Duro: Vllanzia e fortë, por nëShkodër fitojmë ne

Oct 10, 2011 | 11:57
Klodian Duro (djathtas)

Klodian Duro e thotë hapur, Tirana e tij do të shkojë në Shkodër për fitore dhe për blindimin e vendit e parë. Pas angazhimit me Kombëtaren, mesfushori e ka kthyer vështirin te bardhbelutë. Elbasanasi është i pezulluar për shkak kartonësh dhe në të tilla kushte sot do t’i bashkohet kryeqytetasve në stërvitje. “Po e pres me shumë dëshirë këtë ndeshje, pasi kam vite që nuk e kam shijuar. Mendoj se kjo do të jetë një takim sa i bukur, aq edhe i vështirë. Mund ta cilësoj si një derbi, duke qenë se kanë dhënë shumë për futbollin Shqiptar. E dimë që nuk do ta kemi të lehtë, megjithatë është momenti që të konfirmohemi si pretendentë. Në qoftë se duam titullin, duhet që të fitojmë edhe me rivalët në fushat e tyre. Unë nuk e mendoj humbjen këtë transfertë, pasi shkojmë vetëm për fitore. Por në rastin më të keq, edhe nëse nuk ia dalim, jam i sigurt që futbolli i bukur nuk do të mungojë”, u shpreh mesfushori 33-vjeçar për këtë tranfertë. Duro duke bërë një krahasim mes të Tiranës dhe Vllazninë, arrin të gjej ndryshimet dhe të përbashkëtat ndërmjet tyre. “Kam pasur fatin e mirë që të jem pjesë e të dyja skuadrave. Kam kaluar shumë mirë edhe në Shkodër, do të ishte e pakuptimtë të mos e pranoja. Sakaq, mendoj se janë jo vetëm ekipet më elitare në Shqipëri, por janë ato që dinë të bëjnë diferencën, duke dhuruar futboll të bukur. Shto këtu edhe tifozëritë përkatëse, që janë më të zjarrtat. Diferenca që favorizon ekipin tim, pra Tiranën, janë titujt dhe shpirti i garës që i karakterizon në 90 minuta lojë. Ndryshe nga shkodranët, që përpiqen më shumë të bëjnë lojë të bukur dhe kjo i shpërqendron paksa nga rezultati”, tha Duro.

Mesfushori: Kthesë ndaj Rumanisë
Në mbyllje të fjalës së tij, mesfushori Klodi, nuk nguron të falsë edhe për Kombëtaren. Mesfushori prek shkurtimisht ndeshjen në Francë, por edhe atë ndaj Rumanisë. “Humbën në Francë, në një ndeshje që nuk prisnin mrekullinë. Megjithatë, mendoj se rezultati 3-0 ishte i evitueshëm, kjo pasi që të tre golat e pësuar, erdhën si pasojë e gabimeve individuale. Por, nuk mund të hezitoj pa e thënë që Roshi tregoi se do të jetë e ardhmja e ngjyrave kuqezi, ndaj suksese. Unë mendoj gjithashtu se ndaj Rumanisë ekipi të bëjë kthesën”, përfundoi Duro.

© Panorama.al

Te lidhura