“Duka m’u lut që të rinovoja”

Oct 25, 2011 | 14:06
Kuzhe e Duka gjatë një konference shtypi

Ish-trajneri i Kombë-tares shqiptare, Josip Kuzhe, ka pohuar se presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i është lutur para disa ditësh kur u takua me atë në zyrë, që ai të rinovonte kontratën me kuqezinjtë. Në një intervistë për “Jutarnji List”, kroati ka theksuar gjithashtu se ndihej mjaft mirë në Shqipëri, i vlerësuar si nga lojtarët dhe nga tifozët, por nuk e shihte të arsyeshme që të rinovonte edhe për dy vite të tjera dhe të qëndronte gati pesë vjet në krye të së njëjtës skuadër.
Ishit në drejtim të Shqipërisë por u larguat, përse?
E mbylla kapitullin me Shqipërinë. Për mua nuk ka kuptim që të rrish në një skuadër 5 vjet, madje edhe tre që kalova aty, m’u dukën shumë. Kështu që, para thuajse 6 muajsh, federatës dhe presidentit Armand Duka i pata dhënë sinjalin e fundit të kontratës.
Kështu që u ndatë mirë me shqiptarët?
Shqipërinë e pata marrë për ta drejtuar për një sezon me të drejtë rinovimi, por duke parë se ekipit i nevojitej një tjetër trajner, mendova se do ishte më mirë që ata ta gjenin menjëherë zëvendësin tim, paçka se presidenti Duka m’u lut që unë të dhe të flisja sërish për rinovimin, por nuk kishte kuptim.
Sakaq, keni pohuar se vendi ishte i mrekullueshëm…
Po, të gjithë më adhuronin. Kisha një raport fantastik me lojtarët, të cilët patën pohuar qartazi që Kuzhe duhet të rrijë. Por edhe tifozët kishin shumë respekt për mua, ashtu sikundër edhe njerëzit e federatës.
Teksa jeni shprehur se mund të merrni drejtimin e një klubi, apo jo?
Në Tiranë qarkullonin shumë zëra, por asgjë konkrete. Është e vërtetë që dua të drejtoj një klub dhe jam i bindur se me eksperiencën që kam mund të kem sukses, gjithsesi duhet parë edhe skuadra.
Po Kombëtaren kroate?
Nuk e di.
Thuhet se Biliç (trajneri i Kroacisë) nuk do qëndrojë nëse nuk shkojmë në Kampionatin Europian…
Dakord, por gjithsesi, deri më 1 janar të 2012-s unë jam ende nën kontratë me Shqipërinë. Jo se nuk mund të punoj asgjëkund prej kësaj gjëje, por duhet të mos nxitohemi. Ç’është e thënë për t’u bërë, do të bëhet.
Mund të ndodhë t’ju shohim te Dinamo e Zagrebit?
Dinamo mund të them se po mbyll ciklin e vet të paktën në Kupën e Kampioneve. Rezultatet duken qartë që nuk i japin të drejtë kësaj  skuadre për të vazhduar më tej. Gjithsesi, unë nuk dua të bëj fare analizën e Dinamos dhe në këtë moment di vetëm të them që aty janë bërë shumë gjëra gabim, por nëse drejtuesit duan të vazhdojnë kështu, punë për ata, në të kundërt nevojitet ndryshimi.
Si e shikon Kuzhe Kroacinë e Biliç pas tri vitesh?
Mendoj se ai (Biliç) ka pasur dy probleme: 1.Duhet të stabilizojë një raport të mirë me lojtarët. 2.Duhet më shumë disiplinë në skuadër. Mendoj se Slaven Biliç arriti një lloj raporti me ekipin, por krejt iluziv dhe që nuk prodhoi rezultate optimale.
Ju si e shpjegoni këtë gjë?
Ekziston një plan referuar lojës së fortë në fushë, por që nuk ka sukses nëse kundërshtari është totalisht superior. Unë mendoj se lojtarët janë të rëndësishëm, por vetëm nëse loja është planifikuar dhe organizuar shumë mirë. Nëse ke lojtarë të dobët por ke filozofi të mirë loje, atëherë mund të marrësh gjithsesi rezultate, dhe në të kundërt mund të kesh lojtarë të mirë, por të mungon organizimi, atëherë zor se merr rezultate.
Mendoni se jemi në gjendje të eliminojmë turqit (Kroacia luan në “play off” ndaj Turqisë për t’u kualifikuar në EURO 2012)?
Do jetë shumë e vështirë. Unë do kisha qenë më optimist nëse do kisha pasur një skuadër skandinave ose edhe gjermanët. Turqia është një skuadër që luan pisët dhe ka në krye një Hidink që di mirë të bëjë diferencën në ndeshje të tilla, të rëndësishme.

Jep dorëheqjen nga Sllovenia dhe i “shkel syrin” FSHF-së
Kek: Gati të drejtoj Shqipërinë

Matjazh Kek

Matjazh Kek, ish-trajneri i Sllovenisë që është lakuar së fundmi si kandidat për postin e trajnerit të Shqipërisë, e ka pohuar me gojën e tij se do të ishte i gatshëm që të drejtonte kuqezinjtë edicionin e ardhshëm. Pak orë pasi shkëputi dje kontratën e tij me Federatën e Futbollit të Sllovenisë, trajneri është shprehur i gatshëm për të drejtuar Kombëtaren e Shqipërisë. 50-vjeçari, në një intervistë për “Kohën Ditore”, tha se është i hapur për të gjitha ofertat që do të vijnë në adresë të tij. “Sapo kam shkëputur kontratën me Slloveninë dhe ende nuk kam menduar për ndonjë ekip tjetër. Mirëpo, meqë tani jam i lirë, çdo opsion është i mundshëm për të ardhmen time dhe jam i hapur për të gjitha ofertat”, deklaroi Kek. Ai mohon të jetë kontaktuar deri më tani nga krerët e FSHF-së, mirëpo nuk mohon mundësinë që kjo të ndodhë këto ditë. “Nuk m’u duk logjike të negocioja me ekipet e tjera, përderisa isha nën kontratë me Slloveninë”, tha ai. Kek u largua nga përfaqësuesja e Sllovenisë, pasi nuk arriti të sigurojë pjesëmarrjen në fazën finale të Euro 2012, që vitin tjetër mbahet në Poloni dhe Ukrainë. Ai insiston se e njeh mirë ekipin e Shqipërisë dhe se nuk do ta kishte problem për të arritur suksese në krye të kuqezinjve. “Shqipëria ka një ekip shumë të mirë. E them këtë, pasi i njoh mirë futbollistët dhe kemi luajtur kundër saj. Dyert janë të hapura edhe për Shqipërinë, ndaj nuk e përjashtoj mundësinë të emërohem në krye të këtij ekipi”, tha Kek.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura