E vetmja rrugë që duket nga PS

Apr 6, 2011 | 9:48

FATOS HAKORJA

Edi Rama s’kish rrugë tjetër. Ai u detyrua të kandidonte për një mandat të katërt në Bashkinë e Tiranës. Vendimi nuk qe i lehtë. Ai hyn në një lojë ku luan gjithçka, në pozitat e një lojtari që vetëm mund të humbë, sepse nuk ka ç’të fitojë. Ka hedhur në lojë zaret e fatit. Luan me të dyja karriget që zë prej vitesh. Asnjë lojtar i fortë s’i luan të gjitha në një dorë, sepse përvoja është kryeneçe e s’mund ta lejojë t’u krijojë, qoftë edhe mundësinë më të vogël, kundërshtarëve për ta parë të rrënuar, përnjëherë. Si pjesë të parë të kësaj gjithçkaje luan atë mbi të cilin u rrit politikisht; fronin e zyrës së mermertë të Bashkisë. Por ende pa e nisur garën e katërt, duket i sfilitur. Popullariteti i tij ka prekur pikën më të ulët. Ai vjen para kryeqytetasve si humbës. Humbi grevën e urisë, betejën e hapjes së kutive, humbës i protestave, i planit të bllokimeve të institucioneve, i antikorrupsionit që i veshi veladonin priftëror (më 8 maj ka nxjerrë në garë edhe dy kryetarë komunash të shkarkuar pak ditë më parë për korrupsion nga qeveria, sepse Kontrolli i Lartë i Shtetit u zbuloi abuzime marramendëse: në 2007-n, njëri u bë kryekomunar me votat e PS–së e tjetri me të PD–së).
Pa u bërë ende politikan, ai i shfaqet kësaj here Tiranës politikisht, me portretin e 21 janarit, ditën kur i tregoi qytetit se nuk ishte njeriu ndryshe, ai që sheh e jeton përtej së majtës e së djathtës, ai që dikur shembte kioska për t’iu rikthyer qytetarëve lirinë në hapësirë, ai që karrierën e shihte të lidhur ngushtë me fatin e votuesve besnikë dhe të këtij qyteti. Më 21 janar ai shkroi emrin në faqet më të zeza të historisë postkomuniste, si autor i një tragjedie, i cili, që nga lozha, edhe pse sheh aktorët të luajnë rrënimin e regjisorit që në aktin e parë, nuk ndien keqardhje, por skërmitet, sepse s’ka durim të presë radhën e skenarit, aq të domosdoshëm për të kuptuar historinë. Shpirti rebel shpërtheu dhe prishi qetësinë e këtij qyteti që, pa zhurmë, kërkon prej vitesh identitet. U ringjalli me pahir qytetarëve kujtimet e frikshme të viti ’97, që gjithsecili ish përpjekur t’i varroste në ato ditë të largëta të atij viti të mbrapshtë. Ai tregoi se s’ka akt tjetër për të luajtur në teatrin kryeqytetas. Tragjedia e tij nuk mund të ketë akt shtesë pas epilogut të shkruar më 21 janar.
Pa dyshim që ai është menduar gjatë. Por s’kish tjetër rrugë, edhe pse kjo përballje nuk premton lavdi. Tirana s’ka më ç’lavdi t’i thurë. Ai s’ka çfarë t’i japë. Kjo dashuri ka përfunduar. Këtyre qindra mijëra banorëve ai mund t’u japë vetëm llogari. Në garën për këtë mandat s’ka çfarë t’u ofrojë më. Tirana ka pak shpresë të bëhet. As  zhbëhet. Sepse për t’u zhbërë duhet të shkatërrojmë atë çka kemi ndërtuar në emër të jetesës, pallatet e betonta, e kjo do të ishte si të presësh degën ku ke hipur nga ana e trungut!  Këto krijesa, si të lindura nga shkarravina abstrakte të gërvishtura në kohë të lirë, që kanë marrë pamjen e kuçedrave të përrallave të qëmotit që u zinin njerëzve burimet e ujit, nuk mund të vriten. Kjo as që mund të imagjinohet! Kanë pushtuar tokën. Parqet, kur i përmendim, përpiqemi t’i imagjinojmë sipas imazheve që ruajmë në kujtesën fotografike të shumë viteve më parë. Për ato pak metra katrorë që s’kanë mundur t’i zënë këto monstra betoni, kanë menduar shtesat pa leje. Plot 9 mijë numërohen në Tiranë. 9 mijë apartamente jashtë projekteve të pallateve; dhoma, magazina shtëpiake, ballkone të kthyera në dhoma, kate të sipërme që kanë zënë tarracat. Edhe shkrepëse po të ishin, 9 mijë janë shumë. Aq nuk ka përdorur as veterani Kutuzov i Aleksandrit I të Rusisë për të djegur Moskën kur ia behën legjionet e Napoleonit.
Nuk kishte rrugë të dytë, ndonëse nuk u ofron dot tiranasve as ndjesë. Sepse askush nuk do të mund ta falë. As ata që kanë blerë apartamentet me djersën e viteve e që kanë parë të nesërmen t’u vidhet dielli nga pallate të tjera me shumë kate. Nuk e falin as ata që kanë paguar shtëpitë e tyre me para borxh e kredi të kripura si në asnjë vend tjetër të Europës, e që jetojnë si në geto. Sepse nuk ka hapësira jashtë pallateve. As brenda tyre. Hapësirat e përbashkëta për të cilat duhej të kujdesej administratori i ligjëruar nga Bashkia, janë shndërruar në territore zënkash mes banorësh. Nuk ekziston as administratori.
Por, rikandidimi ishte rruga e vetme. Cili socialist do ta merrte përsipër barrën e rëndë të asaj çka po i ndodh Tiranës e që po del në dritë çdo ditë e më shumë si rrënojat e një zbulimi antik? Qytetarët po mësojnë se jetesa nuk është vetëm në katër muret e shtëpisë, por edhe te shkallët që nuk pastrohen, edhe te ashensori që nuk funksionon, edhe te dera e pallatit që është shqyer, edhe te lulishtja që duhet të ishte, sepse kështu ka qenë shkruar në letrën e lejes së ndërtimit të pallatit. Është edhe te parkingu i munguar, rrugët e ngushta ku mezi kalojnë dy biçikleta, gropat e tyre që sheshohen vetëm në prag zgjedhjesh, edhe te koshat e mbeturinave që, sa herë i sheh e u kalon pranë, të vjen stomaku në grykë.
Është edhe te injorimi i qytetarit, i ankesës së tij për çdo punë të pambaruar e premtim të pambajtur, sepse i tillë ka qenë premtimi që në fushatën e kaluar: pamundësisht i realizueshëm, por tërheqës për të manipuluar qytetarin e urtë.
Refuzimit të socialistëve mund t’i gjendej ilaçi me të rinjtë e katapultuar brenda selisë me ngjyrën rozë. Por, sa të pakënaqur do të krijonte kandidimi i ndonjërit prej tyre për këtë post të rëndësishëm, në radhët e atyre që jetën e kanë lidhur prej vitesh me këtë parti, që kanë menduar për këtë familje të madhe politike, me apo pa vetëdije, po aq sa edhe për familjet e tyre?
Ndaj, s’kish rrugë tjetër, edhe pse për të dytën herë në karrierën e tij ai ka përballë një kandidat të fortë. Dy të parët, në garën periodike të Bashkisë, e treguan vetë, ca vite më vonë, se nuk qenë ata që demokratët pretendonin se ishin. Sot, njëri pushon në periferi të politikës së partisë së tij, ndonëse i vëmendshëm për çka ndodh, tjetri me një parti që ka më pak vota se firmat që iu deshën për t’u regjistruar në gjykatë. Sot, pa mundësi për t’i kërkuar Tiranës të falur, në pamundësi për premtime të tjera, ai rravgon mes labirinteve të saj i maskuar politikisht, sepse s’ka rrugë të dytë.
Kjo ishte rruga e vetme, që, e parë nga selia e Partisë Socialiste, merr dy degëzime: njëri që i largohet Nënës Bashki dhe e fton kryetarin e dy karrigeve të lërë edhe atë të Partisë (pjesën e dytë të gjithçkasë së hedhur në lojë), dhe tjetri, ai i një 8 maji të vrarë pabesisht në mesin një gare të nisur edhe ajo si rrugë e vetme, pas mbylljes së dyerve të rrugës së bojkotit nga ndërkombëtarët. Kështu lindi edhe slogani i fushatës!

© Panorama.al

Te lidhura