të cilëve Gazmend Muça dhe Naim Zyberi, që kishin mbledhur rreth vetes edhe të tjerë, si Franc Konomi e Fatos Keta, konsideroheshin si të fortët e Tiranës. Por miqësia e tyre u prish për shkak të një sherri të rëndomtë mes Franc Konomit dhe vëllait të Gaz Muçës, Taulantit. Franci e qëllon me shpullë Taulantin pse i kishte marrë pa leje motorin dhe, pas gjithë kësaj, miqësia prishet duke bërë që në Tiranë të mbizotëronin dy grupe rivale. Grupi i Gaz Muçës do mbizotëronte në territorin pranë Rrugës Bardhyl, ndërsa ai i Naim Zyberit në zonën e Trenit të vjetër. Zinxhiri i vrasjeve mes dy grupeve nisi me ekzekutimin e Gaz Muçës nga një breshëri automatiku më 7 prill të vitit 1992, te një lokal në zonën e Xhamllikut. Për vrasjen u dyshuan Naim Zyberi e Franc Konomi. Më pas, vëllai i Gazit betohet se do hakmerrej dhe vret mikun e ngushtë të Zyberit, Fatos Ketën, pasi Zyberi ishte vrarë disa muaj më parë në Itali.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











