Durrës, anija turke ndërpret kërkimet për tetë marinarët

Oct 24, 2011 | 12:17
Fregata turke “TCG Barbaros” në Portin e Durrësit

Pas një operacioni 48 orësh, i cili rezultoi pa sukses, fregata turke “TCG Barbaros” ndërpreu kërkimet në det për tetë marinarët e zhdukur të anijes “Reina 1”. Prej mëngjesit të së enjtes nuk ka asnjë shenjë për marinarët turq të humbur në ujërat e Adriatikut, bashkë me mjetin e tyre. Anija turke filloi kërkime të përbashkëta edhe me autoritetet shqiptare, vetëm disa orë pas aksidentit të rëndë ujor të 17 tetorit, kur anija tregtare u fundos si pasojë e përplasjes me tragetin “Ankara” të linjës Durrës-Bari. Mëngjesin e djeshëm, fregata turke është futur për furnizim në Portin e Durrësit. Mësohet se gjatë qëndrimit në

Ambasadori turk Ahmet S. Asan me ekuipazhin e fregatës

Portin e Durrësit anija “TCG Barbaros” do të bëjë dhe pastrimin e pajisjeve nga ndotjet gjatë kërkimit dyditor për tetë marinarët që rezultojnë të humbur. Edhe pse fregata ushtarake turke “Barbaros” është një mjet që disponon teknikë moderne në gjetjen e trupave të humbur në det, ajo nuk ka mundur dot të nxjerrë ndonjë shenjë për të zhdukurit. Ndërkaq, për sa u përket hetimeve, ato po vazhdojnë, por deri më tani nuk ka një version zyrtar se cilat kanë qenë shkaqet. Vetëm kutia e zezë e anijes do të mund të hedhë dritë si dhe do të sqarojë rrethanat se si ka ndodhur përplasja në det e mjeteve, 20 milje larg brigjeve të Durrësit. Ekspertet paraprakisht flasin për një gabim njerëzor. Ambasadori turk në Tiranë, Ahmet S. Asan, ka vizituar ekuipazhin e anijes ushtarake “Barbaros”, pas mbërritjes së saj në portin e Durrësit. Anija e marinës turke, mëngjesin e ditës së diel ka hyrë në portin e Durrësit për t’u furnizuar dhe ky moment është shfrytëzuar nga ambasadori turk për të zhvilluar një takim me ekuipazhin. Ambasadori tha se shkak i fundosjes së shpejtë të anijes tregtare “Reina 1” pas përplasjes së saj me tragetin “Ankara”, është bërë ngarkesa e saj. Sipas tij, 3 mijë tonë alumin kanë ndikuar në çarjen e shpejtë të anijes dhe të fundosjes së saj të menjëhershme në thellësitë e Adriatikut. Sipas ambasadorit, operacionet e kërkimit zgjasin 72 orë, ndërsa ka shtuar se “Barbaros” dhe anija “Iliria” do të vendosin nëse operacioni do të vijojë apo do të ndërpritet. Diplomati turk ka pohuar se hetimet për të gjetur 8 të zhdukurit do të vijojnë nga autoritetet e Maltës dhe të Ankarasë, pasi edhe dy mjetet në incident kanë flamur maltez e turk. Prej ditës së aksidentit tragjik, trageti i linjës Durrës-Bari qëndron i ankoruar në portin italian.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura