
Shoqata “Çamëria” çeli dje në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar ekspozitën e projekteve të fazës finale të konkursit “Varreza monumentale të shqiptarëve të Çamërisë në Qafë-Botë”, ku u ekspozuan tetë projektet e studiove prestigjioze nga Shqipëria dhe Kosova.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për një javë dhe më pas do të shpallet projekti fitues, në bazë të të cilit do të ndërtohen edhe varrezat monumentale në fshatin Kllogjer të Sarandës. Varrezat do të shërbejnë si monumenti përkujtimor i rreth 2600 shqiptarëve të Çamërisë, të cilët humbën jetën nga uria, etja dhe sëmundjet rrugës për në Shqipëri pas gjenocidit të ushtruar ndaj tyre nga bandat e Napoleon Zervës. Në afërsi të fshatit Kllogjer në Sarandë, në një varrezë masive prehen shpirtrat e qindra prej këtyre shqiptarëve, në një sipërfaqe e cila që prej vitit 1991 është në pronësi të shoqatës “Çamëria”.
Projektet e prezantuara përmbajnë një monument përkujtimor, si edhe dekorin e të gjithë sipërfaqes. Të gjithë vizitorët e ekspozitës do të mund të shprehin vërejtjet dhe sugjerimet e tyre për projektet e ekspozuara, prej nga do të shpallet edhe çmimi i publikut. Duke folur për rëndësinë e kësaj ndërmarrjeje, kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, në cilësinë e mbështetësit të këtij aktiviteti, vlerësoi se pas 65 vjetësh shqiptarët e Çamërisë që humbën jetën në mënyrë tragjike, do të përkujtohen në mënyrë dinjitoze. “Ky projekt shërben për të kujtuar në mënyrë dinjitoze më shumë se 2600 shqiptarë të Çamërisë, të cilët humbën jetën nga etja dhe uria gjatë marshimit të tyre biblik nga Çamëria në shtetin shqiptar, pas dëbimit gjenocidial të bandave të Napoleon Zervës. Tetë projektet e ekspozuara janë mjaft cilësore dhe projekti fitues do të zbatohet në varrezat, tashmë masive, të Kllogjerit. Ky është një monument tribun, që ne u bëjmë shqiptarëve të Çamërisë që u dëbuan nga shtëpitë e tyre vetëm pse ishin shqiptarë”, u shpreh kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Në çelje të ekspozitës, kryetari i jurisë së konkursit, Artan Lame, sqaroi detajet e projekteve dhe u shpreh për procedurat që do të ndiqen. “Në total do të jenë tri çmime, ku çmimi i parë do të jetë edhe projekti që do të zbatohet. Ndërkaq, në librin e vërejtjeve dhe sugjerimeve do të mund që të gjithë vizitorët të shprehin mendimet e tyre rreth projekteve. Në bazë të tyre do të shpallet edhe çmimi i publikut”,- u shpreh Lame.
JURIA
Zbatimi i këtij projekti kap një vlerë mbi një milion euro, ndërkohë që juria përzgjedhëse përbëhet nga Artan Lame, kryetar, Arben Biçoku, Abas Hado dhe Ardian Tana. Shpallja e projektit fitues do të bëhet pas disa ditësh dhe menjëherë pas saj do të nisë zbatimi i tij. “Në total do të jenë tri çmime, ku çmimi i parë do të jetë edhe projekti që do të zbatohet”, tha Lame.
PROJEKTET
Në ekspozitën e djeshme të organizuar nga PDIU janë paraqitur tetë projekte për memorialin e shqiptarëve të Çamërisë. Nga tetë projektet e paraqitura, tri janë në formën e skulpturave, ndërsa pesë të tjerat në projekte të prezantuara në fotografi. Ndër to, një projekt është produkt i një studioje projektimi nga Kosova, ndërsa shtatë të tjerat nga Shqipëria.
Aristir Lumezi
© Panorama.al











