Durrës, e divorcoi gruaja, gjendet i varur 30-vjeçari

Oct 20, 2011 | 12:04

Vetëvaret pak kohë pasi e shoqja i kërkoi divorcin. Policia e Durrësit bëri të ditur se një 30-vjeçar u vetëflijua mëngjesin e djeshëm në këtë qytet. Ngjarja ndodhi në Lagjen Nr.1 në Kodër-Vilë, ku shtetasi Shpëtim Çorrja është gjetur i varur nga familjarët në tualetin e banesës së tij. Sipas të dhënave të para, shkaku që e ka shtyrë 30-vjeçarin drejt vetëflijimit ka qenë depresioni. Shpëtim Çorrja ishte divorcuar para disa kohësh nga bashkëshortja dhe jetonte me prindërit e tij. Mësohet se në momentin e ngjarjes ai ka qenë i vetëm në banesë. Pas konstatimit të trupit të pajetë nga familjarët, ata kanë lajmëruar policinë. Grupi hetimor që mbërriti në vendin e ngjarjes kreu veprimet e duhura, ndërsa mori në pyetje edhe të afërmit e viktimës me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqet që kanë detyruar viktimën t’i japë fund jetës duke u vetëvarur. Ata kanë deponuar se 30-vjeçari kishte vuajtur nga depresioni dhe pikërisht për këtë shkak bashkëshortja e tij kishte vendosur t’i jepte fund edhe martesës. Divorci me të shoqen vetëm sa e kishte ngarkuar gjendjen e tij psikologjike deri në vendimin fatal për t’i dhënë fund jetës. Grupi i hetimit bëri të ditur se nuk përjashton as pista të tjera për ngjarjen, por paraprakisht, bazuar në të dhënat e të afërmve të viktimës, ka rezultuar se 30-vjeçari kishte vuajtur prej disa kohësh nga gjendja depresive. Duke parë gjendjen që vetëm sa vinte e rëndohej, bashkëshortja e tij ishte larguar nga banesa duke kërkuar edhe zgjidhjen e martesës. I ndodhur në këto kushte, ai ishte mbyllur në banesë dhe nuk shoqërohej me askënd. Viktima ka shfrytëzuar rastin kur familjarët ishin larguar për të kryer punët e përditshme për të kryer edhe aktin fatal të vetëflijimit. Policia bëri të ditur se është sinjalizuar nga familja Çorrja dhe se menjëherë kishin nisur hetimet. Viktima është dërguar në morgun e spitalit të Durrësit, ku iu nënshtrua ekspertizës mjekoligjore dhe më pas trupi iu dorëzua familjarëve të tij.

PRECEDENTET
Dy ditë më parë, një 41-vjeçare nga Shkodra dhe një 68-vjeçar nga Lushnja i dhanë fund jetës duke u vetëvarur. Policia nisi hetimet dhe në të dyja rastet dolën në konkluzionin paraprak se viktimat vuanin nga depresioni. Ky rezultat bazohej edhe në të dhënat e familjarëve të tyre, të cilët kishin deponuar për grupin e hetimit se viktimat merrnin edhe mjekime për depresionin. Gjatë muajve të fundit, në rrethe të ndryshme të vendit, kanë ndodhur disa raste të vetëflijimeve, përfshirë madje edhe të mitur.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura