“Edi Ramën e kemi rrethuar demokratikisht dhe moralisht” – Sazan Guri: Përgjegjësinë e kombit e kanë marrë qytetarët! Rrethimi i tretë duhet të jetë fizik

Jul 7, 2026 | 20:40

Ambientalisti Sazan Guri deklaroi se protesta qytetare e ka rrethuar kryeministrin Edi Rama demokratikisht dhe moralisht.

Ai deklaroi gjatë fjalës së tij para protestuesve se rrethimi i tretë duhet të jetë fizik, duke rrethuar parlamentin dhe kryeministrin.

“Mbani mend që nuk ka qeveri që nuk rrëzohet, por ka qytetarë që tërhiqen. Nuk ka kauza që nuk fitohen, por ka qytetarë që e lënë kauzën përgjysmë. Prandaj çdo njeri t‘i japë fjalën vetes kur vjen nga shtëpia në këtë shesh tamam si gjenerali anglez që dogj anije. Edhe ju, edhe ne, edhe ju, të puthim fëmijët edhe gratë në këtë luftë të gjatë. Ne do t’i mundim ata avash avash me moral.

sazan guri

Do t’i bëjmë ata që të zhvishen dhe të mos kenë sy e faqe që të dalin para popullit. Aq më tepër një kryeministër që ka zhbërë pronat tona të ligjshme me kushtetutë dhe në 2015 me një ligj investimi strategjik ku kushtetuta e jep ndërsa ai mendon se si ta vjedhë këtë popull duke ia marrë me investime strategjike.

Këtë kryeministër e kemi rrethuar demokratikisht dhe moralisht, që e kemi zhvendosur nga çdo përgjegjësi dhe përgjegjësinë e kemi marrë ne. Rrethimi i tretë për mua është rrethimi fizik! Të rrethohet parlamenti dhe kryeministri që ata të mos marrin vendime për kauzat tona!” përfundoi ai.

© Panorama.al

Te lidhura