
Ka ardhur nga Italia për t’i dhënë lamtumirën e fundit të vëllait të vrarë në rrethana makabre. Qemal Çopa, vëllai i madh i oficerit të SHISH-it, i cili u gjet i shkrumbuar nga flakët mesnatën e së hënës, deklaron me plot gojën se Isa Çopa është vrarë. Ashtu si dhe të familjarët e tjerë, që nuk e besojnë se 49-vjeçari ka vrarë veten, dhe Qemali mohon kategorikisht këtë pistë.
Dëshmia
“E mohoj se im vëlla është vetëvrarë. Isai është vrarë dhe këtë e them me plot bindje. I bëj thirrje Policisë, Prokurorisë dhe të gjitha strukturave të shtetit të gjejnë vrasësin apo vrasësit e vëllait tim dhe t’i vënë ata përpara Drejtësisë”. Për vëllanë e punonjësit të lartë të Shërbimit Informativ Shtetëror në Durrës, nuk kishte asnjë arsye që Isai të ndërmerrte atë akt aq ekstrem. “Ai nuk kishte asnjë problem në familje. Familjen nga ana ekonomike e kishte shumë mirë. Vetë ishte në punë, gruaja gjithashtu. Kishte ndërtuar këtë shtëpi me mund dhe i donte shumë familjarët e tij. Problem në familje nuk kanë pasur asnjëherë. Isai është vrarë për shkak të punës së tij, pasi nuk kishte asnjë arsye tjetër. Ndoshta drejtimi i punës që ka pasur apo ndonjë gjë që ka ditur ai në punën e tij kanë sjellë eliminimin e tij. Prandaj, të gjendet sa më shpejt fajtori”, ka deklaruar vëllai i oficerit Qemal Çopa. Familjarët mohojnë se ka qenë Isai që i ka çuar mesazhin të birit, pak orë para se të gjendej i vdekur. Por, ata e cilësojnë si një veprim të autorëve për të fshehur krimin, ashtu siç sipas tyre, kanë vazhduar duke djegur makinën bashkë me një njeri brenda saj. Gjatë ditës së djeshme, sapo familja ka bërë drekën e të tretave për të ndjerin, ashtu siç është dhe zakoni, anëtarët e saj janë thirrur në polici, ku janë marrë në intervistë nga oficerët e grupit hetimor. Së bashku me familjarët e të afërmit e Isa Çopës, në pyetje janë marrë edhe kolegët e oficerit. Madje, kryetari i SHISH-it në Durrës ka një rol kryesor për të ndihmuar Policinë dhe Prokurorinë me dhënien e detajeve lidhur me çështjet që Isa Copa po ndiqte muajt e fundit. Përgjatë tri orëve janë marrë në pyetje familjarët, kryesisht vëllezërit, gruaja dhe djali 17-vjeçar i viktimës.
Hetimet
Vdekja misterioze e shefit të Kundërzbulimit për të Huajt në SHISH vijon të hetohet mes pistave të vrasjes dhe të vetëvrasjes, nga ana e hetuesve të çështjes. Për të zbardhur detaje mbi punën, familjen apo edhe konfliktet e tjera të mundshme, në Policinë e Durrësit janë thirrur për të dëshmuar mbi 25 persona, ku veç familjarëve, kanë qenë në mes tyre dhe kolegë të punës, si dhe dëshmitarë në vendngjarje, ku dhe është gjetur automjeti i djegur së bashku me trupin e pajetë të 49-vjeçarit Isa Çopa. Burime konfidenciale nga grupi hetimor i angazhuar për zbardhjen e vdekjes misterioze të shik-asit, pohojnë se dëshmitë e dhëna nga familjarët, por edhe kolegët e tij të SHISH-it, kanë ndihmuar në ndërtimin e ngjarjes së rëndë. Të njëjtat burime saktësojnë se mes dëshmive të marra janë zbardhur detaje të reja lidhur me aktivitetin e përditshëm të të ndjerit, por edhe për çështjet që ai po ndiqte të paktën në muajit e fundit, duke lidhur vdekjen për shkak të detyrës. Hetues të policisë, Prokurorisë së Durrësit si dhe ekspertët më të mirë të kriminalistikës dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror, janë angazhuar për zbardhjen e rrethanave misterioze të vdekjes së kryetarit të Degës së Kundërzbulimit për të Huajt, Isa Çopa, duke mos përjashtuar asnjë nga versionet, apo deklaratat e deponuara në Policinë e Durrësit. Rol kryesor në zbardhjen e ngjarjes pritet të luajë dhe kreu i SHISH-it në Durrës, i cili pritet të ndihmojë hetuesit e çështjes në dhënien e informacioneve konfidenciale lidhur me çështjet që viktima po ndiqte në muajt e fundit. Informacion ky që pritet të drejtojë hetuesit e çështjes drejt një zbardhjeje të plotë të ngjarjes, por edhe të rrethanave.
Familjarët: Nuk i ishte prerë gjuha
Familjarët e viktimës Isa Çopa kanë reaguar dje ndaj faktit të botuar në një prej mediave, që njeriut të tyre i ishte prerë gjuha. Bazuar dhe te përshkrimi i ekspertëve mjeko-ligjor, sipas tyre, si pasojë e dhimbjes dhe më pas zjarrit që ka pushtuar mjetin ku ndodhej 49-vjeçari është krijuar rrudhosja e saj. Viktima, para se të jepte shpirt, dyshohet të ketë shtrënguar dhëmbët, çka ka provokuar dhe deformimin e gjuhës.
Pas kontrollit në zyrën e punës së viktimës
Dosjet e zhdukura, pritet konfirmim nga SHISH
Nisur nga deklaratat jozyrtare dhe ende të pakonfirmuara nga ana e Policisë, dyshohet që 49-vjeçari para se të ndërronte jetë kishte marrë disa dokumente me vete. Këtë fakt e kanë dyshuar dhe kolegët e tij, të cilët mësohet se ia kanë përcjellë si element kyç grupit hetimor. E megjithatë, pritet një konfirmim zyrtar i këtij fakti nga vetë kreu i SHISH-it në ditët në vazhdim, pasi të analizohet protokolli i institucionit dhe zyra e të ndjerit. Ndërkaq, versioni përfundimtar mbi orën, mënyrën dhe shkakun e vdekjes do ta japë Instituti i Mjekësisë Ligjore, i cili pritet të dalë pas plot 2 javësh, duke i dhënë një herë e mirë fund aludimeve të ngritura mbi rrethanat e vdekjes së Isa Çopës. Deri tani, Policia e Durrësit po punon mbi të dyja pistat, ndonëse po i mëshon asaj të vetëvrasjes së Isa Çopës, nisur nga rrethanat në të cilat u gjet i pajetë viktima. Vetëm ekspertiza përfundimtare e mjekëve ligjorë, akti balistik mbi armën e gjetur në makinë, si dhe përgjigjet e tabulateve mbi telefonatat e fundit në të dy numrat celularë, do të kthejnë peshoren mbi pistën përfundimtare për vdekjen e shefit të SHISH-it.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ
© Panorama.al











