Gazetari Osman Stafa lexoi para protestuesve të mbledhur para Kryeministrinë mesazhin e një gruaje shqiptare që po kurohet nga kanceri në Itali.
Në mesazhin e saj, gruaja thekson se qeveria ka gjetur për një natë 4 milionë euro për koncertin e Kanye West, ndërsa për brakiterapinë te Spitali Onkologjik nuk ka asgjë.
Ajo tregon se si i kishin thënë tek Onkologjiku që brakiterapia nuk funksiononte dhe se mungesa e trajtimit i kishte kushtuar rikthimin e sëmundjes. Gruaja thekson në mesazhin e saj se do të donte që qeveria të investonte te shpresa e atyre që vuajnë nga sëmundje të tilla, dhe jo në një koncert.
“4 milionë euro të taksave tona janë dhënë për koncertin se nuk janë shituer biletat. Shqiptarët e bojkotuan koncertin por qeveria i ka dhënë 4 milionë euro një koncerti. Pra biletat që nuk janë shitur i rimburson qeveria me 4 mln euro, ndërsa spitalet janë pa ilaçe e pajisje.
Dua t’ju lexoj një mesazh të një zonje që vuan nga kanceri. Ka kërkuar ta lexoj këtu para jush: “Jam një grua që vuaj nga kanceri, mbarova ciklin e rrezeve në Onkologjik. Kur duhet të bëja brakiterapinë më thanë se nuk ka, nuk punon. E kam me dokument. Nuk kisha para për jashtë shteti, kredi nuk më dhanë.
Çdo mëngjes zgjohesha me shpresën që do të kem trajtimin që duhet. Sëmundja mu rikthye përsëri se nuk e bëra brakiterapinë. Unë sot jam e vdekur për së gjalli. Sot bëj kimiterapinë nga fillimi në Itali. Për Shqipërinë dhe mjekësinë atje do të isha në dhe.
Sot mësova se shteti gjeti 4 mln euro për një koncert. Ndoshta për disa jam vetëm një statistikë, por për fëmijët e mi jam e gjithë bota. Do të doja që shteti të investonte te shpresa ime dhe jo vetëm në një natë spektakli sepse një koncert zgjat vetëm disa orë. Mungesa e trajtimit më kushtoi kthimin e sëmundjes.
Skenën e ngritën për një natë, brakiterapinë jo. Njëra sjell duartrokitje, tjetra shpëton nëna, motra e bija. Ju zgjodhët duartrokitjet, turpi ju mbuloftë dhe zoti iu ardhë hakut”.
© Panorama.al











