
Ndryshon Kodi Penal, ministri: Paketa më e ashpër në 20 vite kundër krimit.
Parlamenti miratoi dje me konsensus ashpërsimin e dënimit në Kodin Penal, i quajtur ndryshe “Paketa e drejtësisë penale”, e propozuar nga ministri i Drejtësisë Eduard Halimi. Ndryshimet në Kodin Penal kërkonin një shumicë të cilësuar votash dhe u miratuan dje me 98 vota pro, asnjë kundër dhe 2 vota abstenim. Abstenim votuan socialistët Damian Gjiknuri dhe Arben Isaraji. Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, tha dje se kjo është paketa më e ashpër për luftën ndaj krimit në 20 vite.
“Ne propozojmë sot paketën më të ashpër të këtij krimi këto 20 vite. Me angazhimin më serioz për të sprapsur krimin për çështje të cilat shqetësojnë sot opinionin publik, si mbrojtja e jetës, siguria e jetës dhe siguria publike, ‘Paketa e drejtësisë kriminale’ ka një mesazh të qartë: forcimin e luftës ndaj kriminalitetit, duke ashpërsuar dënimet dhe duke i dyfishuar ato për disa vepra penale”, u shpreh Halimi.
Ndryshimet në Kodin Penal parashikojnë dhe dënim të përjetshëm të personave që vrasin policët, funksionarët publikë dhe vrasja për arsye gjakmarrje. Për disa rrethana krimesh jepet dënim maksimal deri në 40 vjet burg dhe minimumi deri në 28 vjet burg.
“Vrasja me dashje e punonjësve të Policisë së Shtetit, gjatë detyrës ose për shkak të saj, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura, dënohet me burgim jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm”, thuhet në ndryshimet e reja. Po ashtu, një pikë tjetër që ka ngjallur debate është edhe kryerja e marrëdhënieve pa dëshirë me bashkëshorten, që tashmë konsiderohet si krim dhe dënohet nga 3 deri në 10 vjet burg. “Kryerja e marrëdhënieve seksuale me dhunë, me të rritura ose midis bashkëshortëve, apo bashkëjetuesve pa pëlqimin e njërit prej tyre, dënohet me burgim nga 3 gjer në 10 vjet”, thuhet në nenin 21 të Kodit. (PANORAMA)
© Panorama.al











