Edasarela Mustafaraj: “Preferoj më mirë një operacion anti-drogë, se argëtimin”

Oct 16, 2011 | 13:54
Nga parada e kombeve në Lexington, ku Edasarela bashkë me Elisabeta Hoxhën, përfaqësuan Shqipërinë në Konferencën e 49-të të Shoqatës Ndërkombëtare të Gruas në Polici

Për ju që jeni jashtë kësaj fushe, operacionet antikrim të “Oktapodit” mund të bëhen të prekshme edhe në jetën reale nëse i dëshironi vërtet. Edasarela Mustafaraj ia arriti të bëhej e ngjashmja e Silvia Kontit. Ashtu sikundër po bëjnë gjithnjë e më shumë koleget e saj.

Unë jam 30 vjeçe fatkeqësisht dhe të them të drejtën kjo punë më ka lënë vërtetë pak larg shoqeve të mia. Por nga ana tjetër, ka qenë një zgjedhje, pasi unë preferoj të jem më mirë në një operacion anti-droge, sesa duke u argëtuar me shoqërinë. Mos më pyesni pse, se nuk di të përgjigjem… Thjesht e ndiej kështu

Në një moshë të caktuar, ndodh që personazhi i një filmi, a një seriali, që sot ndoshta do t’i duhet ca kohë që të pastroj kujtesën për ta sjellë ndërmend, të të kthehet në motiv për të marrë vendime të mëdha. Zgjedhja e degës së studimeve, është padyshim një prej tyre. Ndoshta, më i madhi e për në kohën kur të duhet të zgjedhësh, më i vështiri. Për shumicën prej nesh, ëndrrat e viteve të para të shkollës për tu bërë farmaciste për shembull, kanë ndryshuar me të marrë në dorë kiminë. Kemi kaluar nga një ekstrem në tjetrin pa e vrarë mendjen shumë. Ndërsa me Edasarelën nuk ka ndodhur ashtu. I ka pasur shumë të qarta dëshirat e saj. Personazhi Silvia Konti në serialin ‘Oktapodi’ vetëm sa i ka mëshuar dëshirës së adoleshentes, duke e afruar fantazinë e saj edhe më shumë me realitetin e punës së një femre që lufton kundër krimit. Do thoni ju që realiteti vetëm sa do ta trembte! Ja që nuk e bëri, vetëm i ushqeu edhe më dëshirat e saj. Edasarela Mustafaraj, bashkë me kolegen e saj, Elisabeta Hoxhën, sapo janë kthyer nga Lexington KY ku morën pjesë në Konferencën e 49-të të Shoqatës Ndërkombëtare të Gruas në Polici.
“Mendoj se pas përjetimit të një eksperience të tillë do të kem mundësinë të shërbej si një “far” për të gjitha femrat që mund të jenë duke përjetuar një fazë të vështirë në aktivitetin e tyre të përditshëm si punonjëse policie, e që mund të jenë duke kërkuar rrugën e tyre, në detin e trazuar nga sundimi mashkullor në organizatën tonë policore. Është e rëndësishme të përmend faktin se nëpërmjet pjesëmarrjes në këtë konferencë, do të më jepet mundësia që të arrij të demonstroj se gratë në polici mund të jenë jo vetëm pjesëmarrëse aktive në rrjete të ndryshme ndërkombëtare, por mund të arrijnë që fare mirë t’i zgjerojnë në vendet e tyre, duke implementuar strategjitë e këtyre rrjeteve në këto vende, në funksion të përmirësimit të esencës dhe performancës së policisë ku ato bëjnë pjesë. Për të konkluduar, arsyet për të mbështetur kërkesën time për t’u konsideruar si kandidate për pjesëmarrjen në Konferencën e 49-të të SHNGP, janë të shumta, nga më personalet, tek më profesionalet, të cilat mund të përmblidhen në dy aspekte: të përfaqësoj denjësisht shtetin shqiptar dhe Policinë e Shtetit shqiptar në konferencë dhe të sjell konferencën në shtetin dhe Policinë shqiptare.” Kjo është vetëm një pjesë e letrës së aplikimit, ku Edasarela ka renditur gjithë arsyet e saj për të qenë pjesë e kësaj konference. Po ta shohim se si mund të mbërrijë një fëmijë ëndërrimtar deri këtu. Ç’rrugë i duhet të ndjekë për të qenë përfaqësuese e njërit prej sektorëve më të rëndësishëm të vendit të saj.
Çfarë mund ta bëjë një gjimnaziste të kohëve të sotshme të shohë si të ardhmen e saj profesionale Policinë e Shtetit?
Ajo që më ka frymëzuar gjithmonë për të bërë këtë profesion, ka qenë Silvia Konti tek i famshmi “Oktapodi”, ndjenja e lufta e saj për drejtësi. Për shumë kohë, rrethi im i ngushte shoqëror më ka thirrur Silvia. Arsyeja pse e kam zgjedhur këtë profesion është pikërisht dëshira për të dhënë pjesën time në luftën kundër kriminalitetit dhe ndihmën për të pasur një shoqëri më të sigurt, për të qenë pjesë e përpjekjeve të pashtershme për të ndihmuar komunitetin tonë. Nuk pretendoj të bëj apo jap drejtësi, dua thjesht të jap një mundësi për arritjen e saj.
Një femër do ndihej edhe më mirë po ta arrinte këtë, krahasuar me një mashkull…
Ka qenë pikërisht kjo edhe një tjetër arsye e fortë. Kam pasur gjithnjë dëshirë t’u tregoja të gjithëve se edhe një femër mund të jetë po aq efektive dhe e patrembur në luftën kundër krimit, pasi ky profesion shihet gjithnjë si mashkullor.
Ku keni studiuar dhe ç’pozicion keni aktualisht në polici?
Jam diplomuar për Drejtësi në Ankara të Turqisë, në vitin 2005, e më pas jam kthyer në Shqipëri. Vetëm në 2007-n kam mundur të realizoj ëndrrën time të hershme për të qenë punonjëse policie. Aktualisht punoj si specialiste për hetimin e krimeve në sektorin kundër krimit të organizuar në DPQ Tiranë. Siç mund të jeni në dijeni, është një nga sektorët më të vështirë për të mos thënë më i vështiri në Policinë e Shtetit.
Meqë është kështu, ç’raport keni me frikën?
Konfliktet janë gjithmonë prezent, por mua personalisht më pëlqen ta quaj sektorin më të bukur, ku ia vlen vërtet të jesh pjesë. Në situata të ndryshme më ka dalë përpara sysh edhe rreziku, por pasioni që kam për punën më ka bërë t’i shoh gjërat gjithnjë me sportivitet.
Ç’rëndësi pati për ju përfaqësimi i Shqipërisë në Lexington, përkrah 55 shteteve të tjera?
Për të qenë e pranishme në Lexington KY, në konferencën e 49-të të Shoqatës Ndërkombëtare të Gruas në Polici, unë u përzgjodha si fituese e bursës së akorduar nga ICITAP dhe m’u desh të shkruaja një letër për të shpjeguar arsyet përse doja të isha pikërisht unë e përzgjedhura. Ndër të tjera, dua të theksoj se për mua ishte shumë e rëndësishme të merrja pjesë në paradën e kombeve me uniformën veshur, përkrah flamurit shqiptar, duke përfaqësuar vendin tim mes përfaqësueseve nga 55 shtete. U ndjeva e “pamposhtur” si femër dhe si punonjëse policie, e lartë sa ata qiellgërvishtësit në Amerikë dhe ishte shumë lehtësuese të shihja që nuk kemi vetëm ne problematikat që jetojmë përditë. Ndjeva suportin dhe dashurinë e të gjitha kolegeve të mia nga e gjithë bota.
Pasioni me të cilin flisni për punën, më bën të mendoj që nuk keni asnjë lidhje me pjesën tjetër të ‘botës’… E kam fjalën me shoqet e tua për shembull që janë larg këtij profesioni.
Unë jam 30 vjeç fatkeqësisht dhe, të them të drejtën, kjo punë më ka lënë vërtet pak larg shoqeve të mia. Por, nga ana tjetër,  ka qenë një zgjedhje, pasi unë preferoj të jem më mirë në një operacion antidrogë, sesa duke u argëtuar me shoqërinë. Mos më pyesni pse, se nuk di të përgjigjem… Thjesht e ndiej kështu.

ANI JAUPAJ

© Panorama.al

Te lidhura