Ekspertiza, Viktor Gushi i përgjegjshëm mendërisht

May 18, 2012 | 14:17
Viktor Gushi ne gjykate

Viktor Gushi është në gjendje të rregullt mendore e psikike dhe i përgjegjshëm para ligjit. Ky ka qenë përfundimi në të cilin kanë mbërritur ekspertët e Shërbimit të Provës dhe të Mjekësisë Ligjore, pasi kanë analizuar gjendjen mendore të personit të akuzuar për dy vrasje, tri plagosje dhe 15 grabitje bankash dhe filialesh të Postës, Ujësjellësit dhe Elektrikut në Tiranë. Burime nga hetimi thanë se mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë së Tiranës, Shërbimi i Provës pranë Ministrisë së Drejtësisë, por edhe psikiatër të Mjekësisë Ligjore, kanë kryer një ekzaminim mbi gjendjen e të akuzuarit për krimet e grabitjes në seri. Kërkesa për vlerësimin e gjendjes së të dyshuarit për 15 krime është bërë mbi bazën e qetësisë me të cilën ai dëshmoi autorësinë e vrasjes së argjendarit Rrapo Sinanaj në fund të vitit 2011, ekzekutimin e arkëtares Leonora Kaloçi në maj 2012, si dhe plagosjen e tri arkëtareve të Postës dhe Elektrikut. Ndonëse raporti mbi gjendjen psikike të 41-vjeçarit nga Patosi ka përfunduar, ai ende nuk ka mbërritur në Prokurori për t’u administruar në dosjen penale. Sipas procedurës, raporti në fjalë duhet të administrohet nga grupi i hetimit në dosjen penale të hapur ndaj Viktor Gushit, i cili akuzohet se ka kryer 15 grabitje të ndryshme në Tiranë nga viti 2008 deri në vitin 2012. Ekzaminimi mendor është kërkesë e ligjit kur i pandehuri jep shenja jonormale, pasi Kodi i Procedurës Penale shqiptare parashikon shmangien nga përgjegjësia në rast se personi rezulton i papërgjegjshëm për veprimet që kryen. Këtij shansi tashmë duket se i ka shpëtuar Viktor Gushi, i cili është konsideruar në gjendje të mirë mendore dhe i përgjegjshëm para ligjit. Grupi i hetimit është në pritje për ta marrë në pyetje të pandehurin në prani të avokatit, ndërsa janë administruar edhe raportet mjekësore që tregojnë se i dyshuari nuk ka qenë nën efektin e drogës në momentin që ka kryer grabitjen e filialit të NBG Bank në zonën e Xhamllikut në Tiranë, ku vrau arkëtaren Leonora Kaloçi dhe plagosi rëndë rojën e bankës me dy plumba në trup. Ishte pikërisht kjo grabitje që tërhoqi vëmendjen e policisë, por që bëri dhe lidhjen mes krimeve të Viktor Gushit. Arma e përdorur në masakrën e ndodhur në bankën te Xhamlliku rezultoi e njëjtë me pistoletën që kishte vrarë argjendarin Rrapo Sinanaj në nëntor 2011. Një kamera private pranë bankës ku ndodhi grabitja kishte fiksuar ndërkohë autorin e krimit teksa largohej nga vendi i ngjarjes. Informatorët e policisë bënë identifikimin mbi bazën e fotos së marrë nga kjo kamera dhe pak ditë pas krimit të rëndë Viktor Gushi u arrestua në një banesë private ku jetonte me qira në rrugën “Don Bosko”. Menjëherë pas arrestimit ai i pranoi krimet duke dhënë shpjegime me hollësi për secilën ngjarje. Aktualisht ndaj tij po vazhdojnë hetimet nga Prokuroria, ndërsa i dyshuari mbahet në masën e arrestit në burg pa afat.

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura