E paditi Vokshi, Gjykata e gjobit. Reagon Tahiri

Oct 24, 2011 | 18:50

TIRANE- Deputeti socialist, Sajmir Tahiri ka reagur menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila e gjobiste atë me 3.3 milionë lekë për shpifje ndaj deputetes, Albana Vokshi.

Në reagimin e tij ai shkruan se është njohur nëpërmjet mediave me vendimin, dhe se nuk priste që kërcënimi i Jozefina Topallit në seancën e kaluar do kthehej kaq shpejt në vendim gjykate.

Më tej ai citon kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli “Deklarata e Jozefina Topallit ne seancën e kaluar, Dt 20.10.2001: “Ju keni gjetur rrugën tuaj, megjithatë ju them se në gjyq do jeni njëri më datë 31 dhe tjetri më datë 26. Fletë-padinë e kam në zyrën time, nuk ka procedurë””

Tahiri ka theksuar se ende nuk është njohur me arsyetimin e vendimit, duke shtuar se “uroj që gjyqtari Vokshi të ketë arritur me sukses të sqarojë se në cilën pjesë të deklaratave të mia nuk kam thënë të vërtetën”

“Një gjë është e sigurt, jo Albana Vokshi e cila është vetëm një copë e vogël e dhjamit të pushtetit, por as Jozefina Topalli e as Sali Berisha dhe pushteti i tyre i krimbur, nuk do arrijnë dot të më mbyllin gojën duke më ndaluar të them të vërtetat që shqiptarët duhet të dinë për këtë qeveri.”- shkruan me tej ai në reagimin e tij.

Gjykata e Tiranës ka dhënë sot vendimin lidhur me padinë civile që deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi kishte depozituar në ngarkim të kolegut të saj socialist, Sajmir Tahiri.

Vokshi kishte paditur Tahirin për “shpifje”, ndërsa gjykata në vendimin e dhënë sot pas 15 seancave gjyqësore ka vendosur gjobitjen me 3.3 milionë lekë për deputetin socialist.

Padi e Vokshit ishte depozituar më 15 shtator në Gjykatën e Tiranës. Deputetja demokrate ka kërkuar shpërblim të dëmit qe i kan shkaktuar deputeti socialist me deklaratat e tij publike. Vokshi ka akuzuar kolegun  se ka sajuar ndaj saj akuza te paqena.

© Panorama.al

Te lidhura