
E shoqëruar nga instrumentistët e Sting
Ata do të vijnë në Tiranë në koncertin e 21 tetorit, jo sepse dinë ndonjë gjë për Shqipërinë, por sepse e duan muzikën, sepse i kanë me merak t’i luajnë ca motive të shkëlqyera që u propozon Eda Zari, por edhe sepse nuk mbahen me të madh, ndonëse prej vitesh luajnë për Stingun. Kitaristi Dominic Miller dhe perkusionisti Rhani Krija do të jenë pjesë e bandës së instrumentistëve që do të shoqërojnë këngëtaren Eda Zari në Tiranë, në koncertin ku do të prezantojë albumin e saj më të ri “Toka incognita”. Një album, ku ndihet fuqishëm mbështetja në truallin muzikor shqiptar, kryesisht në ato polifonik, por ku nuk mungojnë as jaret e Shkodrës. Kitaristi Miller është një nga instrumentistët më të afërt për këngëtarin anglez, të cilin e shoqëron prej vitit 1990. Ndërsa Rhani Krija i është bashkuar grupit të Stingut prej vitit 2003, ku ai e ftoi të bëhej pjesë e albumit “Sacred Love”.

Megjithëqë është një shqiptare me “sh” të madhe përkundër trashëgimisë gjenetike, ajo nuk e ka zakon të qahet. Nuk ulet përpara një filxhani kafeje e të shpotisë, sepse muzika po shkatërrohet prej komercialitetit, snobizmave, superpozimit… “Bota është e madhe, ka vend për të gjithë… pa dyshim edhe për mua, ndaj mundohem të jap kontributin tim me kualitet”. Ashtu si edhe paraardhësit e saj, Eda Zari përpiqet ta thotë të vetën me anë të muzikës, këngës. Është natyrale, aspak e impostuar apo hijerëndë, sepse ajo diçka ka arritur. Këngëtarja e njohur shqiptare, e cila prej vitesh ndërton karrierën e saj në Gjermani, por është boll e njohur edhe jashtë saj, ka ardhur në Shqipëri për pak ditë, për t’u kthyer sërishmi për koncertin e 21 tetorit që do të japë në Tiranë, i cili do të vijojë me një të dytë në Prishtinë. E shoqëruar nga një bandë muzikantësh të rrallë, mes të cilëve dy syresh kanë vite që shoqërojnë një nga emrat më të mëdhenj të muzikës botërore, këngëtarin anglez Sting, por edhe nga Orkestra e RTSH-së do të prezantojë albumin e saj “Toka incognita” (Toka e panjohur). Një album, ku melosi shqiptar është shumë i pranishëm. Eda Zari na tregon për koncertin e organizuar nga RTSH, albumin, frymëzimet shqiptare, por edhe për veten jashtë skene…
Ardhja juaj në Tiranë nuk është e rastësishme, po përgatisni një koncert, na tregoni diçka për të?
Koncerti i parë premierë do të jetë në datën 21 tetor, në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit, ku prezantoj këngët e albumit të ri “Toka incognita” (“Toka e panjohur”). Janë 12 numra, por edhe këngë të shkëputura nga albumi i mëparshëm “Statement”. Do të jetë një miksturë e bukur mes etnikes, isopolifonisë shqiptare, por edhe këngë të tjera që janë arranxhuar për Orkestrën e Radios. Është një bashkëpunim shumë i bukur mes një bande që përbëhet nga 8-9 veta, që vijnë nga kultura të ndryshme, nga influenca të ndryshme muzikore, mes të cilëve kitaristi dhe perkusionisti i Sting, dhe bashkëpunimi me Orkestrën Simfonike, që është një kimi shumë e bukur. Ka një tjetër frymë, një tjetër emocion për publikun.
Përse zgjodhët Tiranën për ta prezantuar së pari, kur dihet se nuk përbën një treg shitjeje? Ishte ndoshta dëshirë për t’u karikuar me dashuri për turneun që do të vijojë?
Pse jo…?! Vjen një moment që të thërrasin rrënjët, por ndoshta është edhe fakti tjetër që janë pjekur kushtet. Aq më tepër që qysh në fillesat e veta ky album, i cili është realizuar në Gjermani, ka pasur një suport të jashtëzakonshëm nga Radiotelevizioni Shqiptar. Dhe, pse të mos bëhej RTSH organizatorja e një koncerti të tillë, me këtë përmbajtje? Kështu lindi ideja fillestare, e cila u rrit. Dëshira ishte shumë e madhe. Është mirë të vish në vendin tënd, sepse ndihesh me këmbë në tokë, nuk fluturon për hiç mos gjë.
Kjo është hera e parë që ju vini e plotë…
Pa i dhënë ngjyrime patriotike, dëshira për të ardhur në atdhe është gjithmonë. Është dëshira për të qenë pranë publikut, aq më tepër që albumi mbështetet në motivet e polifonisë shqiptare. Dhe, nëse nuk e prezantoj para këtij publiku, atëherë ku? Pastaj, energjia që të jep publiku shqiptar është sa e çuditshme, aq edhe e këndshme. Thjesht, ndihesh në kasollen tënde…
Një nga arsyet pse publiku shqiptar ju do, është sepse megjithëse keni shumë vite jashtë, nuk i jeni ndarë muzikës shqiptare… Sa ju ka ndihmuar ky identitet shqiptar?
Shumë. Dhe, kur e them menjëherë përgjigjen, jam e vetëdijshme. Jetojmë në kohëra globalizimi dhe dashje pa dashje shumë individualitete humbasin. Është një globalizim aq i sëmurë, që ka përfshirë që nga gjuhët, tek traditat, tek ritet e bukura që çdo kulturë ka. Nga ana tjetër, ky është identiteti im. Ky është fustani im. Nuk kam tjetër… Nuk mund të them se jam këngëtare xhazi, sepse nuk vij nga ato rrënjë, nuk vij nga ai stil muzikor, jam rritur në këtë taban, me këtë bukë. Kam pasur mundësinë që gjatë kohës që kam studiuar atje, të lëvroj zhanre të ndryshme muzikore. Duke bërë shumë eksperimente dhe shumë ekskursione në këto zhanre, thashë: përse jo? Nuk më bën askush konkurrencë. Kam identitetin tim dhe publiku i huaj rezonon shumë mirë. Ndonëse tekstet nuk kuptohen, gjuha është muzikale, mund të komunikosh drejtpërdrejt dhe nuk keqkuptohesh asnjëherë. Është një gjuhë që, edhe kur flet për vajin, për dashurinë, kuptohet përmes muzikës, emocionit… Ndaj dhe nuk ndahem dot prej saj. Nuk e kam për detyrë, por unë këtej i kam rrënjët dhe kështu dua të jem.
Dhe ju e drejtoni publikun drejt një “Toke të panjohur”?
“Toka e panjohur” është një metaforë, që nuk ka të bëjë shumë me muzikën e panjohur. Megjithatë, publiku ka nevojë për diçka ndryshe. Thuhet se publiku ballkanik apo ai shqiptar nuk e kupton këtë lloj muzike, apo se etnik xhaz është një muzikë elitare. Nuk jam e atij mendimi, sepse mendoj se në këtë 10-vjeçar të fundit, publiku është ngopur me gjëra sipërfaqësore. Sigurisht, ka vend për të gjithë edhe për komercialen e për muzikën time. Unë përpiqem të jap një kontribut për kualitativen. Madje, një nga këngët që është në album titullohet “Ballkan ironi”. Në Perëndim, muzika ballkanike me ritmet, me fanfarat po bën një bum të madh. Është e re, ritmike dhe përbën një trend… Por është një trend i çuditshëm, jo i shëndetshëm. Luhet shumë me klishetë e muzikës ballkanike, thjesht sepse krijon atmosferë festive. Kjo është legjitime, por harrojmë se barku i Ballkanit përmban shumë më shumë vlera se një tallava. Në këtë këngë flitet për tallavanë.
Këtu na ka mbytur tallavaja….
Unë mendoj se duhet të dish të bësh tallava. Jam marrë pak me këtë punë, sepse vihet re një dyndje e madhe, por edhe sepse është pjesë e “artit”. Me këngën time dua të them se tallavaja bëhet edhe kështu, edhe në këtë format, për të thyer ato klishetë që janë shumë mizore për muzikën e një vendi, të një kulture… Nuk dua të bëhem kritike, por në një farë mënyre të drejtoj dëgjuesin.
Tani që keni krijuar emrin tuaj, sa mirënjohëse i jeni gjenit familjar?
U jam mirënjohëse të gjithë të afërmve të nënës sime, dinastisë Lela nga Përmeti. U jam mirënjohëse sepse jam rritur në këtë bark, në këtë prehër, me aspektin purist që kanë këto këngë, që janë të pastra, tradicionale, që nga ato të gëzimit, të dasmave, vajet, kabatë me aq shumë vlerë dhe, nëse nuk krenohemi me këto, atëherë me çfarë tjetër… U jam shumë mirënjohëse dhe jam e privilegjuar që vij nga kjo dinasti dhe marr motive nga kjo gurrë e pasur popullore.
Dhe ju vazhdimisht i referoheni në këngët tuaja…
Muzika përmetare është e butë, lakohet bukur, por po kaq të bukura janë edhe jaret shkodrane, të cilat kanë një botë që jo shumë e njohin. Por janë edhe motivet, tematika e bukur që kanë të gjitha këngët si jaret, ashtu dhe polifonitë, që është më e lashta, dashuria. Po t’i shohësh thellë tekstet, janë shumë të bukura, ka shumë shpirt brenda, por dhe seks…
Veç këngës, me se merreni tjetër, nuk besoj se vetëm këndoni, apo jo?
Jo, jo. Ndonjëherë mua më vjen turp të them se jam këngëtare se një në dy është këngëtar, por merrem dhe me shumë gjëra të tjera. Qysh kur isha 16 vjeç, shkruaja poezi, ca “bëma” të vogla, por këto vitet e fundit jam marrë shumë me fotografinë dhe tashmë nuk është më hobi, por jam e përkushtuar. Ndoshta tashmë që jam bërë për herë të dytë nënë, kam më shumë kohë të merrem me këtë lloj mediumi. Fotografinë e kam shumë për zemër… Pastaj, ka edhe disa gjëra të tjera, si p.sh jam edhe kuzhiniere shumë e mirë…
Duhet të jetë ana përmetare…?
Po, po, nga mamaja, gjyshja…, që gatuajnë shumë petanikun. Në Gjermani nuk kam bërë ndonjëherë petanik, por pashaqofte po… Jam vërtet shumë mirë edhe në kuzhinë…
Ju kanë ngjarë fëmijët?
I madhi është 17 vjeç tani, ndërsa i vogli 3 vjeç. I madhi do të jetë pjesë e këtij koncerti, pjesë e bandës. Luan bateri, perkusion, kitarë elektrike, akustike… Është kopja ime… Tashmë është në atë fazën që më thotë: Ti nuk e kupton, sepse unë jam instrumentist, në fund të fundit, ti këngëtare je… Dhe harron që është rritur pas kuintash, në studio dhe është influencuar nga unë. Ka marrë “serum” që i vogël…
Po i vogli?
I vogli është biond, me sy bojë qielli, është kopja e të atit..
Qenkeni e rrethuar vetëm nga meshkuj…
Më vjen mirë që jam e vetmja femër në shtëpi dhe jam boll e përkëdhelur.
ALMA MILE
© Panorama.al











