VETTING
Bota moderne u ka mundësuar mashtruesve financiarë që të bëhen më të sofistikuar, duke u kthyer në sfidë mbrojtja nga mashtrimet me kreditë. Me popullaritetin e huadhënies “online”, mashtruesit janë bërë kreativë për të arritur dhe aksesuar informacionin, krijuar strukturën por edhe evidentuar target grupin.
Qindra persona enden dyerve të institucioneve të drejtësisë, pasi bien pre e skemave mashtruese të zhvatjes së parave. “Vetting” do të sjellë disa nga skemat e përdorura së fundmi si me proceset e testamenteve e deri te kreditë “online” dhe skemës PONZI. Qytetarë të mashtruar, që kanë humbur paratë, por që kanë humbur edhe afatet janë pasojat që po lënë pas këto grupe të strukturuara. Gazetarët e “Vetting” kanë investiguar për të paktën një vit një nga veprimtaritë financiare të vetëquajtur “Banka BOA”. Pronarët e kësaj faqeje “online” shkruajnë komente në profilet e politikanëve, personazheve publike për të pasur shtrirje sa më të gjerë tek njerëzit e thjeshtë. “Shpeshherë shfrytëzohet padija e njerëzve për të marrë kredi dhe për t’u joshur nga interesat që iu thuhen në telefon apo përmes medias ‘online’. Janë njerëz që e kanë provuar dhe nuk kanë arritur të marrin kredi në bankë, në këtë rast u drejtohen këtyre institucioneve apo këtyre subjekteve që mund t’i mashtrojnë ‘online’ dhe bien viktima. Këshilla e parë që unë u jap njerëzve është që asnjëherë të mos mendojnë se duhet të japësh disa para për të marrë një shumë të caktuar borxh, absolutisht, që në atë moment që ty të kërkohet të japësh para për të marrë një kredi këtu kemi të bëjmë me një skemë mashtrimi”, – u shpreh Artur Ribaj, ish-drejtor i një banket të nivelit të dytë. Në këto komente reklamohen shifra marramendëse me qëllim që qytetarët të joshen për të marrw kredi lehtë dhe shpejt madje sasi deri në 10 milionë euro. Për të qenë të besueshëm në veprimtarinë e tyre, ata pretendonin se ishin të licencuar. Ndërsa joshnin klientët duke ju afruar atyre kredi. Gazetarët investigativ kontaktuan grupin e mashtrimet të kredive në email-in që kishin publikuar në komentet e postimit të një politikani shqiptar:
“Mirëmëngjesi! Po kërkoni një kredi të ligjshme? Jeni lodhur duke kërkuar për hua dhe hipotekë? Jeni refuzuar nga bankat tuaja? Keni nevojë për një huamarrës për të pastruar borxhet/faturat tuaja? Atëherë trauma juaj financiare ka mbaruar; ne ofrojmë kredi 5,000 euro minimumi deri në 10,000, 000 euro me interes 3 për qind. Ne jemi të certifikuar dhe të besueshëm. Ne mund t’ju ndihmojmë me ndihmë financiare. Nëse jeni të interesuar, na kontaktoni me emal: [email protected]”.
Në Republikën e Shqipërisë 80 % e qytetarëve kanë rënë pre e mashtrimeve me mesazhe të tilla, qoftë nga telefoni, qoftë nga email-i ose rrjetet sociale. Personave u kërkohet një shumë e caktuar parash për të depozituar përmes Wester Union, Maney Gram, për vetë faktin që duan t’iu përvetësojnë pasurinë, paratë e tyre, mbi të gjitha të jetë pre e këtij mashtrimi online, mbi të gjitha cilësohen viktima. I këshilloj qytetarët shqiptarë të mos hapin linke të tilla pa i verifikuar, të mos bëjnë blerje online me karta krediti, të verifikojnë çdo link që të jetë i besueshëm. Në të kundërt çdo link ose aplikacion që ato e shkarkojnë si pasoj ata mund të jenë viktima të sulmit kibernetik”, – tha avokati Mevlut Derti. Pas kontaktit në email, mashtruesit kalojnë në fazën e dytë duke dërguar numrin e telefonit dhe afruar më shumë me “prehën” e tyre. Numri i dërguar rezulton me prefiks suedez dhe në të dhënat e numrit është vendosur një emër, konkretisht Francesco Minervini. “Mashtrimet online me kreditë janë jo të besueshme pa u bërë verifikimi më parë për vetë faktin ku i ofrojnë një kredi online, së pari duhet të bëjnë një verifikim të saktë të kredidhënësit, kush është, licenca, jetëgjatësia e kompanisë. Duke kontrolluar besueshmërinë e dokumentacionit, atëherë qytetari nuk mund të jetë viktimë e një kredie online, në të kundërt mund të mashtrohet shumë thjesht për të rënë pre e kredive online. Duhen bërë verifikimet më minimale për të siguruar disa informacione paraprake”, shpjegoi Mevlut Derti. Pas verifikimeve të kryera nga gazetarët rezulton që edhe ky emër është një tjetër viktimë i këtij rrjeti që tashmë po i përdorin edhe të dhënat personale. Nëpërmjet një SMS-je në platformën “Whats App Vetting” më datë 28 nëntor 2023 i ka kërkuar shumën prej 22 mijë euro kredi të pretenduar. Në përgjigjet e kthyera nga pronarët e faqes BOA është bërë edhe kalkulimi se sa do të ishte kësti që do duhej të paguante çdo muaj. Pikërisht kjo shifër do ta ndiqte gjatë gjithë procesit të infiltruarin.
Vetting: Jam i interesuar për kredi 22 000 euro. Si i keni
procedurat?
Banka BOA: Për sa vite mund ta shlyeni?
Vetting: Si janë afatet dhe interesat që ta llogaris për sa vite
mund ta shlyej?
Banka BOA: 3 për qind. Për sa vite mund ta shlyeni?
Vetting: Maksimumi 84 muaj
Banka BOA: Parametrat e kredisë: Shuma e kredisë: 22000 euro.
Kohëzgjatja e kredisë: 84 muaj.
Norma vjetore e kredisë: 3 për qind.
Sigurimi mujor: 0
Fillimi i kredisë: 2/2024
Pagesa mujore e kredisë: 290 euro
Banka BOA: OK! Kur ju duhet kredia?
Vetting: Më duhet javën tjetër. Në datën 8 dhjetor 2023.
Banka BOA: Na dërgoni një foto të kartës së identitetit dhe ju do të paguani 220 euro për tarifat e aplikimit dhe ne do t’ju dërgojmë një dokument, ju nënshkruani dhe ne do t’ju japim kredinë.
Vetting: Të lutem a mund ta heqësh tarifën e parapagimit 220 euro? Ku ndodhen zyrat tuaja?
Banka BOA: Ne jemi në Francë dhe gjithçka bëhet ‘online’. Ne nuk jemi këtu për të mashtruar njerëzit.
Vetting: Do të nis foto të pasaportës
Banka BOA: A mund ta bëni pagesën sot?
Vetting: Pas pagesës do të dërgoj foton që të shikosh që i kam paguar.
Banka BOA: Në çfarë ore mund të shkoni dhe të bëni transferimin e 220 eurove?
Vetting: Ç ’rëndësi ka ora? Mund të më sillni faturën ku unë mund të paguaj?
Banka BOA: Për çfarë fature e ke fjalën. Duhet të paguani tarifat përpara se të merrni kredinë. Nëse e bëni pagesën sot, do ta keni gati kredinë të hënën.
POR CILA ËSHTË REALISHT BANKA BOA?
Nga kërkimet në Qendrën Kombëtare të Biznesit me emrin BOA nuk figuron asnjë institut financiar të nivelit të mesëm apo mikrokredi që të jetë regjistruar si person juridik apo fizik. Ky emër u vendos në motorin e kërkimit dhe jashtë vendit rezulton një institut financiar me po të njëjtin emër. Gazetarët i janë drejtuar me një kërkesë me email nëse kjo Bankë e huaj ka hapur filial në vendin tonë apo jemi përball një përdorje të emrit së kompanisë së huaj. Në përgjigjen e saj për “Vetting” shprehet se: ‘Përshëndetje dhe faleminderit që na kontaktuat. Ne nuk kemi asnjë degë të bankës tonë jashtë SHBA-s. Ne ofrojmë vetëm bashkëpunim me bankat ndërkombëtare që të lejojnë klientët e bankës së Amerikës të përdorin bankomatët e tyre pa të tërhequr para. Megi’! Duke qenë se pronarët e faqes BOA nuk kanë adresë fizike kanë kërkuar që pagesa t’ju shkojë përmes “ManeyGram” në këtë pikë të investigimit na del një tjetër emër.
Dërgesa do të bëhej tek shtetasi Alain Stanislas Pagbe. Gazetari i VETTING kryen pagesën 220 euro dhe komisionin për dërgesën që kushtonte 15 euro, më pas iu dërgohet me foto në “Whatsapp” që kishte përfunduar pagesën për përfitimin e kredisë. Por a do të mjaftonin 220 eurot e kërkuara për të përfituar kredi?
Banka BOA: Në sa minuta mund të kryeni pagesën?
Vetting: Për pak do të kryej pagesën. Sapo të kreva pagesën në emër të personit që më dërguat. Kjo është fatura, mund ta shihni.
Vetting: A jemi në rregull? Kur mund ta marr kredinë? Nga verifikimet gazetarët investigativ zbuluan se Alain Stanislas Pagbe ishte njëri prej bashkëpunëtorëve të skemës së mashtrimit i cili i tërheq parat jashtë kufijve të Shqipërisë pra 220 euro rezultuan të jenë dërguar në Francë. Pas pagesës së parë e cila kaloi kufirin të infiltruarit i jepet një tjetër emër në këto momente e cila rezulton të jetë shtetasja E.E. Shtetasja shqiptare do të ishte bartësja e këstit të dytë ku do të transferohej pagesa. Teksa shuma totale e paguar deri më tani arrin 430 euro, por kredinë e premtuar ende nuk po i miratohej të infiltruarit duke i përngjarë skemës piramidale PONZI.
Vetting: Tani që ju kam paguar, kur do të më jepni kredinë?
Banka BOA: Kontabilisti tha se duhet të paguani 380 euro
për shpenzimet e sigurimit të para se ai të japë kredinë.
Vetting: Tani po dyshoj. Ju keni thënë se nuk kërkoni sigurim mujor…
Banka BOA: 380 Euro kërkohen për sigurim mujor të kredisë, që duhet t’i paguani përpara se të merrni kredinë.
Vetting: Pse nuk ma shpjeguat që në fillim se duhet të paguaj edhe 380 euro? Atëherë duhet të më ktheni mbrapsht 220 euro. Nuk kam kaq para. Nuk jam i bindur që ju jepni kredi. A është ky mashtrim?
Banka BOA: Gjeni të paktën 210 euro që unë të mund të negocioj me kontabilistin dhe t’ju jap kredinë tuaj. Mua 220 euro nuk më bëjnë asgjë, jam njeri i përgjegjshëm, nuk jam fals. Më the që nuk ke të paguash 380 euro, atëherë gjeni të paktën
210 euro.
Vetting: Kjo do të jetë pagesa e fundit? Ku duhet të paguaj?
Banka BOA: Nëse na paguani sot 210 euro përmes Bankës….,kredinë do ta merrni të hënën. Mund të na thoni saktësisht në cilën orë do të shkoni në bankë? Më poshtë po ju dërgojmë numrin e llogarisë Bankare ku duhet të kryeni pagesën në emrin e shtetases shqiptare E.E. Grupi i mashtrimit kontaktoi sërish për të premtuar se të nesërmen do të jepnin kredinë, duke kërkuar disa të dhëna të tjera shtesë si emër, mbiemër, e-mail, numër telefoni, numër llogarie bankare.
Banka BOA: Duhet të klikoni në linkun e më poshtëm në “Transfercash.World”. Vendosni paswordin dhe kodin që ju sollëm
Vetting: Si duhet të veprojë tani?
Banka BOA: Klikoni për transferimin e parave.
Vetting: Kam ngecur tek kodi i sigurisë, çfarë duhet të vendos këtu tek hapësira? SWift?
Banka BOA: 07E8A7
Vetting: E vendosa kodin por më shfaqet kjo tabela që shihni në foto. Lexon transferimi i parave dështoi. Por pavarësisht premtimit përsëri Vettingut i kanë kërkuar
një tjetër pagesë.
Banka BOA: Ju duhet të paguani edhe 340 euro të tjera para se llogaria juaj të kreditohet, pasi është një bankë tjetër.
Vetting: Ju më thatë se nuk do të kërkoni para të tjera, por do të më jepnit kredinë. 340 euro ku duhet t‘i paguaj?
Banka BOA: Pagesën e tretë duhet ta bëni në llogarinë bankare të shtetases shqiptare E.E. Kontabilisti tha se përveç pagesës së lartpërmendur duhet të na paguani edhe 130 euro për dosjen e autorizimit nga ministria e Financave dhe do ta kesh
menjëherë kredinë.
Vetting: Ju kërkoni pagesa vazhdimisht, atëherë jeni duke mashtruar, do të bëj kallëzim penal në polici për shtetasit e mësipërm.
E gjithë saga e tentativave për të përfituar kredinë ka 11 muaj që vijon, por asnjë qindarkë nuk ka kaluar në llogarinë bankare të Vettingut.
Pas kësaj bisede, mashtruesit e kredive kërkojnë që personi që do të përfitonte kredinë mund t‘i drejtohet policisë ose gjykatës duke treguar një kartë identiteti që i përket një “viktime” të kredive, shtetas të moshuar italian i identifikuara si Francesco Minervini. Për të parë se çfarë do ndodhte me kredinë e premtuar Vetting i la një afat prej 9 muajsh kohë e mjaftueshme për të kaluar kredinë prej 22 mijë euro.
Pas kalimit të këtij afati kohor gazetarët kanë kontaktuar shtetasen shqiptare E.E për të marr dëshminë se ku kanë përfunduar paratë që janë transferuara në llogarinë e saj bankare. 35-vjeçarja ka zbuluar detaje tronditëse, rreth këtij grupi të strukturuar ku pretendon se është përdorur. Miliona lekë ishin kaluar në llogarinë e saj bankare nga disa qytetarë që kërkonin të merrnin kredi nga ky grup mashtrimi. Gjatë bisedës me gazetarët, e reja rrëfeu versionin se sipas saj, nuk ishte në dijeni të veprës penale, por që i kishte vendosur në dispozicion të mashtruesve llogarinë e saj bankare për të paktën dy vite. Duke i dhënë “përfaqësuesve” të bankës, kartën e bankës dhe kodin, teksa pretendonte se ua kishte dërguar nëpërmjet rrjeteve sociale.
“Është naivitet, ti i jep të dhënat e kartës tënde dikujt. Ku e ke dëgjuar ti që merren para dhe kredi online nga një institucion që ti nuk e njeh fare? Nga një faqe uebi që ti nuk e njeh fare. Që të jetë një faqe e sigurt duhet të fillojë me HHTPS,” deklaroi Drini Serjani Ekspert IT.
BISEDAT ME KAMERA TË FSHEHTË
Vëllai i E.H: Vjehrrës së saj i ka shkuar një mesazh, keni fituar një lotari amerikane, një budallallëk…
E.E: Jo, jo donacion…
Vëllai i E.E: po donacion, kjo donte të merrte lekët, kjo e zgjuara. Ka filluar transfertat nga 500 nga 1000, 2000, 3000. Transaksionet duke i ‘ua kaluar atyre në bankë. Emra të ndryshëm i ka aty tek ajo’
E.E: Fillimisht kam dërguar përmes ManeyGram…
Vetting: Në çfarë emrash i ke dërguar këto para?
E.E: Një është Romeho Mahim…
Vëllai i E.E: Një e ka Salif Straore.
E.E: Po…
Vëllai: Këtë e kam parë unë, pastaj e morën nga policia, i çuam ato në polici tek drejtoria…
Vetting: Çfarë të ofruan ata?
Vëllai: Paguaj këto që të marrësh 150 milionë lekë.
E.E: Atyre ju kam dërguar me foto kartën time bankare, të gjitha debitimet që janë bërë nga llogaria ime. Psh. Unë kam hedhur 500, ata i debitonin përmes kartës time bankare. Më kërkonte kodin tim që më vinte në telefonin tim, dhe unë ua dërgoja atyre, dhe ata i bënin direkt. E kam dhënë edhe paswordin e kartës bankare…
Vetting: Kjo pagesë është bërë në llogarinë tënde në 12 dhjetor 2023.
E.E: Nga këto lekë që më kanë dërguar unë nuk kam tërhequr asgjë.
Vetting: Lekët në llogarinë tënde kush i ka tërhequr?
E.E: Janë tërhequr me kartë jashtë shtetit.
Vëllai: Kjo edhe tek krimi ekonomik që i bënë denoncim, dmth që na thirrën..
E.E: Përveç teje, denoncimin e parë e kam marrë nga një adresë, nuk e di, banka…. Ai e ka bërë denoncimin e parë
Vetting: Sa kohë ka?
E.E: Është para F…, denoncim tek krimi ekonomik, ka qenë 5-6 muaj para teje. përveç teje se unë tani i kam parë, është një Anila Lleshi.
Vetting: Cila është arsyeja që nuk morët hapa të mbyllnit këtë llogari bankare?
E.E: E para e punës, unë kam pasur kredi në Bankën…., nuk mund ta mbyllja këtë llogari.
“Teorikisht është e pamundur që një haker të disponojë numrin 16-shifron të kartës, të posedojë datën e skadencës të kësaj karte gjithsesi edhe numrin CVV të kartës edhe pinin për të tërhequr para kesh”, sqaroi eksperti i IT Drini Serjani.
“Së pari, është detyrim ligjor që një person të bëjë kallëzim për një person që ka vjedhur sepse parandalon edhe raste të tjera që mund të jenë pre e këtyre vjedhjeve. Së dyti, duhet të marrë masa të menjëhershme për të mbyllur llogarinë bankare apo çdo lloj veprimi tjetër që mund të cenojnë të ardhurat e tij në një proces më të gjatë akoma. Këto janë dy veprime që duhet të ndërmarrë. Duhet t`i drejtohet organeve ligjzbatuese me kallëzim penal dhe e dyta të kontrollojë llogaritë e veta” sqaroi avokat, Arben Llangozi. Por 35-vjeçarja e vijonte prej vitesh këtë veprimtari pavarësisht ankesave nga qytetarët
Vetting: Kur e ke filluar aktivitetin?
E.E: Nga fundi i vitit 2022.
Vetting: Nga viti 2022 deri në vitin 2024, kur e ke ndërprerë ti?
Vëllai i E.E: Këtë vit e ka ndërprerë kur e zbulova unë…
Vetting: Si ka mundësi që 2-3 vjet nuk e ke kuptuar…
E.E: Unë e kam kuptuar doja të merrja lekët e mija…
Vëllai: Donte të merrte lekët e saja…
E.E: Mua më thoshin futi edhe 500 se do të marrësh kredinë patjetër, pastaj e kthyen kështu në kredi, sikur është kredi ajo që dua të marr unë. Po të lexosh bisedat do të kuptosh çdo gjë
Vetting: Denoncimin kur e keni bërë?
E.E: Kur më ka thirrur tek Krimi Ekonomik, se edhe ai më ka ndihmuar, më ka thënë sesi puna jote ka ardhur një tjetër për të denoncuar
Vetting: Denoncimin e kanë bërë klientët…
E.E: Edhe një gjë më bëri përshtypje, a ka të drejtë banka që të paguajë kredinë time?
Vëllai i E.E: Është me automat ajo, që kalon rroga dhe i mban
E.E: Rrogën nuk e kam tek Banka…..
Vetting: Ligjërisht ke qenë në dijeni?
E.E: Ligjërisht po, kam qenë në dijeni.
Vetting: Si ka mundësi që Policia e Shtetit dhe prokuroria nuk të kanë ndaluar?
E.E: Nuk e di
Vetting: Sa lekë kanë kaluar deri më tani në llogarinë tënde?
E.E: Për një vit, maksimumi mund të ishin deri në 1 milion e gjysmë
Vetting: Tërheqjen e parave e ke bërë ti?
E.E: Jo, unë nuk kam marrë asnjë lekë.
E.E: Kur thoshin këta do të marrësh lekët e kredisë thoshin duhet të kesh 500 mijë lekë plus. Duhet të kesh 500 mijë lekë në llogari që të fusim lekët tek llogaria. Psh. Unë kisha 200 mijë lekë, pjesën tjetër e tërhiqte ai…
Vetting: Si ka mundësi që në të gjitha rastet lekët i kanë marrë ata dhe jo ti?
E.E: Të thash pra, ata thoshin hidh 500 mijë lekë, duhet të plotësoheshin 500 mijë lekë. Unë nuk e kam ditur që hidheshin lekë nga persona të ndryshëm lekët, e kupton? Unë mendoja se këto lekë i hidhnin ata që do të më jepnin kredi…
Vetting: A nuk të bëri përshtypje që këto lekë tërhiqeshin nga banka?
E.E: Nuk e kuptoj dot. Më vinte mesazhi që kur kisha këstin e kredisë që nuk e kisha paguar, që e paguaja 5 ditë më mbrapa, që nuk kisha mundësi për momentin. Më vinte mesazhi:
Kësti i kredisë tuaj u bë. Pastaj vinte mesazhi; “Kredia juaj u pagua”. 35-vjeçarja në takimin me gazetarët e “Vetting” kupton se kishte zbuluar më tepër detaje nga sa duhej rreth këtij grupi të strukturuar dhe kërkon fshirjen e materialit madje duke arritur deri në kërcënime ndaj gazetarëve. Ndërkohë që burime zyrtare të policisë së shtetit sqarojnë se E. E., është person nën hetim dhe jo sikurse ajo pretendonte në bisedë me gazetarët e
“Vetting” që është viktimë e mashtrimit. Po kështu ajo nuk ka kryer asnjë denoncim si viktimë. Por është thirrur nga ana e Policisë për t’u pyetur pas denoncimeve që kanë ardhur në emër të saj, dhe tërheqjes së lekëve që janë bërë me kartën e bankës
që ajo disponon dhe që pretendon që jua ka dërguar personave të tretë. Mbetet që policia dhe organi i akuzës, të hetojnë e zbulojnë nëse ajo është viktimë apo pjesë e grupit të mashtrimeve online me kreditë. “Shantazhi apo kërcënimi i një gazetari apo
çdo qytetari të Shqipërisë është vepër penale dhe personi rrezikon burgim dhe shkon nga 5-10 vite burg vetëm për rastin e shantazhimit apo kërcënimit me jetë”, – deklaroi avokati Mevlut Derti.
Testamenti imagjinar: “Ju jeni trashëgimtar i 1 milion USD”!
Një vajzë, 30 vjeç, me banim në Tiranë, kishte vendosur në dispozicion të disa shtetasve të huaj, llogarinë e saj bankare me qëllim mashtrimin e shtetasve shqiptarë në hapësirën virtuale.
Kjo shtetase përfitonte 10% të shumës monetare për veprimet që kryente së bashku me këta shtetas. Në e-mail thuhet se ju mund të ndihmoni të transferojë miliona dollarë para se të konfiskohet nga Banka, ku ishte depozituar. Për këtë kishte disa skenarë ose personi kishte humbur jetën ose i kishte mbetur edhe 1 javë jetë. Një tjetër email rëndom është kur një person pretendon të jetë avokat nga jashtë shtetit ose pretendon të jetë nëpunës tjetër ligjor dhe iu dërgon një mesazh nëpërmjet postës elektronike (email), një mesazh në rrjete sociale ose një letër. Ata ju tregojnë se një person i pasur nuk është më dhe ka lënë pas një shumë të madhe parash duke përmendur dhe emrin viktimës. I vetë shpalluri avokat pretendonte se ishte duke administruar trashëgiminë dhe nuk ka qenë në gjendje të identifikojë asnjë nga të afërmit e personit që nuk është më. Si rezultat, paratë do të shkojnë për qeverinë ose nuk mund të tërhiqen. Avokati mashtrues sugjeron se, ai mund t’ju ndihmojë që ju të tërhiqni trashëgiminë dhe pastaj mund të ndani paratë midis jush, një mjet joshës për të rënë në grackën e mashtrimit.
“Patjetër që ekzistojnë opsionet online, patjetër që ekzistojnë opsionet që ti të shkosh fizikisht. Gjithmonë duhet treguar kujdes që të merret kredia përmes vajtjes fizike. Gjithmonë duhet të kemi kujdes, të marrësh një kredi është një borxh që duhet shlyer qoftë edhe në interes të ultë. Pasi sipas atyre treguesve që janë publikuar një normë interesi për kreditë online, kryesisht kredi të pagarantuara me kolateral shkojnë deri në 100 % të kthimit të tyre dhe mbi 140% atë që ne e konsiderojmë normë të interesit të aplikuar mbi kredinë. Në qoftë se ti merr 5 mijë euro duhet të shlyesh mbi 10 mijë euro”, sqaron Artur Ribaj.
Mashtruesit do të theksojnë nevojën për fshehtësi dhe do t’ju paralajmërojnë të mos i tregoni askujt tjetër në lidhje me marrëveshjen. Për t’ju nxituar në kryerjen e veprimeve dhe në të njëjtën kohë të ndërmerrni një vendim të nxituar, ata gjithashtu do të theksojnë nevojën për të vepruar shpejt duke vendosur dhe afate në raste të caktuara. “Organet ligjzbatuese nuk kishin bërë publikime të tilla që të tërheqësh para kesh pa pasur kartën, por të gjitha rastet e tjera janë raste që klientit i është hakeruar karta, dmth., personit tjetër i kanë hakeruar kartën, datën e skadencës, numrin CVV dhe pinin dhe mund të bëjë blerje ‘online’ por jo të tërheqë para kesh. Këto janë të gjitha rastet kur ndodh hakerimi i kartave”, – tha Drini Serjani, ekspert i IT!/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al