EKSKLUZIVE/ Prapaskenat te Lushnja. Klubi kërkoi t’ia besonte ekipin Maganit, kryebashkiakja Sefa konfirmon në stol…

Dec 26, 2022 | 11:47

Pas ndeshjes së fun dit të vitit 2022, Lushnja ka mbetur pa trajner. Blerim Hasalla, që u komandua nga kryebashkiakja Eriselda Sefa si trajner, e përfundoi misionin e tij. Tashmë pritet që të emërohet pasardhësi, që do të jetë i katërti në radhë për këtë sezon. Në klub kanë ditë që po punojnë për të gjetur “timonierin” e ri dhe vështrimin e kanë hedhur po në Kategorinë e Parë.

LUSHNJA

MAGANI “Panorama Sport” mëson se në krye të listës ka qenë Gugash Magani, trajneri aktual i Besës. Drejtuesit jo vetëm që e kanë kontaktuar, por edhe i kanë bërë ofert.

Bisedimet kanë qenë të avancuara midis palëve, por mund të themi që akordi nuk erdhi kurrë. Të paktën për momentin, pasi situatat edhe mund të përmbysen.

MAGANI 1

KRYEBASHKIAKJA Gazeta u mundua që të thellohet pak më shumë te kjo pistë dhe për këtë shkak kontaktoi me vetë kryebashkiaken Eriselda Sefa.

E pyetur konkretisht nëse është ende kandidat peqinasi për stolin, presidentja tha: “Vazhdoj të kem Hasallën trajner…”.

Pas fitores me Orikun, vetë Blerim Hasalla deklaroi se e përmbushi misionin që i kishte dhënë e para e Bashkisë Lushnjë, e megjithatë gjithçka mund të ndryshojë. Nëse në klub nuk zgjedhin një tjetër trajner, stoli mund t’i mbetet sërish atij.

Blerim Hasalla duke lexuar “Panorama Sport

AXHENDA 46-vjeçari i dha skuadrës 4 ditë pushim. Sot në mesditë, Lushnja do të dalë sërish në terren. Seancat stërvitore do të vijojnë deri në datën 29 dhjetor.

Pas kësaj date do të nisin pushimet e fundvitit, me shpresën që 4 janari t’i gjejë jo vetëm me një trajner të ri në pankinë, por edhe me zhvillime në merkato.

Një javë para mbylljes së fazës së parë, Lushnja ndodhet në vendin e 10-të ose në zonën “play out” me vetëm dy pikë më shumë se vendi i fundit.

Edhe për vitin 2023 do të jetë një buxhet i konsiderueshëm për futbollin, që njësoj si më parë është në kuotën e 40 milionë lekëve, si subvencionim që jep njësia vendore për selinë e verdhejeshilëve.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al

Te lidhura