Edicioni i nëntë i “Tirana Marathon”, nënkryetarja Ristani: Ngjarje që e bën Tiranën njësoj si çdo qytet tjetër evropian

Oct 19, 2025 | 15:23

Një nga ngjarjet më të mëdha sportive në Shqipëri, “Tirana Marathon” mblodhi këtë të  dielë mijëra vrapues nga e gjithë bota në zemër të kryeqytetit, për një ditë energjie, pasioni dhe fryme bashkëpunimi. Në garë morën pjesë mbi 5000 garues nga 56 shtete të ndryshme të botës.

tirana

Ky edicion i nëntë i saj shënon gjithashtu vitin kur Tirana mban titullin “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut”.

Nënkryetarja Anuela Ristani theksoi se Maratona e Tiranës është një nga ato gjërat që e bën qytetin e Tiranës qytet evropian dhe ishte pikërisht një ndër përpjekjet më të mëdha për të bërë një ndryshim që nuk çbëhej dot.

“Njerëzit u mësuan që ka maratonë, kushdo që të jetë, sido që të jetë, çfardo që të ndodhë do presin që do të ketë maratonë çdo vit në tetor, në ditë vjeshte të bukur në Tiranë, që asnjëherë edhe kur ka kohë kritike, asnjëherë nuk na zhgënjen dhe tanimë standardi është vendosur dhe asnjë gjë më pak se kjo nuk do të pranohet.

 Gjithmonë është bërë më mirë, ka pasur gjithmonë e më shumë pjesëmarrës, ka pasur gjithmonë më shumë vende pjesëmarrëse, njeëz që vijnë e udhëtojnë posaçërisht për Maratonën e Tiranës dhe e bën Tiranën njësoj si çdo qytet tjetër evropian që ka maratonën e vet, që ka simbolin e vet edhe të këtij aktiviteti, si të gjërave të tjera”, deklaroi Ristani.

Maratona e këtij viti u zhvillua në katër kategori: Maratona e plotë (42 km), Gjysmë-maratona (21 km), 10 km dhe “Fun Run & We Too”, e dedikuar për familjarë, amatorë dhe persona me aftësi ndryshe.

Tirana Marathon promovon jetesën aktive, sportin për të gjithë dhe imazhin e Tiranës si qytet modern e mikpritës, duke sjellë ndikim pozitiv në turizëm, ekonomi dhe bashkëjetesë qytetare.

 

© Panorama.al

Te lidhura