Dy të plagosur për flamujt e PS

Apr 11, 2011 | 10:37
Lokali ku ndodhi ngjarja, në pronësi të familjes Kamberi

Djali i kandidatit të Partisë Socialiste për komunën e Kasharit, bashkë me dy militantë të PS-së plagosën dje me gurë dhe grushte dy vëllezër, simpatizantë të Partisë Demokratike.Ngjarja ndodhi dje rreth orës 16:00, në lokalin në pronësi të vëllezërve Genci dhe Fatjon Kamberi, në Qafë-Kashar, në krahun e majtë të autostradës Tiranë-Durrës. Sipas burimeve nga policia e Tiranës, shkak i incidentit ka qenë vendosja e flamujve të Partisë Demokratike, përreth lokalit të vëllezërve Kamberi dhe shtyllave të ndriçimit në fshatin Kashar. Njëkohësisht në shtyllat e ndriçimit ishin vendosur edhe disa flamuj të Partisë Socialiste, por militantët e majtë kanë pretenduar se numri i simboleve të tyre ishte më i vogël se i atyre të PD-së. Ky ka qenë motivi i incidentit, që solli përplasjen fizike mes simpatizantëve socialistë, Alfred Sulaj, Shkëlqim Lleshi, Luan Sulaj dhe Zani Sulaj, me vëllezërit Genci dhe Fatjon Kamberi. Si rezultat i plagëve të marra në pjesë të ndryshme të fytyrës, dy vëllezërit Kamberi, përkatësisht 35 dhe 27 vjeç, përfunduan për mjekim në Spitalin Ushtarak. Nga ana tjetër, forcat e policisë së Komisariatit nr.6, që ka në juridiksion zonën e komunës Kashar, shoqëruan në polici dhe nisën procedim penal në gjendje të lirë, ndaj njërit prej agresorëve, Luan Sulaj, ndërsa po punohet për ndalimin e tre të tjerëve. Njëri prej autorëve, Alfred Sulaj, përveçse është djali i kandidatit socialist për komunën e Kasharit, Jakup Sulaj, është edhe ish-kryrkomunar i kësaj komune. Ai është akuzuar për falsifikim dokumentesh pronësie, në fshatrat e komunës Kashar.
INCIDENTI “ELEKTORAL”
Rreth orës 16:00 të ditës së djeshme, vëllezërit Genci dhe Fatjon Kamberi, së bashku me miqtë e tyre, të gjithë simpatizantë të djathtë, kanë përfunduar vendosjen e flamujve të Partisë Demokratike, në shtyllat e ndriçimit dhe përreth lokalit në pronësi të tyre. Në këtë kohë, një furgon dhe dy vetura kanë ndaluar para lokalit të vëllezërve Kamberi dhe menjëherë kanë nisur t’u kërkojnë shpjegime, se përse kishin vendosur flamuj të PD-së, në një kohë që aty në mënyrë të barabartë duhej të kishte  edhe flamuj të PS. Sipas dëshmitarëve të ngjarjes, në makina përveç Alfred Sulajt dhe tre personave të tjetër të shoqëruar, ndodheshin të paktën edhe 12 persona, që i janë afruar lokalit. Në kohën kur dy vëllezërit Kamberi, e kanë argumentuar vendosjen e flamujve të PD-së me faktin se aty ishte prona e tyre, situata është acaruar dhe katër prej militantëve socialistë, të drejtuar nga Alfred Sulaj, kanë sulmuar fizikisht dy vëllezërit. Sipas policisë, Genci dhe Fatjon Kamberi janë goditur me mjete të forta dhe grushte, por babai i të plagosurve dhe dëshmitarë të tjerë pretendojnë se ata janë goditur me tytë pistolete në fytyrë. Pasi kanë gjakosur vëllezërit, 4 autorët dhe personat e tjerë që ndodheshin me ta, kanë hipur në makina dhe kanë lëvizur me shpejtësi në brendësi të fshatit Kashar dhe njëri prej tyre është ndaluar disa minuta më vonë nga policia.
DESHMITARET
Dëshmitarë të ngjarjes dhe babai i dy të plagosurve thanë dje se incidenti nuk mund të konsiderohet elektoral, por konflikt pronësie. Njëri prej autorëve të sulmit, Alfred Sulaj, është arrestuar në dhjetor të vitit 2007 si ish-kryetar i komunës, bashkë me dy ish-kryekomunarë të Kasharit, Faik Fejzo dhe Naim Karaj, me akuzat për falsifikim dokumentesh pronësie, korrupsion e shpërdorim detyre. Ata u liruan nga burgu në vitin 2009, pasi kishin bërë më shumë se dy vite burg. Sipas dëshmitarëve, konflikti real mes Sulajt dhe fisit Kamberi nuk është elektoral, por për pronat, duke qenë se ky fis ka sipërfaqen më të madhe të pronave të prekura nga falsifikimet në Kashar.

Vëllezërit e plagosurnë spital
Dy personat e plagosur nga goditjet me grushte, gurë dhe objekte të tjera të forta të përdorura nga militantët socialistë, janë  vëllezërit Genci dhe Fatjon Kamberi, pronarë të lokalit ku ishin vendosur flamujt e PD-së dhe ku ndodhi ngjarja. Ata janë transportuar menjëherë për mjekim në Spitalin Ushtarak, ku sipas mjekëve plagët ishin kryesisht në pjesën e fytyrës dhe në kokë, por pa rrezik për shëndetin e tyre. Pasi kanë marrë mjekimin e nevojshëm, Genci dhe Fatjon Kamberi, kanë lënë spitalin dhe janë paraqitur në Komisariatin nr.6, në Kombinat, ku kanë treguar rrethanat se si ka ndodhur ngjarja, në cilësinë e personave të dëmtuar. Ata kanë deklaruar se nuk lokali i tyre në Qafë Kashar, shërben edhe si shtab elektoral, ku mblidhen herë pas here simpatizantët e Partisë Demokratike, por megjithatë kanë lejuar që në pronën e tyre të vendosen edhe disa flamuj të PS-së.

Babai i të plagosurve: Konflikti fizik ndodhi për shkaqe pronësie

Xhavit Kamberi, babai i të plagosurve

TIRANE – Xhavit Kamberi, babai i dy vëllezërve të plagosur në Kashar, pas konfliktit me militantët socialistë për flamujt e partive, tregoi dje se autorët kanë gjetur vetëm një motiv për të shkaktuar incidentin, por problemi i tyre është tek pronat dhe jo tek flamujt e partive. Ai tregoi gjithashtu se Alfred Sulaj ka sulmuar djemtë e tij, Genci dhe Fajton Kamberi, me një grup prej 15 vetash dhe i ka goditur me tytën e pistoletës. Kamberi përfitoi nga rasti për t’i bërë thirrje kryeministrit Sali Berisha që të ndërhyjë për çështjen e Kasharit, pasi në rast se problemet vazhdojnë në këtë mënyrë, aty mund të derdhet edhe gjak.
Çfarë mund të thoni për incidentin mes djemve tuaj dhe militantëve të Partisë Socialiste?
Djemtë e mi kanë qenë në punën e tyre, në lokalin e tyre dhe në pronën e tyre, që në fakt është shumë e lakmuar nga Alfred Sulaj dhe shokët e tij. Genci dhe Fatjoni sapo kishin vendosur flamujt e PD-së pranë lokalit, sepse ne e kemi deklaruar se jemi të djathtë, pasi nuk mund të jemi kurrë me ata që na internuan për 20 vjet, dhe në atë moment vjen Alfred Sulaj me “eskortën” e vet, duke kërkuar shpjegime se përse aty vendoseshin vetëm flamuj të PD-së dhe jo të PS-së. Më pas bashkë me shokët e tij, godet djemtë e mi me tytë pistoletë në fytyrë. Por për mua çështja e flamujve ishte një pretekst, sepse problemin e ka për tjetër çështje Alfred Sulaj dhe babai i tij, Jakup Sulaj, që kandidon për komunën e Kasharit, i propozuar nga Partia Socialiste.
Sipas jush ku qëndron problemi?
Problemi i tyre është te tokat tona, pasi ne jemi fisi më i madh në komunën e Kasharit, prej 150 familjesh dhe për rrjedhojë, kemi edhe shumë prona. Prona që Alfred Sulaj na i tjetërsoi kur ishte kryetar komune, për të cilat edhe u arrestua bashkë me të tjerët dhe u lirua sepse dha para, prona të cilat kërkon t’i shesë edhe babai i tij, duke pretenduar se do të fitojë komunën e Kasharit. Për këto prona janë vrarë njerëz të fisit tonë, fisit Kamberi. Ju e mbani mend si u vra dhe si u përpoq të fshihej vrasja e Gani Kamberit, që ishte i pari që denoncoi padrejtësitë që po bëhej me pronat tona? Me këtë rast i bëj thirrje kryeministrit Berisha që të ndërhyjë për zgjidhjen e problemit të pronave tona, pa u shkaktuar incidente të tjera që mund të kenë pasoja edhe më të rënda, mund të derdhet edhe gjak.

Pronat në Kashar, në 2007 u gjet i vdekur denoncuesi i falsifikimeve

Denoncuesi dhe dëshmitari i aferës së korrupsionit dhe falsifikimit me trojet e tokave në Kashar, 55-vjeçari Gani Kamberi, u gjet i vdekur me një plumb në kokë në afërsi të shtëpisë së tij, mbrëmjen e 13 tetorit 2007. Policia atëherë nuk arriti të zbulonte asnjë gëzhojë të armës me të cilën u qëllua dëshmitari i dosjes “Kashari”, e cila arrestoi tre ish-kryetarët e komunës dhe gjashtë bashkëpunëtorë të tyre në abuzimet me tokat. Shtatë muaj pas ngjarjes, Policia e Tiranës konfirmoi se pas disa javësh kërkime në vendngjarje, ishte gjetur një gëzhojë arme. Për vrasjen e Gani Kamberit, policia për muaj me radhë e pati të vështirë të gjente prova, madje edhe sot dyshohet se është ekzekutuar nga vrasës me pagesë. Por, ajo që për familjarët është e sigurt, është fakti se Gani Kamberit u vra se denoncoi vjedhjen e 9 mijë metra katrorëve tokë, në pronësi të tij. Për shkak të dyshimeve të familjarëve dhe Prokurorisë se Gani Kamberi mund të ishte vrarë, dhe jo vetëvrarë, siç policia e kishte klasifikuar ngjarjen, organi i akuzës urdhëroi zhvarrimin e kufomës. Deklarimet e familjarëve të Gani Kamberit që flisnin për vrasjen e tij u referuan në Prokurori. Të afërmit thanë se Kamberi kishte marrë kërcënime nga persona të ndryshëm, pasi kishte denoncuar aferën me tokat. Katër ditë para vdekjes, ai kishte denoncuar në polici dhe Prokurori, aferën e vjedhjes, falsifikimit dhe mbivendosjes së pronave në komunën e Kasharit dhe në fshatrat e kësaj komune.

 

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura