Aktivistja Sidorela Vatnikaj ka reaguar pas shoqërimit të aktivistit Edison Lika nga policia, duke pretenduar se ndalimi i tij është bërë pa një arsye të qartë. Në një lidhje direkte për News 24, ajo sqaroi se gjithçka ka ndodhur në momentin kur rruga ishte bllokuar për shkak të kalimit të eskortës së kryeministrit Edi Rama.
Vatnikaj tha se Lika ishte ne lidhje live nga protesta dhe, sipas saj, nuk po kryente asnjë veprim të jashtëligjshëm. Ajo tha se aktivistët janë përpjekur të ndërhyjnë për të shmangur shoqërimin e tij, por nuk kanë mundur për shkak të pranisë së lartë të forcave të policisë. Sipas saj, ende nuk ka informacion të konfirmuar për arsyen e ndalimit dhe vendin ku po mbahet aktivisti.
“Nuk ka pasur asnjë argument. Policia e mori në mënyrë të dhunshme. Ne, si bashkëaktivistë të tjerë, u përpoqëm ta ndalonim, por nuk ia dolëm, sepse numri i policëve ishte shumë i lartë.
E vetmja “armë” që kemi pasur kanë qenë kokrrat e vezës. Ata u përpoqën të na shpërndanin me çdo kusht.
Mesa dimë, është në Komisariatin Nr. 1, por nuk kemi informacion të saktë se pse janë arrestuar. Ka edhe aktivistë të tjerë që janë ndaluar nga civilë. Kur kërkojmë informacion, na arrestojnë një ose dy persona, ose na ndalojnë civilët.
Ata arritën t’i shpëtonin policisë sepse thjesht po kalonin. Në ato momente po kalonte eskorta e kryeministrit Rama dhe ishte bllokuar gjithçka, edhe pse aty kishte edhe nëna me karroca.
Edison Lika ishte live me ju dhe nuk po bënte asgjë të jashtëligjshme, po bënte intervista. Mesa di, është ndaluar edhe Dritan Goxhaj, edhe pse këtë e kam të pakonfirmuar”, tha ajo.
© Panorama.al












