
Lacio ka fituar derbin e Romës, teksa Lorik Cana nuk ishte as në pankinë. Por ajo që ka bërë më shumë përshtypje këtë javë kanë qenë pesë barazimet pa gola, të sigluara gjatë ditës së djeshme. Në shtatë ndeshje të luajtura dje, në vetëm dy prej tyre u realizuan gola, dhe kjo ndodhi në sfidën e luajtur midis Novarës e Bolonjës dhe në derbi. Pesë barazime 0-0 në kampionat nuk ndodhnin që prej vitit 1989. Pavarësisht rasteve të shumta, skuadrat nuk ia kanë dalë që të shënonin dhe duket se fati u ka buzëqeshur vetëm kuqebluve, të cilët kanë marrë fitoren e parë të sezonit. Udineze ka marrë një pikë ndaj Atalantës në transfertë. Miqtë kishin një mundësi të mirë që të mbanin të vetëm vendin e parë, por vendësit në disa raste u treguan më të rrezikshëm. Kaljari mban vendin e tretë në renditje, por drejtuesit nuk janë të kënaqur me barazimin në shtëpi ndaj Sienës. Në fillim të pjesës së dytë, miqtë mund të kishin bërë surprizën, por Brienza nuk ka shfrytëzuar siç duhet superioritetin numerik, 3 me 1. Çezena ka arritur që të fitojë një pikë ndaj një Fiorentine të rrezikshme. Në minutën e 74-t, Mutu e lë ekipin e tij me dhjetë lojtarë, pasi godet me bërryl Kasanin. Takimi midis Xhenoas dhe Leçes ka qenë i shëmtuar dhe kjo pasi kanë munguar aksionet për gol dhe loja e shpejtë. Vendësit e kanë mbyllur ndeshjen me 10 lojtarë, pasi Kaladze është ndëshkuar me karton të kuq në minutën e 79-të. Bolonja ka triumfuar në një ndeshje nervoze, ku pësoi një dëmtim serioz edhe portieri i përfaqësueses shqiptare, Sajmir Ujkani. Në minutën e 49-të shënon Ramirezi dhe kur vendësit kishin shtuar presionet për të barazuar, Akuafreska dyfishin rezultatin në të 64′-ën.
Juventus
Juventusi nuk ka marrë më shumë se një pikë në sfidën në transfertë ndaj Kievos, duke mbajtur vendin e parë në renditje, por pa mundur të shkëputet nga Udineze me pikë të barabarta. Ndryshe nga sfida me Milanin, përballja e djeshme ne Verona ishte e keqe. Bardhezinjtë treguan në fushë se kishin probleme sa i përket sulmit, pasi asnjë prej sulmuesve nuk ka mundur që të shënojë më shumë se një gol në 6 takime të luajtura.
Serie A
Të shtunën
Katania-Inter 2-1
AC Milan-Palermo 3-0
Napoli-Parma 1-2
Dje
Çezena-Fiorentina 0-0
Atalanta-Udinese 0-0
Kaljari-Siena 0-0
Kievo-Juventus 0-0
Xhenoa-Leçe 0-0
Novara-Bolonja 0-2
Lazio-Roma 2-1
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











